Ekonomia

Rusia, “kthen sytë” nga Shqipëria, agjencitë ture për të përgatitur paketa

Mark Savin, bloger dhe fotograf nga Rusia, së bashku me Larisën, menaxhere e marrëdhënieve me publikun në agjencinë “Tui Russia”, do të përshkojnë në pesë ditë Shqipërinë nga Veriu në Jug.

Aktualisht, në ditën e tyre të tretë, i gjejmë në Durrës dhe të nesërmen do të nisen drejt Vlorës. Të dy shprehen optimistë për Shqipërinë, si një destinacion turistik dhe misioni i tyre është të marrin përshtypjet nga terreni, për të hartuar paketa të dedikuara që do t’i paraqiten tregut rus. Prania e turistëve rusë në Shqipëri nuk mungon, por asnjëherë ardhja e tyre nuk ka qenë masive këto vite. Pikërisht këtë po synon të bëjë tashmë “Tui Russia”. Charter-at e parë pritet që të vijnë në fund të këtij muaji, kurse vijueshmëria pritet të shihet vitin e ardhshëm. Sipas blogerit Savin, disa postime të tij në rrjetin social Instargam, ku ka mbi 27 mijë ndjekës, kanë marrë vëmendje të veçantë dhe Shqipëria i ngjan shumë me Zvicrën.

“Kam qenë në Zvicër tre muaj dhe kam përshkuar pjesën më të madhe të saj. Kur erdha në Shqipëri u befasova shumë, pasi pashë male mbresëlënës, sidomos pjesa e Valbonës është shumë e bukur. Kjo ka pak ngjashmëri me Zvicrën, ndërkohë që liqenet janë shumë të bukur dhe më kujtojnë një ndërthurje mes Zvicrës dhe Tunizisë. Mezi pres të zbuloj pjesën tjetër të vendit tuaj”, shprehet ai.

Flet Larisa Akhaniva, menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun “Tui Russia”

“Shqipëria potencial të jashtëzakonshëm, por duhet të përmirësoni shërbimin”. Natyra e jashtëzakonshme dhe njerëzit miqësorë janë dy elementet që kanë befasuar më së shumti Larisa Akhaniva, e cila ka ardhur në Shqipëri me një mision të veçantë nga agjencia “Tui Russia”, ku punon si menaxhere e marrëdhënieve me publikun.

Ajo nënvizon se vendi ynë i ka të gjithë asetet për të zhvilluar turizmin, por duhet të përmirësojë disa aspekte të tjera që lidhen me këtë industri ku në krye të listës qëndron shërbimi.

Ju keni mbërritur në Shqipëri pak ditë më parë për të bërë një tur dhe për të dhënë një përshtypje mbi paketat që mund të ofrohen në tregun rus. Çfarë destinacionesh keni në axhendën tuaj?

Ne kemi një axhendë shumë të ngjeshur, për të vizituar në Shqipëri sa më shumë vene që të mundemi nga Veriu në Jug. Për shkak të kohës së pakët nuk do të arrijmë të shkojmë në Sarandë, por do të shohim një pjesë të mirë të destinacioneve në këto pesë ditë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për Shqipërinë dhe a mendoni se do të arrini të mbyllni një paketë për tregun rus?

Ne përpiqemi të promovojmë Shqipërinë si një destinacion në Rusi. Nga janari e në vazhdim, çdo ditë unë them Shqipëria, pasi mendoj se e ardhmja e turizmit është në vendet e vogla, me identitet, peizazhe unike dhe ngjyra. Shqipëria ka një potencial shumë të madh në këtë aspekt.

Si e gjetët Shqipërinë në raport me atë që ju prisnit të gjenit këtu?

Është shumë më mirë sesa ajo që prisnim. Ishte një përvojë shumë e këndshme. Prej punës udhëtoj shumë dhe Shqipëria është në zemrën time tashmë.

Cila ka qenë gjëja që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Për mua, natyra. Kur flasim për Shqipërinë, është gjithmonë e para natyra, natyra, natyra. Natyra është Zoti i Shqipërisë. Keni potencial shumë të mirë pasi një pjesë e mirë e vendeve nuk kanë këto asete natyrore, të njëjtat ujëra apo male. Kur kemi qenë në male, në liqene ka qenë një mrekulli. E dyta që më ka bërë shumë përshtypje janë njerëzit. Kurrë nuk kam takuar njerëz kaq miqësorë dhe të hapur në kuptimin që të ofrojnë gjithçka. Për shembull, unë udhëtova nga Tivati me një shofer të kompanisë dhe pala shqiptare përgjatë gjithë udhëtimit është kujdesur sesi do të shkonte udhëtimi, sepse shoferi nuk dinte anglisht e as unë shqip. Interesi dhe vëmendja që tregoni që nuk ndalet vetëm tek ky rast, më ka dhënë një ndjesi pozitive.

Diçka që duhet ta korrigjojmë apo ndonjë dobësi?

Një pikë e dobët? Keni shumë potencial për t’u zhvilluar por për mua shërbimi është ajo ku duhet të fokusoheni. Sigurisht në krahasim me vende të tjera, nuk keni të njëjtat tradita, mikpritjeje të sektorit, sepse kjo do kohë të krijohet. Ju thjesht jeni në fillim të rrugës suaj, por më duket se keni një të ardhme të shkëlqyer.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button