Vuçiç nuk tregoi se si donacioni i automjeteve të blinduara ruse iu dorëzua Serbisë, por tha se kjo është bërë “në përputhje me ligjin dhe kontratën e lidhur me atë vend”.

“Ato kanë mbërritur në vendin tonë me gjithë kundërshtimet e disave. Këto na duhen për të ruajtur sovranitetin. Nuk kemi plane për pushtim, këto na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë”, tha Vuçiç. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 27 korrik se marrëveshja ushtarake-teknike me Rusinë po zbatohet sipas afatit. Presidenti Vuçiç e falënderoi Rusinë për donacionin dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

“Tani është në modë të flitet kundër Putinit. Unë nuk dua të jem në modë, përkundrazi dua të jem falënderues ndaj Putinit”, tha presidenti Serb. Ai njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera BRDM-2MS dhe T-72 nga Rusia.