Home / Ekonomia / Largohet nga detyra pas tre muajsh drejtori i Tatimeve, Enton Duro

Largohet nga detyra pas tre muajsh drejtori i Tatimeve, Enton Duro

Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro, është larguar nga detyra, vetëm tre muaj pasi ishte caktuar në këtë post.

Burime nga Ministria e Financave thanë se largimi nga detyra erdhi për shkak të performancës së dobët në mbledhjen e të ardhurave.

Duro zëvendësoi në këtë detyrë Vasilika Vjeron, e cila u largua nga ky post pas tre vitesh për arsye personale.

Performanca e Tatimeve ka qenë e dobët këtë vit, duke reflektuar ngadalësimin e rritjes ekonomike nga 4% vitin e kaluar në vetëm 2.1% në tremujorin e parë të këtij viti, mbylljen e aktivitetit të lojërave të fatit si dhe faktin që projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit janë drejt fundit, duke ndikuar edhe në aktivitetin e kompanive që kanë qenë të lidhura me to.

Në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga Tatimet ishin 61.9 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8%, duke rezultuar 1.3% ose rreth 800 milionë lekë më pak se plani. Zëri me ecurinë më negative është ai i TVSH-së, me një rënie prej 12% në raport me janar-maj të një viti më parë, që është kompensuar me rritjen e të ardhurave nga tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale.

Më e dobët ishte performanca e doganave, me të ardhurat që u rritën vetëm 0.5% me bazë vjetore për 5-mujorin, ose rreth 2 miliardë lekë më pak se plani.

Leave a Reply

%d bloggers like this: