Bota

Me paradë ushtarake dhe spektakël fishekzjarresh, SHBA feston sot 243-vjetorin e pavarësisë

Prej ditës së djeshme, në Uashington kanë filluar përgatitjet për festimet e 4 korrikut, të cilat po marrin një formë të re nga presidenti Donald Trump për të shpalosur me solemnitet imazhin e ushtrisë amerikane. Vetë presidenti do të mbajë fjalim dhe shfaqja me fishekzjarre do të jetë më madhështore se sa më parë.

Në zonën e përmendores është krijuar një vend i veçantë për personat VIP të cilët do të jenë aty me ftesa nga Shtëpia e Bardhë.

Tanket, automjetet e blinduara dhe fluturimet e avionëve luftarakë, janë diçka e pazakontë në festimet e 4 korrikut. Ashtu sikurse edhe një fjalim nga presidenti.

Por Presidenti Trump është i vendosur të festojë “si asnjë tjetër” dhe thotë se dëshiron të nderojë ushtrinë amerikane.

Kritikët e akuzojnë presidentin për politizimin e një feste që ka bashkuar tradicionalisht amerikanët e çdo grupi.

Por një sondazh i ri thotë se shumica e amerikanëve nuk e kanë problem që Presidenti të mbajë një fjalim publik më 4 korrik. Këtë mendim ndan edhe Tom Dewey.

“Mendoj se shfaqja ajrore do të jetë e mrekullueshme. Nuk më pëlqen shumë që kanë bllokuar Memorialin e Linkolnit. Por më pëlqen ideja e tankeve. Ndërsa pjesa tjetër e festimeve do të jetë si normalisht. Do të jemi në gjendje të shohim fishekzjarret ashtu si më parë, kështu që nuk mendoj se ka ndonjë problem”.

Presidenti Trump u dashurua me paradat ushtarake pasi mori pjesë në festimet e Ditës së Bastijës në Paris në vitin 2017. Një plan për një paradë ushtarake në Ditën e Veteranëve në Bulevardin Pensilvania u braktis për shkak të kostos, të vlerësuar në 92 milionë dollarë.

Disa amerikanë si Steve Doran, nga Teksasi janë të shqetësuar për koston e festimeve.

“Do të jetë interesante. Diçka që nuk është bërë më parë. Do të shqetësohesha sa do të kushtonte. Ka gjëra të tjera ku mund të përdoreshin këto para, veçanërisht kur sheh njerëzit e pastrehë në këtë zonë. Të trishton. Është gjë e mirë të festojmë pavarësinë e vendit, por të shpenzojmë kaq shumë para dhe ende nuk e dinë sa do të kushtojë… mendoj se është e tepërt. Jam amerikan krenar por përsëri mendoj se mund t’i shpenzojnë paratë disi më mirë”.

Nuk është dhënë ende një shifër e saktë sesa do të kushtojë përdorimi i ushtrisë dhe festimet e mëdha në Uashington. Por Jeff Chase që ka ardhur për të festuar 4 korrikun në Uashington thotë se kostoja është e papërfillshme.

“Politikanët ankohen për koston kur kundërshtojnë diçka, por kjo është e parëndësishme nëse do të shpenzonim për diçka tjetër që do të kishte më pak vlerë”.

Zyrtarët e qytetit thonë se administrata Trump ende nuk ka paguar 7 milionë dollarë që i detyrohet qytetit nga shpenzimet e inaugurimit në janar 2017.

Administrata Federale e Aviacionit thotë se do të pezullojë operacionet në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit gjatë fjalimit të presidentit Trump dhe shfaqjeve të avionëve luftarakë.

Fishekzjarret e 4 korrikut në Uashington janë më spektakolaret në Amerikë. Dhe presidenti Trump ka premtuar se këtë vit ato do të jenë “më madhështoret ndonjëherë”./VOA/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button