Home / Politika / Plani me përgjime të pahetuara, për të hedhur në erë urën drejt BE-së

Plani me përgjime të pahetuara, për të hedhur në erë urën drejt BE-së

“Procesi i 30 qershorit është një proces për zgjedhjet vendore, marrja peng e tij është orvatje për ti mbyllur Shqipërisë derën e negociatave”.

Kështu deklaroi sot në fjalën e tij në Kuvend Kryeministri Edi Rama.

“I gjithë plani me përgjimet të pahetuara, por të mbyllura në kasafortë e pastaj të dorëzuara tek partia politike që i lajmëron, daljet e tyre në Gjermani, para se ato të dalin në Gjermani, gjetja e vendit pikërisht në Gjermani, kalendari i daljes së përgjimeve aspak çuditërisht i përputhur me kalendarin e protestave flasin vetë për këdo që dëshiron të shikojë dhe të mendojë”-, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është një revolucion imagjinar me punonjës bashkie, policë bashkiakë, të rinj rrugëhumbur që maskohen, por që funksionin, në raport me qëllimin sepse prodhon të gjitha pamjet e shëmtuara, pamje krejtësisht të papërputhshme me imazhin e një vendi që është gati të hapë negociata në sytë e atyre që na shohin nga jashtë dhe synon të ndjellë frikën tek njerëzit brenda sikur çfarë do të ndodhë”.

“Më aktuale se asnjëherë është orvatja e haxhiqamilëve të sotëm për të arritur të pamundurën për të hedhur në erë me dhunë urën e ndërtuar me shumë mundim në dekada për t’u lidhur më në fund me Europën duke u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “bisedimet për anëtarësimin nisin me drejtësinë dhe çelja e kapitujve të drejtësisë në zhvillimin e këtyre bisedimeve nuk është më një çështje legjislacioni, pasi dihet botërisht se Shqipëria thuajse e ka përmbyllur të gjithë legjislacionit në përputhje me legjislacionin europian sa i përket drejtësisë”-, tha Rama.

“Por është çështje e zbatimit të legjislacionit që do të thotë që Shqipëria duhet të provojë jo më se ka miratuar në Kushtetutë dhe në bazën e vet ligjore gjithçka që i nevojitet një vendi për të qenë një shtet anëtar i BE-së, as se po kryen procesin e pastrimit të pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e saj të korruptuar, por se sistemi i saj i drejtësisë është i aftë që ti vendosë të gjithë pa dallim si të barabartë para ligjit dhe siç mëson eksperienca e integrimit në vende që na kanë pararendur kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i gatshëm të provojë aftësinë e vet për të hetuar, gjykuar e ndëshkuar presidentë, ish presidentë, kryeministra, ish kryeministra, ministra, ish ministra,
kjo është edhe arsyeja themelore e gjithë kësaj orvatje ku bashkohen ankthi nga drejtësia me frikën nga zgjedhjet”-, nënvizoi Kryeministri.

Sipas tij, si më mirë e ku më me shpresë për të realizuar këtë hedhje ne erë të sistemit të ri demokratik mund të realizohet kjo sesa duke marrë peng procesin zgjedhor.

“Procesi zgjedhor i 30 qershorit është një proces për zgjedhjet vendore. Kjo është arsyeja themelore e gjithë kësaj orvatje ku bashkohen ankthi nga drejtësia me natyrisht frikën nga zgjedhjet, si më mirë e ku më me shpresë për të realizuar këtë hedhje në erë të sistemit të ri demokratik mund të realizohet kjo sesa duke marrë peng procesin zgjedhor”,- tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: