Home / Ekonomia / Rruga e Lumit të Vlorës, vazhdon puna në Lotin 2, përfitimet që sjell projekti

Rruga e Lumit të Vlorës, vazhdon puna në Lotin 2, përfitimet që sjell projekti

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka dhënë së fundmi detaje për një nga projektet më të diskutuara në infrastrukturë siç është rruga e Lumit të Vlorës. Në një njoftim FSHZH bëri me dije se gërmimet për hapjen e trasesë së rrugës në lotin e dytë të Rrugës së Lumit të Vlorës po vazhdojnë intensivisht. Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos do të ofrojë parametra më të mirë të sigurisë.

“Projekti dhe financimi nga qeveria shqiptare, Fondi Kuvajtian si dhe Fondi Saudit krijuan mundësinë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të zbatojë një projekt ambicioz për ndërtimin e një korridori atraktiv prej 94 km dhe lehtësisht të përshkrueshëm, i cili do të lidhë 60 fshatra të zonës, me popullsi mbi 40.000 banorë me qytetin e Vlorës. Duke filluar nga Bypass i Vlorës dhe duke përfunduar në superstradën Levan -Tepelenë, tashmë përmes kësaj rruge do të fitohet një akses me i shpejtë, për në bregdetin e Himarës, Qeparoit dhe Borshit, duke parashikuar që agroturizmi të jetë drejtimi kryesor ekonomik i të gjithë zonës.

E gjithë lugina ka kulturë të pasur, trashëgimia e së cilës fillon nga qyteti antik “Amantia”, vijon  me monumentet e shumta të kulturës si “Shpella prehistorike e Velçës”, “Ura e Bratit”, “Guri me Qiell i Vranishtit” “Shpella e shkruar e Lepenicës”, Buronjat e Kuçit etj, të cilat duke u ndërthurur me burimet natyrore të zonës, rrisin mundësitë për të zhvilluar turizmin kulturor, bregdetar, malor i cili nuk mbetet vetëm në nivelin e kureshtjes disa ditore të eksploratorëve europianë, por në një sistem të mirëfilltë guidash turistike” thuhet në njofitimin e Fondit.

Ndër të tjera vihet theksi në faktin se aksi do të krijojë një lidhje përfundimtare mes fshatrave të Vlorës, si dhe  mes Vlorës e  Himarës, duke i mundësuar që i edhe banorët e Tepelenës dhe qyteteve të tjera që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, të kenë akses të shpejtë në bregdet.

“Pas përfundimit të punimeve për LOT-in i Babicë – Gjorm, tashmë puna po vazhdon në LOT-in II. Projekti për të katër lotet parashikon që qendrat e fshatrave përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës, do të trajtohen si zona urbane në funksion të komunitetit, me vendkalimet e këmbësorëve, elementëve të sigurisë dhe të ndriçimit, ndërtimin e veprave të artit, si dhe gjelbërimit” sqaron FSHZH.

Leave a Reply

%d bloggers like this: