Home / Ekonomia / Bypass-i Fierit hapet më 27 qershor, Balluku: Në akset e tjera vijon puna me intensitet

Bypass-i Fierit hapet më 27 qershor, Balluku: Në akset e tjera vijon puna me intensitet

Hapja e një prej korsive të bypass-it të Fierit, shmang trafikun që krijohet gjatë sezonit turistik dhe shkurton kohës që duhet për të lidhur kryeqytetin me jugun e vendit.

Bypass-i Fierit hapet më 27 qershor për kalimin e të gjitha automjeteve (të tonazhit të rëndë dhe autovetura) duke lehtësuar kështu lëvizjen gjatë sezonit të verës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, foli sot për projektet e nisura në infrastrukturën rrugore nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Në një intervistë televizive, Balluku tha se, një ditë më parë ka bërë inspektimin e fundit në bypass-in e Fierit.

“Në bypass-in e Fierit, pas financimit është punuar në 6 muajt e fundit me ritme të jashtëzakonshme. Ishte kthyer në makthin e gjithë shqiptarëve. Dje kam bërë inspektimin e fundit dhe mbrëmjen e së dielës në këtë aks 700 metra ishin mbyllur dhe kishin mbetur 200 metrat e fundit. Në mbrëmjen e datës 27 do lëvizen të gjithë betonët që bllokojnë autostradën dhe bypass-i Fierit do jetë i aksesueshëm”, tha ministrja.

Sipas saj, bypass-i i Tepelenës ndryshe nga projektet e tjera të infrastrukturës ka një kompleksitet tjetër. Ndoshta do jetë një nga rrugët më të bukura. Po ecet me ritme të shpejta. Besojmë që deri në dimër do ketë përfunduar traseja.

Sa i përket Rrugës së Arbrit, Balluku theksoi se, është një rrugë me kompleksitet brenda së cilës ka 6 tunele e disa ura. Punimet po ecin me intensitet dhe sipas parashikimeve.

Duke u rikthyer në kryeqytet, ministrja e Infrastrukturës foli edhe për Unazën e Madhe. “Di që loti i dytë ka rezultuar i pastër dhe kompania është gati të nisë nga puna. Pra nga mbikalimi i Unazës së Re deri tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, pa e përfshirë këtë të fundit”, tha ajo.

Lidhur me hekurudhën Tiranë-Durrës, ministrja Balluku bëri të ditur se, janë kualifikuar 8 kompani.
“Projekti ka kaluar fazën e parë, pra që nuk ka më objeksione nga financuesi që është BERZH. Janë kualifikuar 8 kompani dhe ka nisur procesi i supervizionit. Të gjitha projektet e financuara janë projekte që japin siguri në zhvillimin e tyre por kanë një rrugë burokratike të gjatë. Ne jemi të detyruar të ndjekim të gjitha proceset e vendosura nga BERZH”, deklaroi Balluku.

Duke u ndalur në akuzat e opozitës për këto projekte, Balluku u shpreh se, akuzat e kundërshtimet e opozitës për projektet e rrugëve nuk kanë asnjë argument.

“Nuk kam parë asnjë argument të mirëfilltë. Opozita nuk thotë dot sa kushton një kilometër. Kilometri nuk është një kostum. Ka kompleksitete gjeologjike, e drejtimit nga shkon dhe kategorisë që i përket. Mbi çdo punë të mirë të bërë nga qeveria Rama është hedhur baltë”, tha ajo.

Sa i përket rrugës Milot-Balldren dhe burimeve financiare të firmës ANK, ministrja u shpreh se qeveria nuk bën investigime, por sheh dokumentacionin.
“Qeveria ka një procedurë sa i përket koncesionit. Unë e kam sqaruar se cili është dokumentacioni që duhet për të marrë pjesë në një garë koncesionare”, deklaroi Balluku.

Leave a Reply

%d bloggers like this: