Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit francez deklaroi se Kosova dhe Serbia ishin dy shtete fqinje që e kishin të ardhmen në Evropë, por një gjë e tillë nuk iu ka pëlqyer serbëve, të cilët kanë vendosur ta censurojnë.

Një gjë e tillë është vënë në pah nga deputeti i pavarur serb, Gjorgje Vukadinoviç, i cili u ndal te censura që mediat i bënë fjalimit të Macron, në rastin kur e cilësonte Kosovën vend fqinj të Serbisë.

“Përveç mediave që nuk e kanë transmetuar këtë deklaratë, nuk kanë reaguar as krerët e shtetit serb”, është shprehur Vukadinoviç për mediat serbe.Gjithashtu, politikani serb ka sjellë në vëmendje reagimin aspak të sjellshëm të Ministrisë së Jashtme, të udhëhequr nga Ivica Daçiç, ndaj ambasadorit të francës në Beograd, Federico Mandoloni, të cilit për të njëjtën deklaratë si ajo e Macron i ishte thënë “Kosova nuk është fqinje e Serbisë”.

Nga ana e tij, Presidenti francez publikoi një pjesë të fjalimit të tij në “Twitter”, në të cilin fliste specifikisht për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. “Ne duhet të ndërtojmë së bashku paqen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mesazhi im nga Beogradi”, shkruante Macron.

Gjatë vizitës së tij në Serbi, Presidenti francez premtoi të përfshihet në procesin e rifillimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim arritjen e marrëveshjes së përhershme gjithëpërfshirëse dhe me këtë në mendje, ai u shpreh se do të organizonte një takim të veçantë Beograd-Prishtinë me pjesëmarrjen e Kancelares gjermane Angela Merkel në Paris, rreth muajit shtator.