Home / Ekonomia / Fiskalizimi, Denaj prezanton projektin, si do funksionojë aplikacioni për faturat

Fiskalizimi, Denaj prezanton projektin, si do funksionojë aplikacioni për faturat

Ministrja e financave Anila Denaj dhe drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj kanë prezantuar sot projektin e ri për fiskalizimin. Ky projekt  parashikon detyrimin e aplikimit të faturës elektronike dhe regjistrimin e pagesave të faturave pa para në dorë, si një fushë e re dhe deri më tani e parregulluar dhe do të jetë funksional nga viti 2021.

Ministrja Denaj tha se drafti “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”është hedhur sot për konsultim public dhe deri në fund të muajit gusht do të zhvillohen konsultime me bizneset dhe me grupet e interest. “Projekti do përmirësojë administrimin e të dhënave dhe do ulë kostot”, tha ajo. Pritet që ky projekt të ndikojë në rritjen 10-15% të të ardhurave tha Denaj, duke iu referuar dhe Kroacisë, që nisi ta zbatonte këtë model në vitin 2013.

Sistemi i ri i fiskalizimit do të testohet në muajin gusht nga administrata tatimore ndërkohë që ky proces do të ecë paralel edhe me konsultimin e ligjit “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”.

Në tetor pritet që të fillojë projekti pilot me një grup biznesesh, ndërsa muajt e fundit të vitit do të jenë një proces intensiv informimi për bizneset.

Denaj tha se ky ligj synon krijimin e sistemit të ri dhe është një reformë me angazhim madhor që synon minimizimin e nivelit të ekonomisë informale në vend. Ministrja u shpreh e falë raportimit në kohë reale të të dhënave dhe për rrugën që ndjek një produkt nga prodhuesi deri tek konsumatori final do të mund të kontrollohen të gjitha hallkat duke eliminuar abuzimet. “Nuk do të ketë më fshehje të të dhënave ndërkohë që biznesi i drejtë do të jetë përfituesi direkt pasi nuk do të mbajë barrën e biznesit informal. Qëllimi kryesor është lufta e evazionit fiskal dhe sistemi do të jetë gati për testim në muajin gusht” bëri me dije Denaj.

Ky sistem, tha Denaj, do të ndihmojë ndjeshëm në luftimin e evazionit, pasi faturat do të deklarohen në kohë reale dhe do të jenë të detajuara. Ibrahimaj shtoi se ky deklarim i detajuar do të mundësojë një kontroll të zinxhirit të faturave që nga dogana, duke e bërë më të lehtë luftimin e evazionit.

Një element shumë i rëndësishëm në këtë proces do të jetë aplikacioni që do të mundësojë lëshimin e faturave. Ibrahimaj dhe se po punojnë një Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit të prodhojë një aplikacion që do të jetë falas për bizneset. Ky aplikacion mund të shkarkohet falas në çdo pajisje edhe në telefon.

Denaj tha se nuk pritet të sistemi i ri të krijojë kosto shtesë te bizneset, përkundrazi ai do t’ia lehtësojë aktivitetin. Lidhur me kompanitë që aktualisht ofrojnë shërbimin e kasave, Denaj tha se është në dorë të tyre që të përshtasin sistemin.

Denaj shpjegoi se kasat që pranojnë sistemin e ri do të vijojnë normalisht. Për pjesën tjetër është menduar që të ofrohet zgjidhja e printimit të faturës përmes një softueri që paralelisht e raporton atë në Tatime dhe ndërkohë i jepet konsumatorit edhe përmes printimit në një printer fiskal. Aplikacioni do të mund të shkarkohet në telefon ose kompjuter ndërkohë që nga reforma e re do të jenë të përjashtuar ambulantët. Biznesi me xhiro nga zero do të duhet që të pajiset me nënshkrimin elektronik brenda 1 janarit 2020 ndërkohë që gjithë sistemi i ri i fiskalizimit në marrëdhënien biznes konsumator dhe biznes si dhe raportimi i plotë në tatime do të jetë plotësisht funksional në vitin 2021.

Gushti, sipas ministeres, pritet të jetë një muaj i ngjeshur me konsultime, duke shtuar se presin çdo sugjerim nga bizneset dhe grupet e interesit. Ndërsa duke filluar nga viti 2021, në qarkullim do të ketë vetëm E-fatura, tha ajo.

Ligji i ri për faturimin elektronik

Ministria e Financave ka përgatitur projektligjin “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit” si dhe një sërë ndryshimesh ligjore në ligjin për “procedurat tatimore”, për TVSH-në, të cilat synojnë një revolucion në mënyrën se si do të realizohet faturimi i bizneseve, që tashmë do të jenë vetëm elektronike.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, Ligji i ri parashikon detyrimin e aplikimit të faturës elektronike dhe regjistrimin e pagesave të faturave pa para në dorë, si një fushë e re dhe deri më tani e parregulluar.

Me sistemin e ri, bizneset do të lëshojnë vetëm fatura elektronike, ku për subjektet që janë biznes i vogël, procedurat do të jenë më të thjeshtuara. Bizneset duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara dhe sistemi i Administratës Tatimore do të gjenerojë shifrën e operatorit, i cili do të shoqërohet me numrin e tij personal të identifikimit, nëse operatori është person fizik, ose me numrin e identifikimit tatimor, nëse është person fizik që ushtron veprimtari kontabël.

Leave a Reply

%d bloggers like this: