Home / Kryeartikull / Pse Meta u kujtua para Bashës për ta dërguar “Teatrin” në Kushtetuese?

Pse Meta u kujtua para Bashës për ta dërguar “Teatrin” në Kushtetuese?

Kreu i Shtetit ka pritur momentin kur Lulzim Basha dhe Petrit Vasili do të hynin triumfatorë në sallën e Teatrit Kombëtar, për të dërguar ligjin e këtij të fundit në Kushtetuese. Shpejtësia me të cilën Ilir Meta mori dosjen në dorë dhe iu drejtua godinës ngjitur me zyrën e tij tregon se letrat ishin kopsitur me kohë. Në asnjë protestë më parë, Presidenti nuk e ka quajtur turp sjelljen e policisë së shtetit. As kur është hedhur gaz lotsjellës, e as kur janë shoqëruar dhjetëra persona.

Sot ai e shkruajti togfjalëshin “Shumë turp” tre herë, për ta dramatizuar situatën dhe për të justifikuar hapin e tij të radhës, ndërkohë që policia ia kishte hapur derën protestuesve për t’u akomoduar në ulëset e sallës.

Megjithatë, roli i Ilir Metës në këtë histori nuk ka shumë pikëpyetje. Veprimi i sotëm është pjesë e luftës së intensifikuar që ai ka marrë përsipër të bëjë kundër mazhorancës. E thënë ndryshe, tashmë është e zakonshme që çdo ligj a dekret në tryezën e Metës të kthehet a të paditet.

E gjithë pikëpyetja e kësaj historie qëndron tek heshtja e Lulzim Bashës. Teksa Unazën e Madhe ia besoi ish-deputetit Balliu, kreu i PD ia la Teatrin një aleance pa e përfshirë partinë e tij në protestat e përditshme. Së paku jo me emrat e njohur dhe të deklaruar pro saj. Që prej shtatorit 2018 Lulzim Basha nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i kundërshtuar në rrugë ligjore ‘ligjet speciale’ të qeverisë.

Po përse u kujtua Ilir Meta para Lulzim Bashës për ta dërguar ligjin në Gjykatë?

Dy ditë më parë, Partia Demokratike ka thyer heshtjen në një farë mënyrë duke treguar se përse nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Teatrit. Grida Duman në emër të selisë blu ka habitur me argumentimin. Në thelb, Partia Demokratike nuk e ka dërguar ligjin në Kushtetuese sepse mendon që kjo e fundit është e njëanshme. Si rrjedhojë, thotë PD, ne kemi pritur krijimin e Gjykatës së re prej Reformës në Drejtësi, pasi kjo ekzistuesja do ta aprovonte shembjen e Teatrit Kombëtar, pra ligjin e mazhorancës.

Domethënë, Lulzim Basha ka pritur që Teatri të shembet dhe më pas të shpresojë te Gjykata Kushtetuese se mos teatri do çohet sërish në këmbë siç ishte.

Sot e pamë Bashën në sallën e Teatrit si spektator, por mesa duket po luan prej kohësh një shfaqje absurdi, për të mos thënë hileqare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: