Ekonomia

Shqipëria, në librin e pushimeve të zviceranëve

“E gjithë bota” i ka kthyer sytë nga Shqipëria turistike, kështu nis një kronikë e televizionit zviceran, Telezüri.

Sipas tyre, Shqipëria po troket me të madhe në ndarjen e “kulaçit” turistik të rajonit. Vendpushimeve të preferuara nga zviceranët, si Greqia, Spanja ose Qiproja, iu është shtuar së fundi edhe Shqipëria.

Për të marrë një përgjigje lidhur me këtë trend të ri, televizioni i përmendur ka pyetur kompaninë e madhe që ofron paketa udhëtimesh turistike, Hotelplan. Sipas tyre, këtë vit Hoptelplan ka futur në katalogët e saj, për herë të parë, edhe Shqipërinë si destinacion të rëndësishëm turistik për zviceranët.

Një zëdhënëse e kësaj kompanie ka thënë se Shqipëria është një zbulim i ri turistik dhe tejet i preferuar. Ajo ka theksuar se përveç bukurisë së vendit, me bregdet të gjatë, me ujë kristalor, me natyrë të bukur edhe jashtë bregdetit dhe me qytete interesante, është edhe mikpritja e shqiptarëve, ajo që e bën Shqipërinë një vend që ia vlen të vizitohet.

Kur kësaj i shtohen edhe çmimet, të ulëta në krahasim me rajonin, oferta mund të quhet e përkryer, thuhet në kronikë.

Pyetjes përse ka mbetur kaq gjatë e pazbuluar një perlë e tillë, përfaqësuesja e Hotelplan i përgjigjet se Shqipëria ka vuajtur veç tjerash edhe imazhin e një vendi ballkanik, të rrethuar nga krizat dhe luftërat. Megjithatë gjendja po përmirësohet edhe falë rregullimit të infrastrukturës, ka thënë ajo. Po ashtu edhe fillimi i fluturimeve direkte nga Cyrihu për në Tiranë ndihmon në “zbulimin” e këtij vendi.

Më tej në kronikë citohet Ministria e Turizmit në Shqipëri, sipas së cilës brenda vetëm një viti, Shqipëria ka pasur një rritje prej 20 % në sferën e turizmit. Nga 4.2 milionë turistë që kanë vizituar vendin në vitin 2017, numri ka arritur në 5.1 milionë në vitin 2018.
Në kronikë flet edhe politikani shqiptar nga Zvicra (Winterthur) Blerim Bunjaku, i cili lidhet drejtpërdrejt në transmetim, nga Prishtina. Ai flet për leverdinë që mund të kenë edhe zviceranët nëse vendosin të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri, falë resurseve të vendit, çmimeve të ulëta dhe mikpritjes së shqiptarëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button