Home / Kryeartikull / Duhet Shqipëria të gatitet strategjikisht për një epokë post-BE?

Duhet Shqipëria të gatitet strategjikisht për një epokë post-BE?

Nga Fatos Tarifa

Ideatorët dhe arkitektët e Bashkimit Europian e dinin se ëndrra dhe dëshira e tyre për krijimin e një Europe të Bashkuar nuk do të mund të realizoheshin dot as lehtë dhe menjëherë, sipas një plani të vetëm, as në mënyrë të përsosur. Ata parashikuan se bashkimi i Europës do të kryhej gradualisht, hap pas hapi, fillimisht përmes integrimit të ekonomive të vendeve europiano-perëndimore dhe, më vonë, përmes integrimit social dhe unifikimit politik të këtyre vendeve.

Askush nuk e vë në dyshim faktin që unifikimi europian ka bërë një progres shumë të madh qysh nga fillimet e pasigurta të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse Robert Schuman, Jean Monnet, Alcide De Gasperi apo Konrad Adenauer do të jetonin sot të shihnin thellësinë në të cilën janë integruar ekonomitë dhe politikat e vendeve europiane, si edhe hapësirën gjeografike në të cilën është zgjeruar komuniteti europian i ëndrrës së tyre, ata, me siguri, do të habiteshin me suksesin e projektit që ata ideuan.

Por, stadi në të cilin gjendet sot Bashkimi Europian dëshmon, ndoshta, edhe kufijtë e suksesit të projektit të tyre, përtej të cilit integrimi europian nuk mund të shkojë dot.

Dështimet e herëpashershme të iniciativave politike të BE-së, (siç ishte, ndër të tjera—dhe më kryesori—dështimi i përpjekjeve për miratimin e Kushtetutës Europiane në vitin 2005), mungesa e një politike të jashtme të përbashkët, e një politike të përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë, deficiti demokratik dhe kriza e legjitimitetit të institutioneve të BE-së, marrëdhëniet e vështira mes vendeve qendrore, ekonomikisht më të zhvilluara e më të pasura të Bashkimit Europian, dhe vendeve periferike, kriza e Eurozonës, dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, vështirësitë reale dhe mungesa e vullnetit të disa prej vendeve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në lindje të kontinentit dhe, veçanërisht, gabimet e përsëritura të Brukselit në marrëdhëniet e tij me Turqinë—të gjitha këto, më bëjnë të mendoj se Bashkimi Europian po përjeton sot krizën më të rëndë që nga krijimi i tij, e cila është jo vetëm një krizë financiare, por edhe një krizë politike, institucionale, një krizë besimi—të gjitha këto sëbashku—me fjalë të tjera, një krizë sistemike, nga e cila do ta ketë të vështirë, në mos edhe të pamundur, që të dalë.

Edhe nëse ky përfundim mund të tingëllojë shumë pesimist, parashikimi i mësipërm nuk është krejt i pajustifikuar.

Unë nuk dëshiroj të quhem një “europesimist” por, ndërsa shoh se sa pak të motivon Bashkimi Europian i sotëm për të qenë optimist, them se qëndrimi im për të ardhmen e BE-së është eurorealist. Dëshira më e madhe që kam është, natyrisht, që në kontinentin tonë të bien edhe ato barriera të fundit që i ndajnë vendet europianë nga njëri-tjetri, përfshirë edhe të gjithë vendet e Ballkanit dhe Turqinë, për të krijuar një Europë vërtet të bashkuar, apo “Shtetet e Bashkuara të Europës” që ëndërronte Viktor Hygo 150 vite më parë.
Vizioni i Hygo-së për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, si një formacion ndërshtetëror, që përveçse do të kishte një monedhë të përbashkët, do ta shndërronte kontinentin europian në një fuqi të madhe, sado i iluminuar që është, nuk ka gjasa të materializohet në një kontinent, i cili, pavarësisht paqes së gjatë dhe prosperitetit të arritur qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vuan një krizë strukturore, një krizë legjitimiteti dhe, ipso facto, dëshmon deficitin demokratik të Bashkimit Europian.

Skepticizmi i publikut europian vazhdon të shoqërohet nga një bateri kritikash, të cilat u adresohen, kryesisht, mënyrave se si administrohet Bashkimi Europian dhe se si merren vendimet në Bruksel. Një pjesë e madhe e kritikave ndaj BE-së fokusohen në atë dukuri, e cila prej kohësh cilësohet si “deficit demokratik” i BE-së, si dhe në mungesën e legjitimitetit (apo në krizën e legjitimitetit) të institucioneve të BE-së.

Për shkak se, në disa aspekte, BE i ngjan një organizate ndërkombëtare, ndërsa në aspekte të tjerë i ngjan një shteti federal, pa qenë as njëra, as tjetra prej tyre, natyra dhe shkalla e legjitimitetit të tij kanë qenë dhe janë të kontestueshme.

***
Nëse integrimi europian nuk thellohet në drejtim të federalizimit të Europës, mund të ndodhë që pesha dhe roli i kontinentit tonë në ekonominë dhe në politikën globale të bien përballë Amerikës, Kinës dhe fuqive të tjera që po ngrihen dhe BE të shndërrohet në një superfuqi vetëm në fushën e të drejtave të njeriut.

Në fakt, nëse Bashkimi Europian do të ishte një shtet i vetëm, bota e sotme mund të ishte dypolare. Por që BE të krijojë një balancë fuqie në sistemin global, atij i duhet të suspendojë balancën e pushteteve brenda tij, çka do të thotë heqje dorë nga—apo minimizim i—sovranitetit kombëtar të çdo vëndi të veçantë anëtar, pasi roli i liderit global kërkon një proces vendimmarrjeje që të jetë koherent, efektiv dhe i shpejtë për t’iu përgjigjur krizave që mund të krijohen dhe sfidave që mund lindin në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Një gjë e tillë—aktualisht dhe për një kohë të gjatë—duket se do të jetë e pamundur për BE-në, aë cilës, në fushën e politikës së jashtme, i mungon ajo çfarë Robert Schuman e quante “solidaritet de facto”. A mund të përfytyroni dot, qoftë edhe për një çast, një Bashkim Europian, në të cilin Franca dhe Gjermania të bashkojnë kapacitetet e tyre ushtarake konvencionale dhe kjo e fundit—Gjermania—për shkak të përmasave dhe potencialeve të saj, të kërkojë të luajë një rol ushtarak dominant, ndërsa të gjithë vendet e tjerë anëtarë të heqin dorë nga sovraniteti i tyre kombëtar?

Testi sociologjik më i qartë për nivelin kombëtar të lidhjeve komunitare është se njerëzit janë të vendosur që të japin edhe jetën për kombin e tyre. Në mungesë të një identiteti dhe të një patriotizmi europian, askush në Europë (asnjë gjerman, asnjë sllovak, asnjë irlandez dhe asnjë grek) nuk ka vullnetin të vdesë për Bashkimin Europian.

Në vend që të ushqejnë iluzione mbi një Europë të bashkuar, si një projekt postmodern dhe si liderja e ardhshme e globit, europianët duhet të pranojnë realitetin e një Europe të përbërë nga shtete të pavarur kombëtarë, ku BE vazhon të luajë një rol, por ama një rol dytësor në përcaktimin e fateve politikë të kontinentit.

Në fakt, shumë prej vendeve BE-së janë në prag të një situate të tillë, në të cilën ata po humbasin madje edhe kapacitet bazë për mbrojtjen e sigurisë së tyre kombëtare. Kjo po ndodh në një kohë kur, vetë Amerika, e cila për më shumë se 70 vite me radhë ka qenë dhe mbetet garantuesja kryesore e sigurisë europiane, po ndeshet sot me vështirësi të mëdha që rezultojnë si nga rritja e deficitit të saj buxhetor, ashtu edhe nga tejshtrirja e forcave të armatosura të saj thuajse në çdo skaj të globit.

Për këtë arsye, Uashingtoni i nxit vendet europianë që të marrin përsipër dhe të përballojnë barrën financiare dhe përgjegjësitë që u takojnë. Sidoqoftë, kriza e fundit financiare dhe ekonomike duket se e ka bërë më të vështirë për Brukselin të orkestrojë përpjekjet e bashkuara të vendeve anëtarë të BE-së, sidomos kur është fjala për formulimin e një politike të përbashkët të mbrojtjes dhe të sigurisë kolektive në Europë.

***
Për BE-në dhe të ardhmen e saj një problem i madh dhe një dhimbje koke e përhershme ka qenë dhe mbetet Turqia. Brukseli nuk duhet ta shohë me shqetësim anëtarësimin e Turqisë në BE, por si një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian.

Me popullsinë e saj 83 milionëshe dhe shumë të re në moshë, me tregun e saj dinamik, me ushtrinë më të madhe (pas Amerikës) ndër të gjitha vendet e NATO-s, me pozitën gjeografike dhe influencën e saj në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Azinë Qendrore, Turqia do ta forconte Bashkimin Europian, do t’i jepte atij një peshë më të madhe gjeopolitike dhe një rol më të rëndësishëm në politikën globale.

Por, përballë qëndrimit dyfaqësh të Bashkimit Europian, Turqia ka kohë që e ka ridimensionuar politikën e saj të jashtme, duke zëvendësuar sloganet emocionale me një realpolitik. Kjo është qartazi në interes edhe të Moskës, edhe të Teheranit, fërkimet e vazhdueshme të të cilëve me Brukselin dhe Uashingtonin janë bërë tashmë një tipar esencial i politikës globale. Duke qenë se Azia Qendrore me siguri do të jetë, në një të ardhme jo të largët, rajoni i konflikteve më tronditëse, në të cilin do të konvergojnë interesat e fuqive të mëdha të globit, është në interesin e Uashingtonit dhe të Brukselit që t’i japin Turqisë çdo përkrahje, për ta mbajtur atë në krahun e Perëndimit demokratik, duke e pranuar në Bashkimin Europian si një vend anëtar me të drejta të plota.

***
Po vendi ynë? Përballë realiteteve si ata që përmenda më sipër, narrativa e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe retorika e stërlodhshme e çdo qeverie shqiptare, në këta 20 vitet e fundit, për vendin e merituar të Shqipërisë në gjirin e “familjes europiane” dhe, së fundmi, për çeljen e negociatave me Brukselin, janë një narrativë dhe një retorikë që më shumë u shërbejnë interesave të partisë në pushtet sesa përparimit real të vendit në rrugën e integrimit në BE.

Dhjetë vite më parë, në librin tim Europa e pabashkuar (2009), kam artikuluar këtë ide: “Fati i Shqipërisë në marrëdhëniet e saj politike me Europën është shumë ironik. Në një farë kuptimi mund të thuhet se raportet e Shqipërisë me Europën në këta gjashtë shekujt e fundit janë kushtëzuar nga marrëdhëniet e saj me Turqinë.

Sado paradoksale të duket, nuk duhet të çuditemi nëse ndodh që, ashtu si dikur Shqipëria u nda nga pjesa perëndimore e Europës për shkak të Turqisë osmane, në të ardhmen ajo të pranohet në BE bashkë me Turqinë europiane, në mos edhe për shkak të saj”.

Edhe nëse ky parashikim nuk qëndron dhe Shqipëria vazhdon udhëtimin e saj drejt Brukselit pa, ose pavarësisht Turqisë, ka shumë të ngjarë që vendi ynë të mos mbërrijë në destinacion. Për arsyen e thjeshtë, të cilën e kam vënë në dukje edhe më parë, se ndërkohë që ne bëhemi gati të anëtarësohemi në BE, vetë Bashkimi Europian mund të mos jetë më.

Me këtë perspektivë—jo krejt të pamundur në gjykimin tim—ajo që Shqipëria duhet strategjikisht të bëjë është që të mendojë e të përgatitet për një epokë post-BE, në të cilën fati i saj dhe i popullit të saj do të jetë në duart e vetë shqiptarëve dhe të askujt tjetër.

Leave a Reply

%d bloggers like this: