Opinion

Zgjedhje e mirë në kohë të vështira

Nga Ines Pohl

Edhe në epokën e internetit ka momente, në të cilat fjala është vendimtare. Këtë e tregoi Ursula von der Leyen të martën në Parlamentin Europian në Strazburg. Edhe pse në fakt nëpër parlamente “parlare”, fjala pra, do të duhej të ishte arti më i madh, shpesh ndodh, që vendimet dihen përpara se të jenë shkëmbyer argumentat. Kësaj here qe ndryshe: Ishte një ditë, në të cilën për kandidaten gjermane çdo gjë ishte e mundshme. Asaj i duhej të rezistonte në skenën e madhe e ndonjëherë irrituese të Parlamentit Europian. Ajo duhej të bënte për vete skeptikët, duhej të inkurajonte përkrahësit dhe me ofertat e duhura të ndryshonte kursin e kundërshtarëve. E po ashtu ajo duhej të kujdesej për një moment europian.

Feministe, sociale dhe ekologjiste

Të gjitha këto i ka Ursula von der Leyen – edhe pse në fund ajo ia doli me një shumicë fare të dobët, vetëm me nëntë vota. Feministja e bindur u prezantua më sociale dhe më ekologjiste nga sa do të preferonin shokët e saj të partisë konservatore – dhe ajo me vetëdije të plotë dhe sovranitet e luajti kartën e të qenit grua. Ndoshta ishte zgjedhja më e mirë e saj që ta mbante fjalimin në tri gjuhë. Frëngjisht për një BE me zelll të ri dhe pjesëmarrje të qytetarëve, anglisht për faktet dhe kërkesat e mprehta – për taksa më të larta për gjigandët e ekonomisë botërore, dhe për një barazi të vërtetë gjinore. Gjermanishten ajo e zgjodhi për mbylljen emocionale të fjalimit, gjatë të cilit politikania e lindur në Bruksel e shiti biografinë e saj si të kompozuar ekstra për një karrierë europiane.

Qartësisht zgjedhja e dytë

Nuk është sekret, që von der Leyen ishte zgjedhja e dytë për këtë post. Ajo e dinte, që i duhej të luftonte me rafinesë dhe një inskenim perfekt kundër këtij disavantazhi. Ajo mund t’i kishte humbur të gjitha. Por ajo surprizoi duke e kthyer këtë disavantazh në përparësi. Ajo u tregoi vendin anti-europianëve dhe atyre që largohen duke iu kundërvënë me shpërfillje provokimeve të tyre. Këtë kurs ajo duhet të vazhdojë ta ndjekë qartë dhe me konseguencë duke e mbyllur krahun e djathtë. E gjitha kjo nuk mjafton për të garantuar një presidencë të sukseshme të Komisionit, por është të paktën një fillim i mirë dhe një ditë e mirë për Parlamentin Europian, që kishte një zgjedhje të vërtetë.

Humbësit më të mëdhenj të kësaj dite votimi janë eurodeputetët socialdemokratë gjermanë. Duke i qendruar besnik parimit, ata deri në fund iu përmbajtën marrëveshjes, se vetëm një kandidat kryesor në zgjedhjet europiane duhet të bëhet president i Komisionit të BE-së. Që për këtë nuk e gjet shumica, kjo nuk luajti asnjë rol. Ata nuk morën parasysh as që BE-ja mund të zhytej në një krizë të thellë, nëse von der Leyen nuk do të kishte fituar.

Parlamenti e tha fjalën e vet. Ai vendosi me shumicë, që politika tek e fundit është arti i së mundshmes./DW/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button