Politika

Meta përgjigjet për vete dhe të tjerët, propozon Rexhep Mejdanin si president!

Presidenti i Republikës Ilir Meta propozon për Kreun e Shtetit emrin e Rexhep Mejdanit. Në daljen e sotme para mediave, Meta tha se 13 tetori është një mundësi për të gjithë ata që mendojnë se Presidenti me qëndrimin e tij ka dëmtuar unitetin e popullit shqiptar dhe iu ka hequr të drejtën qytetarëve shqiptarë të ndëshkohet nga qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe demokratike.

Ai tha se madje në rast se kërkon kryeministri mund të lërë edhe detyrën e Presidentit gjatë fushatës por vetëm me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar e publik është mbi çdo gjë tjetër dhe që nuk e ha shantazhin e presionin, siç është profesor Rexhep Mejdani.

“Ne nuk kërkojmë zgjedhje daneze sepse është një çështje që kërkon kulturë tjetër, kod tjetër dhe nuk krijohet me 20 vite e as 2 vite. Por zgjedhje të standardeve që kemi pasur dhe më të mira e kemi detyrim, përndryshe kemi 0 pikë 0 % mundësi për të çelur negociatat në tetor me BE, mendoj se këtë e dinë mirë të gjithë.
Sa i takon presidentit, ajo që mund të bëjë është shumë e thjeshtë, që ka bërë gjithmonë sa herë vendi ka qenë në situata të tilla të japë shembullin personal. Nuk do bëhen zgjedhje parlamentare më 13 tetor, do bëjmë edhe zgjedhje presidenciale, s’ka asnjë shqetësim bashkë me zgjedhjet vendore. Kjo është një mundësi për të gjithë ata që mendojnë se Presidenti me qëndrimin e tij ka dëmtuar unitetin e popullit shqiptar dhe iu ka hequr të drejtën qytetarëve shqiptarë të ndëshkohet nga qytetarët shqiptarë më 13 tetor me votën e tyre të lirë dhe demokratike. Jo vetëm kaq sepse Presidenti është edhe më i hapur pasi nuk ka frikë nga vota e qytetarëve shqiptarë që në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit gjithmonë duke konkurruar në 13 tetor, përpara qytetarëve shqiptarë por vetëm me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar e publik është mbi çdo gjë tjetër dhe që nuk e ha shantazhin e presionin, siç është profesor Rexhep Mejdani. Kjo është krejtësisht e zgjidhshme.
Unë nuk e kam biseduar këtë çështje me njeri, është një njeri që jam i sigurt ato 2-3 çështje të rëndësisë kombëtare që trajtohen nga kjo zyrë do t’i mbronte ndoshta dhe më mirë se unë. Kështu që mos të bëjmë sikur nuk shohim thellimin e krizës. Marrja e këtyre bashkive në këtë mënyrë nuk është e ligjshme. Nuk ka pasur zgjedhje të ligjshme, kushtetuese, shtetërore më 30 qershor dhe nuk është as e ligjshme të marrësh bashkinë e Kavajës, kamzës, Shkodrës me 6-7% dhe të kesh kontrollin e gjithë administratës së bashkisë, gjithë shërbimeve të bashkisë, të kesh dhe gjithë këshillin, kjo është skandaloze. Sepse këtu bie totalisht sistemi i llogaridhënies dhe kjo nuk dëmton vetëm qytetarët shqiptarë që përkrahin opozitën dhe padyshim që për këtë situatë opozita ka një përgjegjësi historike por penalizon edhe ata qytetarë që kanë votuar PS-në sepse kush do i mbrojë interesat e tyre nga abuzivizmi i kryetarëve që i përkasin vetëm një force politike dhe mund të bëjnë çdo gjë në kushtet e mungesës së një opozite”, deklaroi Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button