Home / Politika / Soreca: Vendimi i tetorit i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE

Soreca: Vendimi i tetorit i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE

Në një intervistë për rrjetin informativ paneuropian, Euronews, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca vlerëson sërish reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në procesin e integrimit, veçanërisht atë në drejtësi, ndërsa kërkon që të vijohet me këtë ritëm për të shpresuar në çeljen e negociatave në tetor.

Megjithatë, ai e vendos theksin te reforma zgjedhore, që thotë se është e rëndësishme që të miratohet.

”Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave, të mos humbasë asnjë moment, të jetë gati për 15 tetorin kur ministrat e BE-së do të marrin vendimin. Raporti i majit i Komisionit Europian tregoi se është bërë një progres kuptimplotë në fusha të caktuara, i mjaftueshëm për hapjen e negociatave. Por, procesi i reformave nuk duhet të ndalet asnjëherë, duhet të vazhdojë. Dhe ka fusha ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë punën, si lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, që është një betejë e përditshme, trafikimi i drogës po ndryshon taktikë në Shqipëri dhe ka nevojë që të ushtrohet trysni te bandat kriminale dhe të mos bëhet diferencë mes drogave të lehta dhe atyre të forta. Pastaj është reforma elektorale.

Është e qartë se zgjedhjet e fundit në qershor treguan se sa e rëndësishme është që elektoratit shqiptar t’i jepet një ligj thellësisht tjetër për çështjet elektorale që ata të mund ta shprehin plotësisht vullnetin e tyre. Reforma në drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit apo në botë. Është një moment kritik, ndaj të gjitha institucionet shqiptare duhet të vazhdojnë të fokusohen, duke marrë parasysh se Eurobarometri i fundit që u publikua nga Bashkimi Europian vetëm pak ditë më parë, vazhdon që ta vendosë Shqipërinë me një distancë tejet të largët në krye të rajonit me 91 për qind të popullsisë që dëshiron të bashkohet me Unionin”, tha Soreca në intervistën për Euronews.

“Vendimi në tetor është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për BE-në, pasi edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit është në pikëpyetje. Vendet e interesuara si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut kanë përmbushur detyrimet, por le të them progres të mjaftueshëm për hapjen e negociatave, jo për t’u bërë anëtar i BE-së. Winston Churchill thoshte se ‘ky është fundi i fillimit’, jo ‘fillimi i fundit’. Unë besoj se Bashkimi Europian duhet të tregojë shumë kujdes kur të marrë një vendim. Është e rëndësishme që shqiptarët, 91% e tyre që përmenda, dhe më herët të vazhdojnë të besojnë në perspektivën e BE-së. Unë jam i sigurt se ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, por BE-ja duhet t’u japë atyre shpresën lidhur me atë që ata kërkojnë”, deklaroi Soreca për Euronews.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: