Kosova

Banka Europiane-Grupi Balfin: 25 milion euro në Fabrikën e Ferronikelit në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Grupi Balfin do të investojnë 25 milionë euro në kompaninë më të madhe prodhuese të Ferronikelit në Kosovë, NewCo Ferronikeli për të mbështetur eficencën e energjisë dhe investimet e efikasitetit operacional, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp.

Ky financim do të rrisë dukshëm konkurrencën e kompanisë përmes masave të marra për të përmirësuar efikasitetin, siç është instalimi i një tharëse minerali, e cila do të zvogëlojë kohëzgjatjen e procesit të shkrirjes së nikelit dhe emetimit të grimcave.

Implementimi i standardeve më të larta mjedisore dhe investimeve moderne energjetike do të bëjnë që emetimet e gazrave serë të kompanisë të ulen me 38,615 ton CO2 në vit. Masat e reja të ndërmarra do ta bëjnë Newco Ferronikelin lider të sektorit duke dëshmuar se si masat e modernizimit mund të kontribuojnë në një të ardhme të qëndrueshme për kompanitë minerare.

E themeluar në vitin 1989 dhe e privatizuar në 2006, Newco Ferronikeli tani është eksportuesi më i madh i Kosovës. Kompania prodhon dhe eksporton rreth 7,000 ton nikel me cilësi të lartë në vit. Ajo përbën afërsisht 40% të eksporteve të vendit dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj privatë. NewCo Ferronikeli, nga viti 2018 është pjesë e grupit Balfin, grupi më i madh i investimeve në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon.

Eric Rasmussen, Drejtori i ekipit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për burimet natyrore, deklaroi me këtë rast: “Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim është shumë e lumtur të mbështesë investimin strategjik të Balfin për të ringjallur Ferronikelin, i cili është i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për komunitetin lokal. Financimi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit, e cila do të lejojë që Ferronikeli të bëhet një eksportues konkurrues.”

Samir Mane, President i Grupit Balfin shprehet: “Balfin është krenar që po vijon historinë e gjatë të bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në të gjitha shtetet kryesore ku ne jemi prezentë. Investimet që ne po bëjmë në NewCo Ferronikeli do të sigurojnë që kompania të mbetet një prodhues konkurrues i nikelit në ekonominë globale dhe të vazhdojë të sigurojë punësim të konsiderueshëm në Kosovë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button