Opozita sërish në rrugë për të “sfiduar” 30 qershorin
Ky zhvillim i ri ka acaruar edhe më tej opozitën, e cila është shprehur se gazeta gjermane ka faktuar tashmë pretendime e denoncimet e saj se kryeministri, Edi Rama, ka blerë zgjedhjet dhe ka bashkëpunuar me bandat. Drejtuesit e opozitës kanë deklaruar se protesta e sotme do të jetë paqësore.
Kryedemokrati, Lulzim Basha ftoi qytetarët që të dalin sot në shesh së bashku me familjet e tyre për të protestuar kundër keqqeverisjes së vendit. Një ditë më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë bëri thirrje për protestë paqësore, ndërsa theksoi se do të dalë në mbrojtje të procesit zgjedhor. Në tre ditët e fundit militantët e opozitës janë përplasur me Policinë e Shtetit në disa KZAZ, situatë kjo që u pasua edhe me arrestimin e disa qytetarëve, mes tyre zyrtarë të bashkive të djathta.