Home / Kronika / Zyra e EUROPOL në Tiranë, Lleshaj: Intensifikohet bashkëpunimi BE-Shqipëri

Zyra e EUROPOL në Tiranë, Lleshaj: Intensifikohet bashkëpunimi BE-Shqipëri

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se, hapja e Zyrës Ndërlidhëse të EUROPOL-it në Tiranë, e para në rajon, do të intensifikojë më tej bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë si dhe do të kontribuojë për forcimin e besimit reciprok mes përfaqësuesve të agjencive tona ligjzbatuese.

Në Tiranë është çelur sot Zyra Ndërlidhëse e EUROPOL-it, ku një oficer do të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, për të intensifikuar bashkëpunimin.

Lleshaj e konsideroi hapjen e zyrës së EUROPOL në Tiranë, si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe pozitive në kronikën e gjatë të hapave të suksesshëm të integrimit europian të Shqipërisë.

“Vetëm në 10 vitet e fundit, numri i njerëzve që kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë është rritur gati 160 %. Dhe kjo tendencë pozitive vazhdon me po të njëjtin ritëm rritjeje. Mjaftojnë vetëm kjo shifër për të treguar nivelin e jashtëzakonshëm që ka arritur lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është një lajm shumë i mirë, dhe pikërisht për këtë shoqërohet edhe nga një sfidë e madhe, si ta forcojmë nivelin e integrimit pa kompromentuar sigurinë”, tha Lleshaj.

Ai shprehu besimin se “thellimi integrimit nuk e cenon sigurinë madje e forcon atë, por me një kusht që  të shoqërohet nga rritja e pandalshme dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit”.

“Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë. Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi ‘de facto’. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit ‘de jure’”, tha Lleshaj.

Ministri tha se “hapja e Zyrës së EUROPOL-it në Tiranë është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për të parandaluar dhe trajtuar krimin e organizuar dhe kërcënimet që rrjedhin nga ky fenomen”.

“Shqipëria, siç nënvizohet dhe nga deklarata e Komisionit Europian, ka arritur padyshim rezultate të shkëlqyera në zbatimin e reformave transformuese dhe plotësimin e pesë prioriteteve kyçe. Rekomandimi i Komisionit për të hapur negociatat me Shqipërinë është një njohje e qartë e progresit të rëndësishëm në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por edhe një obligim i rëndësishëm për ne për të vijuar dhe për të thelluar punën tonë në këtë drejtim”, tha ai.

Lleshaj tha se “Shqipëria ka intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar të policisë, veçanërisht me shtetet anëtare të BE-së, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme në shkallë të gjerë”. Veçanërisht gjatë këtij viti, sipas tij, “këto operacione janë bërë shumë të shpeshta dhe kanë shënuar rezultate impresionuese”.

“Volumi i informacionit të shkëmbyer është rritur në mënyrë progresive dhe është përkthyer në rezultate operacionale shumë konkrete. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, ne kemi kryer më shumë operacione policore me EUROPOL dhe vendet e BE-së se sa në 2018, i cili në vetvete ishte i suksesshëm”, tha ai.

Zhvillimi i procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit, sipas ministrit Lleshaj, është një tjetër zhvillim pozitiv që shkon në të njëjtën linjë me procesin e reformës në drejtësi.

“Gjithkush e ka të qartë se funksionimi i sistemit të ri të drejtësisë në vend, nuk mund të jetë kurrë i garantuar pa një strukturë policie me integritet, profesionale, të mbështetur dhe të motivuar për përmbushjen me sukses të misionit të saj të rëndësishëm. Në një farë mënyre, pas FRONTEX, edhe EUROPOL vjen ekzaktësisht në momentin e duhur, në një moment kulmor të zbatimit të reformës në drejtësi, ku Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese janë pjesë e rëndësishme dhe integrale me një rol shumë të rëndësishëm”, tha ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: