Home / Arte / Milisekonda emocionesh në përjetësi! Fotografia si botë aventurash

Milisekonda emocionesh në përjetësi! Fotografia si botë aventurash

Nga Antea Kushti

Vetëm mbrëmë po shikoja fotot e ruajtura në “dosjet e shumta” në kompjuterin tim. E më pas telefonin tim, megabyte të shumta “që mbartnin” jetën time në tre vitet e fundit, mbushur me sfida, momente, iluzione, të vërteta e shumë të tjera. E ndërsa unë, ti, ne, ndryshojmë, momenti i “kapur” nga aparati fotografik, mbetet atje përgjithmonë si një kujtesë e bukur, e hidhur, domethënëse.

Dikush e pat quajtur fotografinë “një Love Affair me vetë jetën”. Edhe unë kështu do ta quaja, unë e dua fotografinë, për mua ajo është si një botë aventurash. Me anë të saj unë mund të sjell realitetin, mund ta manipuloj atë, mund të shpreh pasionet e fshehura, emocionet e ndrydhura, mund t’i jap një farë forme botëkuptimit tim ashtu siç është.

Antea Kushti

Antea Kushti

Një moment në jetën e çdokujt nuk ndodh dy herë, por gjithashtu pelikula dhe pikseli kanë aftësinë të shndërrojnë një dukuri, një personazh, një fenomen sado të thjeshtë, në diçka të mrekullueshme dhe anasjelltas.

Thjeshtësia e të shkrepurit një fotografi, i bën njerëzit të mendojnë në mënyrë më të thellë për vlerat e saj artistike dhe emocionet që shkakton. Disa fotografi na shkaktojnë një reagim emocional më të madh se disa të tjera.

Në fakt, ka fotografi që na emocionojnë më shumë se një vepër botërore arti. Ekzistojnë dy kategori fotografish: kategoria e parë, e ashtuquajtur “e kapur me kohën”, është një imazh që ka si qëllim të regjistrojë një ngjarje, ose një pikë në një kohë të caktuar; kategoria e dytë, janë fotografitë që mbajnë në vetvete një kuptim më të thellë dhe kanë aftësinë t’i ndryshojë humorin shikuesit duke i shkaktuar një reaksion.

Çfarë e ka ndryshuar perceptimin e fotografisë? Pa dyshim, ndryshimet politike, ekonomike, social dhe kulturore në një shkallë shumë të gjerë. Artistët janë ndikuar masivisht nga industrializmi, revolucionet politike, luftërat e ndryshme, përparimi i teknologjisë që solli ndërmjet nesh format e para të komunikimit dhe që i dhanë mundësi fotografëve të kohërave të ndryshme të krijonin artin e tyre që ishte po aq “modern” sa vetë jeta në ato periudha.

Ndër figura të njohura të shekullit të 19-të mund të përmendim Joseph Nicéphore Niépce, që bëri të mundur krijimin e “fotografisë më të vjetër të mbijetuar” ndonjëherë.

Alfred Stieglitz që së bashku me madhështinë e tij ishte një promovues dhe mbështetës i artit modern, të cilin e prezantoi në Amerikë dhe zhvilloi më tutje teoritë e fotografisë si art. Një figurë tjetër e jashtëzakonshme është Margaret Bourke White, një nga gratë e para si fotoreportere dhe fotografe e revistës “Life”, e cila krijoi portretin e fundit të Mahatma Ghandi disa orë përpara vrasjes së tij.

Fotografi francez Henri Cartier-Bresson që konsiderohet si themeluesi  i fotoreportazhit, ishte mjeshtër i fotove spontane dhe ka vendosur një standard për të gjithë fotografët e kohëve të sotme. Robert Capa ishte një nga të vetmit fotografë që ka mbuluar 5 luftëra të ndryshme, duke filluar nga Lufta Civile Spanjolle deri te Lufta e Dytë Botërore dhe ishte themeluesi i “Magnum Photos”, e cila është një nga agjencitë fotografike më prestigjioze në botë. Ansel Adams, është i njohur për fotografi të natyrës dhe peisazheve, karakteristikë e tij janë fotot bardhë e zi. Edward Muybridge, i cili është i njohur për procesin e fotografimit me lëvizje dhe është vlerësuar si krijuesi i filmit të parë të zhvilluar me projektor. Philippe Halsman që ishte mjeshtri i fotove portret që janë cilësuar si inovative, kreative dhe provokuese dhe kishte shoqëri të ngushtë dhe bashkëpunim me piktorin e famshëm Salvador Dali.

E si mund të mos përmendja këtu, Pjetër Marubin një arkitekt, skulptor dhe fotograf italian, që u shpërngul në Shqipëri, ku edhe hapi studion e parë fotografike, “Dritëshkronja”.

Këtë weekend, kam vendosur t’ia kushtoj fotografisë. Jo se s’kam çfarë të bëj, por se mezi po pres të fotografoj rrugët e qytetit ku kam lindur, e pas kthimit tim nga jashtë, më duken të tjetërsuara, njerëzit shpresë-shumë e shpresë-pak të vendit tim! Dua të fotografoj tim vëlla, që ndryshon çdo ditë e jo vetëm fizikisht, dua të fotografoj lagjen time të fëmijërisë që sa vjen e popullohet, gati është bërë si një qytet më vete. Dua t’i kem këto momente të shkrepura në aparatin tim me nënshkrimin: “Fotografi të marra në kohën që ende isha në kërkim të vetvetes.” Kështu nuk do kem mundësi të përgënjeshtroj vetveten atëherë.

Marre nga Revista Elegance

Leave a Reply

%d bloggers like this: