Bota

Vdekja e britanikut, nga alkooli, jo nga Ebola

ebo-320x213Lajmi konfirmohet nga ISHP pas rezultatit të analizave të bëra në Gjermani

Zyrtarisht mësohet se shtetasi britanik, i cili humbi jetën tri ditë më parë, në spitalin e Shkupit në Maqedoni, nuk ishte i prekur nga virusi Ebola, siç edhe u dyshua. Analizat e bëra nga shërbimet shëndetësore në Gjermani, kanë dalë në përfundimin se i ndjeri, Xhefri Kolin, nuk vdiq nga Ebola, por nga konsumi i tepërt i alkoolit. Lajmi konfirmohet nga autoritetet shëndetësore të Maqedonisë, nëpërmjet një bisede telefonike me drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu, sipas të cilëve, analizat e kryera për rastin e dyshuar me Ebola, kanë rezultuar negative. “Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu, ka zhvilluar sot (dje), një bisedë telefonike me drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni, Shaban Memeti, i cili i ka konfirmuar se analizat e kryera për rastin e dyshuar me Ebola në këtë vend, kanë rezultuar negative. Z. Memeti e ka informuar drejtorin e përgjithshëm të ISHP-së, se është vërtetuar se shtetasi britanik Xhefri Kolin, i cili ka humbur jetën pak ditë më parë, nuk ka qenë i prekur nga Ebola”, sqarohet në njoftimin zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tij, pas rezultatit të analizave, autoritetet shëndetësore në Maqedoni kanë ndërprerë karantinën në qendrën klinike, përkatësisht në repartin për sëmundjet infektive, si edhe karantinën për personat që gjendeshin në hotelin ku kishte qëndruar shtetasi britanik, përpara se të shfaqte simptoma të dyshimta, të ngjashme me ato të virusit Ebola. Megjithatë, pavarësisht se tanimë situata është qetësuar si në Maqedoni edhe në vendin tonë, pas bërjes me dije të këtij lajmi, që përhapi panik mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore të këtyre dy shteteve, Instituti i Shëndetit Publik thekson zyrtarisht se strukturat shëndetësore do të jenë të angazhuara dhe në gatishmëri të plotë për një survejancë sa më aktive. “ISHP-ja është e angazhuar për të vazhduar me masat, që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe aktorë të tjerë, ka ndërmarrë për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së këtij virusi në Shqipëri”, sqarojnë burime zyrtare në ISHP.

Simptomat që i morën jetën shtetasit britanik ishin të ngjashme me ato të virusit Ebola, për rrjedhojë dyshimet shkaktuan panik tek autoritetet maqedonase, njëherësh në vendin tonë, të cilët kanë ngritur grupet pune, për të pasur nën kontroll çdo rast apo lëvizje të dyshimtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button