Kryeartikull

Po lind Republika anti-perëndimore e Shqipërisë

Nga Mero Baze

Shqipëria duhet t’i japë shpejt zgjidhje krizës presidenciale, jo aq për ndonjë rëndësi të Ilir Metës brenda vendit, se sa për imazhin qesharak që po i jep Shqipërisë, duke përfaqësuar një “Shqipëri paralele” anti-perëndimore dhe anti-kosovare nga Republika zyrtare e Shqipërisë.

Rasti më ekstrem është Samiti i Jahorinës në Bosnjë, organizuar nga anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, i cili përveçse një manekin banal i presidentit Putin, përfaqëson ende të vetmen vrimë të zezë të nacionalizmit etnik serb në Ballkan, që ushtron pushtet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e refuzoi ftesën si poshtëruese për Kosovën dhe ai natyrisht ka një gjykim më të gjerë për këtë vendim. Në solidaritet me të, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, po ashtu e refuzoi pjesmarrjen e Shqipërisë zyrtare aty.

Fill pas kësaj, Ilir Meta i hipën avionit dhe shkon në një takim, ku ka prodhuar dy lajme kryesore.

E para, që nuk ka përfillur qëndrimin zyrtar të Shqipërisë dhe e ka trajtuar edhe qëndrimin zyrtar për çështjen kombëtare të Shqipërisë, si një qëndrim ku diskutojmë për protestat e Lulit.

E dyta, që ka tentuar të duket një lider me tipare lindore anti-emigracion, pro autoritarist dhe anti-perëndimor, duke lavdëruar presidentin Erdogan për një gjë që dhe ai vetë do të jetë çuditur, për faktn që i ka prerë rrugën emigracionit të paligjshëm në Ballkan.

Në fakt, presidenti turk i ka bërë presion Europës dhe kryesisht Gjermanisë, të rrisin financimet për Turqinë për të ndërprerë valën e refugjatëve të luftës drejt Perëndimit, por kjo është një çështje mes tij dhe Perëndimit.Sorry, there are no polls available at the moment.

Turqia nuk ka problem shkuarjen e emigrantëve në Turqi, por ikjen e  turqve nga Turqia, si çdo vend i varfër i Ballkanit.

Ballkani po ashtu nuk ka problem që po i vijnë emigrantë, por që po i ikin qytetarët e vet emigrantë. Vetëm Ilir Meta ka zbuluar se Ballkani rrezikohet nga emigrantët e huaj, dhe për këtë i është mirënjohës presidentit Erdogan.

Në fakt, nuk e ka fare për këtë. Duket se Ilir Meta ka vendosur të imitojë liderët autoritarë dhe ksenofobë të Lindjes, ku krye-modeli është Orban. Ai tenton të bëhet ksenofob, anti-emigracion, anti-perëndimor, dhe si çdo menu tjetër e Internacionales së autokratëve do dhe “një kokë të prerë armiku në sini”, dhe ky ka gjetur Sorosin.

Ilir Meta duket se ka shkuar deri tek Dodiku, një mik personal i Putinit, nga ato levat e neveritshme të tij në Ballkan, për të na treguar se tani ai ja ka hipur kalit drejt Lindjes, dhe për të na treguar se nuk i ha palla nga qëndrimet e ftohta të Perëndimit ndaj tij.

E njëjta gjë vërehej dhe në intervistën e tij me gazetarin e njohur grek Stavros Ximas, ku përpiqej të paraqiste dy Shqipëri, Shqipërinë zyrtare, që e identifikonte të keqe, me Edi Ramën, dhe Shqipërinë e tij, siç e ka tani në mendjen e tij të turbullt.

Shqipëria paralele e Ilir Metës, nuk është ndonjë krim. Shqipëria është vend i lirë dhe këtu çdokush është i lirë të zgjedhë një pozicion kundrejt rrugës perëndimore të Shqipërisë, pro ose kundër saj.

Deri tani kemi qenë të gjithë pro. Tani Ilir Meta ka vendosur t’i kundërvihet kësaj rruge. Nuk është ndonjë dramë e madhe. Është një eksperiment i ri politik i Moskës në Tiranë.

Problemi është që këtë eksperiment, Ilir Meta nuk mund ta bëjë nga posti i presidentit të Republikës së Shqipërisë, pasi ai është duke folur në emër të një Shqipërie të panjohur ende.

Ai nuk mund të përfaqësojë dy Shqipëri në tryezën e një zagari të Putinit. Nuk mund të jetë aty, edhe si përfaqësues i Shqipërisë anti-perëndimore dhe anti- Kosovë.

Mund të jetë si politikan i tillë, por jo si President. Si president në atë tavolinë mund të ulet, kur t’ia nisi nga e para si politikan anti-perëndimor, të fitojë, të bëjë shumicë, e të bëhet prapë President.

Pastaj dhe mund të flejë në një krevat me Dodik e Putinin, se nëse do ndodhë ta votojnë shqiptarët si të tillë, ky vend nuk do të ekzistojë më.

Por si përfaqësues i Shqipërisë pro-perëndimore, si përfaqësues i Shqipërisë që e ka në Kushtetutë mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe sidomos Kosovës, ai nuk mund të ulet në atë tavolinë dhe të flasë në emër të kësaj Shqipërie.

Jo se shkatërron ndonjë kauzë të madhe, pasi atë nuk e merr njeri seriozisht as këtu, por na bën objekt barcaletash mes një klubi anti-shqiptar, duke vërtetuar gjithë anektodat e vjetra serbe, që jemi njerëz me bisht.

Në fakt, thjesht kemi një President me bisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button