Home / Ekonomia / Investimet e OSHEE në Sarandë, Balluku: Furnizim pandërprerje me energji elektrike

Investimet e OSHEE në Sarandë, Balluku: Furnizim pandërprerje me energji elektrike

Investimet e realizuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në qytetin e Sarandës, por edhe në zonën bregdetare përreth, kanë bërë të mundur përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për banorët por njëkohësisht garantojnë furnizim të pandërprerë me energjisë gjatë sezonit turistik, ku rritet ndjeshëm ngarkesa në rrjet si pasojë e numrit të madh të turistëve që vizitojnë jugun e vendit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi një prej investimeve të realizuara së fundmi ku në Sarandë në tre vitet e fundit OSHEE ka investuar afro 700 milionë lekë duke përfshirë ndërtimin e tre fiderave të rinj me rrjet 20 kV, ndërtimin e disa kabinave si dhe shtrimin e kabullit ABC.

Drejtori i OSHEE për rajonin Gjirokastër, Robert Lili, bëri të ditur planin e masave të marra sa i takon mbarëvajtjes së sezonit turistik në zonën bregdetare të Sarandës.

“Kemi marrë masat, meqë jemi në prag të sezonit veror, për të mos munguar as një minutë energjia në gjithë bregun në zonën turistike të Sarandës. Kemi ngritur grupin 24 orë të gatishmërisë dhe e kemi shpërndarë duke filluar që nga Borshi, Saranda dhe Ksamili që është zona bregdetare e Sarandës për të qenë në gatishmëri të plotë për eliminimin në kohë rekord të çfarëdolloj defekti dhe kryesisht jemi përqendruar në parandalimin e ndodhjes së defekteve. Çdo ditë masim ngarkesat e çdo kabine për të bërë shpërndarjen e duhur që të mos kemi asnjë defekt, asnjë avari për të përballuar me sukses të gjithë sezonin”, u shpreh Lili.

Nga ana e saj, ministrja Balluku e vuri theksin tek rëndësia për t’i ofruar banorëve dhe pushuesve të shumtë që vizitojnë Sarandën dhe bregdetin e saj gjatë verës një furnizim të pandërprerë me energji elektrike por edhe me cilësi. Balluku tha se investimet e bëra në Sarandë por edhe Ksamil janë garanci për të përballuar ngarkesën e madhe në këtë zonë në muajt e verës.

“Është shumë e rëndësishme që gjatë sezonit të mos ketë ndërprerje. Sigurisht ngarkesa është shumë më e madhe pasi vizitorët këtu tejkalojnë dhe numrin e banorëve. Ju jeni të impenjuar për ta bërë këtë megjithatë përmes investimeve të reja ne kemi bërë shumë ndryshime sidomos ato që janë bërë në zonën e Sarandës qytet dhe zonën e Ksamilit dhe gjithçka kemi parashikuar për të ardhmen”, nënvizoi Balluku.

Në saj të investimeve të realizuar, në qytetin e Sarandës por edhe zonat përreth, janë ulur ndjeshëm humbjet në rrjet. Në vitin 2013 humbjet në rrjet ishin në nivelin e 44% ndërkohë që muajin e muajin e kaluar ishin 11%. Ndërsa në bazë vjetore humbjet në rrjet në Sarandë janë në nivelin e 14,7%.

Leave a Reply

%d bloggers like this: