Politika

Meta armik i hapur i Kushtetutës dhe parlamentit, duhet hetuar e ndëshkuar deri në fund

“Ilir Meta është armik i hapur i Kushtetutës dhe i parlamentit, ndaj duhet ndëshkuar deri në fund”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë debatit në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ndërsa citoi shprehjen e Napoleon Bonapartit “kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon”, Rama tha se “ne jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej, sepse për ne dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm sesa çdo interes partiak”.

“Ilir Meta duhet hetuar e ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij duhet të jetë frontal dhe në emër të Kushtetutës, demokracisë parlamentare dhe pavarësisht çdo interesi politik që na ndan. Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i qeverisë, por është armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë; është armiku i deklaruar i vetë parlamentit të Shqipërisë; nuk është më thjesht politikani i frikësuar deri në palcë nga Reforma në Drejtësi, por është shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia. Me shtrirjen e rrezes të agresionit të tij mbi miqtë dhe partnerët europianë, ai na turpëron të gjithëve ne si deputetë, qytetarë, popullin dhe shtetin”, – tha Rama.

Shqipëria anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE, sipas Ramës nuk mund të ketë një kryetar shteti që duket si aktor komik që imiton Presidentin e Republikës dhe që kur flet seriozisht të bën për të qeshur, dhe kur flet me të qeshur të bën për të qarë.

“Një Vojo Kush me kravatë mbi çatinë e Ambasadës së SHBA-së, që e imagjinon si topin ku vendos gjoksin e tij si Mic Sokoli me rroba banje. Ai tha se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor, çka në fakt nuk ia ka kërkuar askush, edhe pse gjithkush mund të pyesë veten se mos vallë është i ikur nga mendja e kokës”, – tha Rama.

Rama tha se “sëmundja e vërtetë e Kreut të Shtetit është se është futur në qorrsokakun e inatit pa krena, si personazhi i Dostojevksit që gënjen veten për të gënjyer të tjerët dhe arrin në pikën ku nuk e di se ku fillon bota reale jashtë kokës së tij”.

“Nëse Ilir Meta mund t’ja lejojë vetes të ngatërrojë tërë dynjanë në përçartjen e tij si njeriu që kalon në Tropojë dhe i duket sikur kalon nga burgu i Spaçit me akte antikushtetuese  dhe shfaqje poshtërimi të institucioneve, ky parlament nuk mund t’ia lejojë dot vetes mbylljen e syve përballë këtij burimi komedie ndërkombëtare, rrezikshmërie shoqërore, që ka shkelur Kushtetutën më shumë se sa një herë dhe më shumë se sa njëherë ka tentuar destabilizimin qeverisë, duke penguar apo refuzuar dekretimin e ministrave”, – tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “Meta ka komentuar politikisht apo ka kthyer mbrapsht papërgjegjshmërisht ligje të miratuara nga ky Kuvend”. “E ka fyer Kuvendin, duke e quajtur ilegjitim, apo ka kërcënuar duke e lënë të kuptohet se mund ta shpërndajë fare. Ka dalë nga roli kushtetues i tij duke luajtur role dhe lojëra që kurrë një president nuk ia ka lejuar vetes në tërë historitë e demokracisë”, – tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button