Në rregullat e aplikimit, kriter kryesor është të jesh i vërtetë e të mos manipulohen apo fshihen fakte dhe të dhëna. Por, rasti i Agron Selmanit vërtetoi se nëse dikush përpiqet të gënjejë apo mashtrojë Ambasadën Amerikane, e pëson dhe ëndrra shuhet përgjithmonë.

Për Agron Selmanin, i cili u arrestua sapo doli nga Ambasada Amerikane, ku ishte paraqitur për të dhënë intervistën për të marrë vizën, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg. Gjyqtari Sokol Tona vendosi ta lërë në burg, deri në përfundim të hetimeve 41-vjeçarin Selmani, i cili akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve shkollore”.

Ishte Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS që zbuloi se mes dokumenteve që kishte dorëzuar për të marrë vizën përmes lotarisë, Selmani kishte edhe një diplomë të shkollës së mesme “Jordan Misja” në Shkodër. Diploma rezultoi se ishte false, pasi Selmani nuk kishte qenë asnjëherë në këtë shkollë.

Mësohet se prokuroria i është paraqitur gjykatës me dy kërkesa të ndryshme. Ditën e djeshme në sekretari u dorëzua kërkesa që Selmani të lihej në arrest shtëpie, e ndërsa në seancën e sotme kërkesa ishte për arrest me burg, kërkesë kjo që u pranua më pas nga gjykata. Ky është rasti i dytë që zbulohet brenda këtij muaji, dhe që konsiderohet një krim i rëndë në SHBA, dhe që parashikohet si vepër penale edhe në Kodin Penal shqiptar.