Kronika

“Fullani, person me rrezikshmëri shoqërore, mund të prishë provat”

5 shkeljet e Fullanit

1. Zv/guvernatori i dytë

Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë

2. Funksionimi

Nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë

3. Rregulloret

Nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës

4. Përditshmëria

Nuk ka ushtruar kompetencat e tij për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë

5. Audituesi

Ish-guvernatori Fullani ka emëruar një person auditues dy herë, çka nuk lejohet sipas rregulloreve

Rekursi

Prokuroria këmbëngul për burgosjen e ish-guvernatorit. Analizohen gabimet e Gjykatës së Apelit

Nga Sokol Çobo

FullaniProkuroria këmbëngul që ish-guvernatori Ardian Fullani të rikthehet në qeli, pasi mund të prishë provat. Akuza qendrore i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, që vendosi masën e arrestit shtëpiak. Hetuesit këmbëngulin se Fullani është person me rrezikshmëri shoqërore, për shkak se veprimet dhe mosveprimet e tij sollën një vepër të rëndë penale. Sipas rekursit, Apeli ka vendosur që Fullani të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.

Dosja Fullani

Sipas akuzës qendrore, në datë 21 korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal nr. 5454, në ngarkim të punonjësve të Bankës së Shqipërisë: Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, Dorian Çollaku, Bashkim Xhilaga, Petrit Ramohitaj, Myzejen Belba, Lavdim Cani, Liljana Kola, Dhimitër Davidhi, Gentian Jahja, Ilir Dedja, Emiljano Lamçe, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Mehdi Molla, Fatbardha Gurthi dhe Klevis Bejtja. Në datë 4 shtator 2014 është urdhëruar regjistrimi si persona nën hetim i shtetasve Ardian Fullani dhe Elivar Golemi, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Akuza ka renditur pesë shkelje ndaj Fullanit.

E para ka të bëjë se ai nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni.

Shkelja e dytë ishte se nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë. “Me nisjen e funksionimit të Departamentit të Emisionit, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e të miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Departamenti i Emisionit deri në muajin mars të vitit 2014, ka funksionuar jo me rregullore të veçantë, por me urdhrin e vitit 2001. Ky urdhër nuk përcaktonte mënyrën e përdorimit dhe administrimit të çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë, nga ana e treshes “për veprim” dhe asaj të “arkës stok”. Nisur nga këto rrethana, ka përfituar dhe personi nën hetim, Ardian Bitraj, duke përvetësuar shuma të mëdha parash që gjendeshin në të dyja arkat.

Shkelja e tretë ishte që nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. “Vlen të përmendet mosmarrja e masave për zbatimin e rregullores nr. 741 datë 28.03.2014, gjë e cila ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ardhjen e pasojës. Ky fakt është provuar nga këqyrjet e dokumentuara në ambientet e Departamentit të Emisionit, procesverbali i pamjeve filmike, si dhe tabela fotografike, pyetjet e të arrestuarve etj.”, thotë akuza.

Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit të procedimit penal nuk e ka ushtruar, thotë akuza për shkeljen e katërt.

E pesta ka të bëjë me emërimin e një personi auditues dy herë, çka nuk lejohet sipas rregulloreve. “Për këtë arsye, për të siguruar një hetim të drejtë, të barabartë, objektiv dhe të gjithanshëm të këtij procedimi penal, në ngarkim të personit nën hetim Ardian Fullani, është e nevojshme caktimi i masës së sigurimit me karakter shtrëngues. Ne si organ akuze vlerësojmë së pari, se ekzistojnë kushtet për caktimin e një mase të sigurimit personal ndaj personit nën hetim Ardian Fullani”, thuhet në rekurs.

Person i rrezikshëm

“Personi nën hetim, Ardian Fullani, është madhor, çka e bën atë përgjegjës për veprën penale që dyshohet të ketë kryer. Gjithashtu nuk rezulton të ekzistojnë shkaqe të tjera padënueshmërie të veprës ose shuarjes së saj, si dhe nuk kemi parashkrim të kësaj vepre, për të cilat akuzohet personi nën hetim Ardian Fullani. Kushti i tretë ka të bëjë me ekzistencën e nevojës së vendosjes së masave të sigurimit personal (kushtet e veçanta). Kjo nevojë ekziston, pasi personi nën hetim, Ardian Fullani, mund të dëmtojë procesin e marrjes apo vërtetësisë së provave, për faktin e detyrës që ka pasur si guvernator i Bankës së Shqipërisë”, thotë akuza. Më tej shton se “për Ardian Fullanin, ne si organ akuze, kemi caktuar një mase të përshtatshme, e cila do të garantojë nevojat e sigurimit, që lidhet me rrezikun që paraqet personi nën hetim Ardian Fullani, si guvernator i Bankës së Shqipërisë, për të dëmtuar procesin e provave. “Ne mbajmë parasysh faktin për të cilin ka filluar procedimi penal, i cili konsiderohet shumë i rëndë, referuar jo vetëm sanksionit që parashikohet për veprat penale që dyshohet të ketë kryer personi nën hetim Ardian Fullani, por edhe impaktin që ka pasur kjo në shoqëri. Personi nën hetim, Ardian Fullani, rrjedhimisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj mendojmë ne, se masa e sigurimit ‘arrest me burg’ është më e përshtatshme nga çdo masë tjetër e sigurimit personal”, thuhet në vendimin e rekursit.

Rrezikshmëria

Personi nën hetim, Ardian Fullani, rrjedhimisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj mendojmë se masa e sigurimit “arrest me burg” është më e përshtatshme nga çdo masë tjetër e sigurimit personal

Provat

Personi nën hetim, Ardian Fullani, është madhor, çka e bën atë përgjegjës për veprën penale që dyshohet të ketë kryer. Ai mund të dëmtojë procesin e marrjes apo vërtetësisë së provave, për faktin e detyrës që ka pasur si guvernator i Bankës së Shqipërisë

Dokumenti

Djali i gjyqtarit mbrojti një të arrestuar për vjedhjen e Thesarit

“Fullani nuk duhet të ishte gjykuar nga Bendo, kishte papajtueshmëri”

Gjyqtari i Apelit, Agim Bendo, nuk duhej të gjykonte masën e sigurisë ndaj Ardian Fullanit, për shkak se djali i tij avokat, Bojken Bendo, ka mbrojtur një të arrestuar për vjedhjen e Thesarit të Shtetit. “Në përbërje të trupit gjykues, kanë marrë pjesë gjyqtarët Sh.Miri, A.Bendo dhe A.Malaj. Kur është gjykuar çështja penale në ngarkim të personit nën hetim Gentian Jahja, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë marrë pjesë në gjykim mbrojtësit Maksim Ostreni dhe Bojken Bendo. Neni 16 i Kodit të Procedurës Penale, ndër të tjera, thotë se ‘në të njëjtin procedim nuk mund të marrin pjesë si gjyqtarë personat që janë ndërmjet tyre ose me pjesëmarrësit në gjykim, bashkëshortë, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungj) …”. Pjesëmarrja e gjyqtarit Agim Bendo, duke qenë i njëjti procedim penal nr. 5454, duke qenë gjithashtu për të njëjtën akuzë në bashkëpunim, neni 248 dhe 25 i K. Penal, ka vënë objektivisht në dyshim paanësinë e Gjykatës së Apelit në gjykimin e kësaj çështjeje”, thotë akuza në rekurs. Më tej, citon nenin 128 të Kodit të Procedurës Penale, kuhuhet se: aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur nuk  respektohen dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtarë në çështjen konkrete. Pra, thotë akuza, duke qenë se personi nën hetim, Gentian Jahja, është mbrojtur nga avokati Bojken Bendo, duke qenë gjithashtu se jemi përpara të të njëjtit procedim nr. 5454/2014 dhe se personi nën hetim Gentian Jahja është në bashkëpunim, mendojmë se gjyqtari Agim Bendo kishte pengesë ligjore për të marrë pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje. “Sipas nenit 128/2 të K.Pr.Penale, ‘një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm’”, thotë akuza.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button