Ekonomia

Parandalimi i pastrimit të parave, si do të kontrollohen aksionerët e bankave

Institucionet shqiptare janë përfshirë në një valë ndryshimesh të kuadrit ligjor dhe rregullator për ta përshtatur atë me kërkesat e bëra nga Moneyval, lidhur me masat për parandalimin e pastrimit të parave.

Pas një sërë akteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, edhe Banka e Shqipërisë miratoi në fillim të korrikut vendimet që synojnë më shumë transparencë për sektorin bankar, e lidhur kryesisht me aksionerët.

Referuar ndryshimeve në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, për herë të parë përfshihen terma të tillë si aksione të mbajtësit, aksioner përfaqësues dhe bankë guaskë.

Kjo e fundit, sipas shpjegimit në rregullore, është një bankë, e cila nuk ka prani fizike, përfshirë mungesën e administrimit e drejtimit, si dhe nuk është e përfshirë në një grup të rregulluar financiar. Nga ana tjetër, aksioneri përfaqësues është aksioneri i regjistruar i një personi juridik, që mban aksionet në emër të aksionerit aktual (pronarit përfitues), në bazë të një marrëveshjeje.

Më shumë të dhëna për aksionerët e bankave

Rregullorja e bankës vendos si kriter që në fillim të saj se në dokumentacionin e nevojshëm për licencimin e bankës dhe degës së bankës së huaj është e nevojshme që të paraqitet struktura e kapitalit të aksionerit të propozuar, deri në përfituesin e fundit me pjesëmarrje influencuese dhe joinfluencuese në kapitalin e bankës. Në informacionin sipas kësaj shkronje duhet të deklarohen nëse kjo strukturë përmban ose jo aksione të mbajtësit (bearer shares), ose aksioner përfaqësues (nominee shareholder). Më herët në rregullore kërkohej struktura e kapitalit të shoqërisë dhe pjesëmarrjet në shoqëritë në të cilat aksioneri i propozuar zotëron jo më pak se 10%.

Po kështu, ndërsa më herët kërkohej lista e aksionerëve që kanë pjesëmarrje influencuese në shoqëri të tjera. Me ndryshimet në rregullore kërkohen pjesëmarrjet e aksionerit të propozuar në shoqëritë, në të cilat zotëron jo më pak se 10 (dhjetë) për qind të të drejtave të votës (në qoftë se është e aplikueshme), të shoqëruar me një përmbledhje të veprimtarisë/ve që këto të fundit kryejnë.

Për herë të parë sanksionohet se aksionerët influencues duhet të paraqesin të dhënat për veprimtarinë tregtare të shtatë viteve të fundit. “Të dhëna për veprimtarinë tregtare për shtatë vitet e fundit të aksionerit që propozon të zotërojë pjesëmarrje influencuese, si dhe pasqyrat financiare të audituara, të tre viteve të fundit, për çdo aksioner, që tregojnë se natyra dhe burimet financiare të aksionerit të propozuar janë të tilla që mund të sigurojnë mbështetje me kapital shtesë të veprimtarisë së bankës, si dhe evidencën e mjaftueshmërisë së mjeteve monetare në dorë dhe në banka, për pagimin e kapitalit”, thuhet në pikën e riformuluar të nenit 7.

Të gjitha vërtetimet që kërkohen në fazën e licencimit të bankës duhet të kenë një afat lëshimi jo më pak se tre muaj nga koha e paraqitjes së aplikimit në Bankën e Shqipërisë.

Ndër të tjera shtohen edhe kërkesa të reja për dokumentacion, si deklaratën e cila përmban informacion për marrëdhënie pune apo biznesi sipas përcaktimeve ligjore, me persona për të cilët ka dënime penale të formës së prerë (formulari 15), listën e pjesëmarrjeve të tërthorta në kapitalin e bankës, në një vlerë jo më të vogël se 5%, të shoqëruar me informacionin e mëposhtëm: – dokumentin e regjistrimit në regjistrin tregtar si person/a juridik/ë dhe statutin/et e shoqërisë/ve,- dokumentacionin përkatës se nuk ka/në detyrime fiskale të prapambetura për t’u paguar për periudhën më të fundit, – deklaratën noteriale për shlyerjen e rregullt të detyrimeve ndaj të tretëve, – vërtetime, të lëshuara nga organet kompetente sipas juridiksionit përkatës, se: – personi nuk është në ndjekje penale (kur është e aplikueshme),- personi nuk është në gjykim për vepra penale (kur është e aplikueshme), – personi nuk është i dënuar penalisht (kur është e aplikueshme) personi nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera, – ndaj personit nuk kanë filluar procedura të paaftësisë paguese, të falimentimit ose të likuidimit etj.;

Çfarë ndodh kur ka dyshime për lidhje me shoqëri offshore

Rregullorja sanksionon se, në rast se Banka e Shqipërisë konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se struktura e kapitalit apo burimi i tij lidhet me persona për të cilët ka dënime penale të formës së prerë, që kanë lidhje familjare apo marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi sipas përcaktimeve ligjore, me aksionerët e propozuar, apo lidhet me shoqëri të regjistruara në parajsa fiskale ose offshore, njofton dhe kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nëse ka informacion në lidhje me aksionerët e propozuar, si dhe pezullon procedurën e licencimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button