Politika

Lëvizja, Kuvendi fut në axhendë amendamentet e PD-së për rregulloren

grupi-pd-320x204Amendamentet

Nisma e Bylykbashit futet në kalendarin e punimeve

Nga Herion Mesi

Disa ditë pas tryezës së thirrur nga Presidenti i Republikës për reformën në drejtësi, tryezë në të cilën mazhoranca dhe opozita u përfaqësuan në nivel kryetarësh dhe e cila dha sinjalet e para të një komunikimi normal mes dy kampeve politike, mazhoranca jep sinjalin e radhës për konsensus. Një lëvizje surprizë e së majtës që synon futjen e opozitës brenda shinave institucionale është ndërmarrë së fundmi. Në kalendarin trejavor të punimeve parlamentare, Kuvendi në seancën plenare të së enjtes ka përfshirë dhe kërkesën e demokratëve për rishikim të Rregullores së Kuvendit, e cila pritet të shqyrtohet brenda këtij muaji. Konkretisht, bëhet fjalë për kërkesën që deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka depozituar rreth 9 muaj më parë pranë Këshillit të Rregullores dhe Mandateve në Kuvend, ku i propozon këtij Këshilli ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, ku propozon që përfaqësuesi i PD-së të ketë kohë të barabartë të foluri me Kryeministrin gjatë debateve në seancat plenare.

Konsensusi

Me përfshirjen e kërkesës së demokratëve të axhendës parlamentare, mazhoranca duket se po i bën sërish apel opozitës që të rikthehet në Kuvend, të paktën për të mbrojtur një kërkesë të bërë nga vetë ajo dhe të mos braktisë kauzat e saj. Shqetësimi për bojkotin e opozitës dhe apeli për rikthim të sajin në Kuvend erdhi pak ditë më parë edhe nga Komisioni Europian, i cili në raportin vjetor të progresit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE ishte dhe shqetësimi kryesor i faktorit ndërkombëtar. Tashmë tryeza e radhës e reformës së drejtësisë që do të organizohet nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, merr një rëndësi të veçantë, ku pritet që përfaqësuesit e opozitës të jenë në këtë tryezë, dhe nga ku do të jepen dhe sinjalet e radhës nëse do të ketë një rikthim të opozitës në aktivitetet parlamentare, apo do të vijojë qëndrimin e saj bojkotues ndaj Parlamentit.

Kërkesa e PD-së

Demokratët, tashmë në opozitë, përmes një amendamenti në Rregulloren e Kuvendit kërkojnë që kryetari i grupit ose një përfaqësues i tyre të ketë kohë të barabartë të foluri me Kryeministrin, sa herë që ky i fundit ndërhyn në diskutime. Demokratët e bazojnë kërkesën e tyre në atë që njihet si parim “par kondicio”, parim ky që sipas tyre lidhet me funksionin e formimit të vullnetit politik, që nënkupton ndër të tjera përplasjen e vullneteve politike të forcave të ndryshme parlamentare, Kuvendi duhet të udhëhiqet nga parimet kryesore të shtetit të së drejtës, një nga të cilat është edhe domosdoshmëria e respektimit të parimit par condicio. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka theksuar funksionin e formimit të vullnetit politik në Kuvend. Gjithashtu, Partia Demokratike nuk mendon se po kërkon një të drejtë që dikur kur ishte në pushtet nuk ia dha pakicës. Por, sipas tyre, sot sfondi parlamentar e politik është tjetër. Përveçse mazhorancës së cilësuar që ekziston në Kuvend, dorëzimi i mandateve nga ministrat ka krijuar një realitet të ri politik, ndonëse jo antiligjior apo antikushtetuese. Tashmë ministrat e kabinetit “Rama” kanë dhënë dorëheqjen dhe nëse më parë fjala e ministrave-deputetë është llogaritur si kohë e grupit parlamentar, tani ministrat kanë fjalën e tyre që u garanton neni 80 i Kushtetutës, pa i marrë kohë grupit parlamentar. Parimisht, sipas demokratëve, zëri i opozitës rezulton dhe më i zvogëluar, ndaj kjo është një tjetër arsye për ta që i ka motivuar të kërkojnë ndryshimin e Rregullores, në mënyrë që të paktën kur flet Kryeministri një përfaqësuesi i tyre të kundërpërgjigjet me të njëjtën kohë të foluri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button