Kryeartikull

Soreca s’mund të mbajë kryqin e opozitës shqiptare

Ambasadori e ka ditur, qysh në krye të herës, që kjo deklaratë e tij do të krijonte një furtunë të vogël në gotë të ujit. Sepse Luigi Soreca e ka parë sesa e vrazhdë dhe vulgare di të bëhet politika shqiptare, kur i preken interesat. Soreca ka folur kundër protestave të dhunshme të opozitës, ai ka qëndruar fort në mbrojtje të reformës (për çka mori dhe rrufetë e Presidencës), ai është rreshtuar bashkë me të huajt e tjerë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit. A nuk është mjaft e gjitha kjo, për ta futur edhe atë në “listën e zezë” të opozitës, krah Vlahutinit, Donald Lusë e George Sorosit?!

Ashtu siç kishte ndodhur me paraardhësen e tij kroate, edhe me Luigi Sorecan po konsumohet një gjueti kolektive shtrigash, e cila fillon në Presidencë tek Ilir Meta, vazhdon në zyrën e Lulzim Bashës, Berishës dhe krerëve të tjerë opozitarë, për të përfunduar tek mediat pranë tyre. Është një ndër ato sulme të telekomanduara dhe të seleksionuara me kujdes, për të vënë në pozitë të vështirë zyrtarë të huaj që shërbejnë në Tiranë dhe që Berisha ka nisur t’i quajë “guvernatorë”. Ndoshta i kujtohen kohët kur ishte kryeministër dhe të tjerë “guvernatorë” e quanin burrë shteti, duke i hapur rrugën pasi qeveria vriste njerëzit në bulevard.

Nuk ka asgjë të re në këtë fushatë kundër ambasadorit të BE. Është e njëjta skemë si me kolegun e tij të OSBE, me ambasadorë të SHBA dhe vendeve të tjera, të cilët në një moment të caktuar e kanë parë veten në syrin e ciklonit shqiptar. Por Luigi Soreca s’mund të mbajë mbi supe kryqin e mëkateve dhe gabimeve të opozitës shqiptare. Nuk ka pse ta bëjë këtë gjë, pasi nuk është ai përgjegjësi se përse Lulzim Basha e Monika Kryemadhi e nxorrën opozitën nga gjithçka që kishte dhe që ka lidhje me nocionin e pushtetit dhe të përfaqësimit. Nuk ka as përgjegjësi se përse Presidenti i vendit ka dalë e flet një herë për domatet e papjekura, e një herë për tërmetet që do rrafshojnë Ballkanin. Nuk ka përgjegjësi që sot një segment i politikës është shndërruar në formacion thuajse paraushtarak dhe refuzon çdo spirale dialogu që Soreca dhe të tjerët mundohen të promovojnë sa munden.

Si shumë kolegë të tjerë të tij në periudha të ndryshme kohore, Luigi Soreca është duke përjetuar kostot e të qenit në detyrë në një vend ku klasa politike ka halle shumë bazike, si fjala vjen, frika nga drejtësia apo preokupimi nga humbja e pushtetit. Kjo i bën edhe opozitarët e sotëm që të futen në sherr me organizmat ndërkombëtare, qoftë edhe për ndërtimin e një teatri. Dhe Soreca, ambasadorët e tjerë apo krerët e institucioneve si psh OSBE, duke mos qenë as muratorë, as arkitektë apo gjeometra, e kanë të pamundur t’u vijnë pas lojrave të vogla që luhen në këtë cep të kontinentit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button