Kronika

Masterplani për burgjet, Gjonaj: Rritje e mëtejshme e pagave për punonjësit e policisë

Përmirësimi i sistemit penitenciar përbën një element të rëndësishëm të reformës së përgjithshme penale në Shqipëri dhe kësaj i shërben edhe masterplani për burgjet.

Në prezantimin e masterplanit 4-vjeçar (2019–2022) për sistemin penitenciar, ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj vlerësoi sot se “ky është një dokument strategjik i cili do të shërbejë si një udhëzues për zhvillimin, zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të aktiviteteve të nevojshme për reformën në sistemin e burgjeve”.

“Sistemi penitenciar shqiptar duhet të zhvillohet më tej me synimin parësor rehabilitimin e të dënuarve dhe në të njëjtën kohë të kontribuojë më së miri që të burgosurit e liruar të shmangin rikthimin, duke marrë parasysh praktikat më të mira europiane dhe Rekomandimet e Këshillit të Europës”, tha ajo.

Për një zbatim të suksesshëm, sipas ministres, “është parashikuar që Plani i Veprimit të monitorohet nga një Grup Pune ose një Task Forcë të ekspertëve nga të gjitha institucionet shtetërore, donatorëve të ndryshëm, si dhe të përfshihen institucione apo organizata të tjera në procesin e zbatimit të cilët do të vlerësojnë zhvillimet dhe dinamikën e zbatimit”.

Duke folur për rekrutimin e drejtuesve të rinj të IEVP-ve dhe stafit policor, Gjonaj siguroi se “në të gjitha IEVP-të do të shërbejnë ata që do pasqyrojnë integritet moral, profesional dhe që do jenë të përkushtuar në zbatimin e detyrave funksionale”.

“Duke qenë koshiente që nuk është ende e mjaftueshme rritja e pagave që ju bë punonjësve të policisë së burgjeve me 7% në 1 prill 2019, kemi planifikuar si pjesë edhe e këtij plan veprimi, eskalimin e rritjes së pagave me qëllim barazimin e statusit të policisë së burgjeve me policinë e shtetit në trajtimin financiar. Por duhet mbajmë në konsideratë që është rritja e parë e pagës pas shumë viteve harresë të punonjësve të sistemit të burgjeve”, tha Gjonaj.

Gjonaj theksoi se një ndër vendimet që është marrë tashmë është edhe ndalimi i transferimit të punonjësve të policisë së burgjeve jo më larg se 45 km.

“Paketa ligjore me 5 projektligjet, të cilat janë përgatitur tashmë dhe dy prej tyre janë në diskutim në Kuvendin e Shqipërisë, do të jetë kuadri ligjor që do të garantojnë jo vetëm sistemin e karrierës të punonjësve të burgjeve, por edhe një sërë masash sigurie që kemi ndërmarrë në sistemin penitenciar”, tha Gjonaj.

Lidhjet e subjekteve kriminale me botën jashtë, sipas ministres, kanë qenë një problem i vazhdueshëm por që përfshin edhe çështjet e sigurisë jashtë burgjeve.

“Në forcim të elementëve të sigurisë janë marrë një sërë masash, ku një prej tyre është instalimi i regjimit të posaçëm 41 Bis, nëpërmjet të cilit do të kufizohen subjektet kriminale me rrezikshmëri për të vijuar veprimtarinë e tyre dhe gjatë qëndrimit të izoluar. Aktualisht janë marrë masat për të gjitha aspektet proceduriale administrative dhe logjistike për të vijuar me zbatimin e këtij regjimi. Së bashku me Prokurorinë e krimeve të rënda dhe një sërë institucionesh ligjzbatuese jemi në fazat e para të zbatimit të këtij regjimi”, tha ajo.

Ndërsa sa i takon çështjeve të korrupsionit në sistemin e burgjeve, Gjonaj tha se “kanë qenë një problematikë e theksuar që ka passhoqëruar në mënyrë të vazhdueshme sistemin”.

“Por sado njerëz me integritet të shërbejnë në sistem, nëse vetë sistemi nuk do të përmirësohet duke garantuar transparencë, llogaridhënien, sigurinë do të jetë e pamundur të fitosh betejën me korrupsionin. Për këtë arsye gjatë këtij viti një sërë masash janë marrë në këtë aspekt, me Ngritjen e sallës operacionale e cila bën të mundur monitorimin 24 orë në Institucionet penale apo instalimi i bllokuesve të valëve. Falë mbështetjes buxhetore nga Qeveria shqiptare, por edhe të Ambasadës Britanike, për herë të parë janë të instaluar bllokuesit e valëve në 3 Institucione të ekzekutimit të vendimeve penale. Masa të tjera janë planifikuar në vijim për tu ndërmarrë me qëllim garantimin e sigurisë dhe forcimin e kontrollit në institucionet penitenciare”, tha ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button