Bota

Ndikimi i Macronit në botë – a është ai superdiplomati i ri?

Në një fjalim para ambasadorëve francezë, Presidenti Francez përshkruan parimet themelore të politikës së tij të jashtme. Pretendimi i ri i Francës për udhëheqje. Në rast nevoje, edhe pa Berlinin.

Kështu dhe jo ndryshe duhet të jetë politika e jashtme e Francës. Për këtë Emmanuel Macroni nuk lë asnjë dyshim. “Habitëse, e guximshme, e fokusuar”. Kështu e përshkruan ai atë para ambasadorëve francezë, të cilët tradicionalisht vijnë personalisht për disa ditë në fund të gushtit te shefi, për të akorduar melodinë politike të Elysees pas pushimit të verës.

Me besim në vete dhe sovran

“Siguri, sovranitet, ndikim”, për jo më pak se kaq do të luftojë Franca. Toni është përcaktuar. Aftësia diplomatike e Francës në vendpushimin bregdetar francez Biarritz nuk duhet të mbetet një incident i izoluar. Me aftësinë krijuese të sapoprovuar, Paris nuk dëshiron ta ndjekë pas situatën në botë, por ta ndikojë atë me vendosmëri. Dhe kjo përfshin një diplomaci franceze që e bën të qartë për Macronin guximin. Që e sjell ministrin e Jashtëm të Iranit në takimin e G-7-ës.Takimi i fundit në Biarritz është projekti që do të shpallë Parisin në të ardhmen për një diplomaci të zotën. Është një pavarësi e re e politikës së jashtme franceze, ajo që kërkon presidenti francez.

Jo vetëm për Francën, por edhe për Evropën. Që prej ardhjes së administratës Trump, ky përfundim nuk është sigurisht asnjë lajm përtej Atlantikut. Por Emmanuel Macroni kritikon zbatimin e dobët deri tani në Evropë. Por tani, si mikpritës krenar i takimit të G7-ës, të cilin ai e kaloi pa gabime të mëdha, ai dëshiron ta shpërndajë projektin francez kudo në Evropë, projekt mbi të cilin shkruhet: guxim dhe sovranitet: “Ne kemi shumë aleatë”, thotë Macroni, por, thotë ai në në drejtim të SHBA “Ne nuk jemi një shtet aleat që supozon automatikisht se armiqtë e partnerëve tanë duhet të jenë gjithashtu armiqtë tanë”.

Mesazhi është i qartë. Parisit nuk i duhet të pyesë askënd se si, kur dhe me kë dëshiron të zgjidhë konfliktet. Franca është e detyruar dhe duhet t’ia lejojë vetes, thotë Macroni fjalë për fjalë, “guximin” për të folur me këdo: prurja me shumë vetëbesim në tryezë e ministrit të Jashtëm iranian Jawad Sarif kishte qenë hapi vendimtar, thotë Macroni, për ta shtensionuar situatën midis Iranit dhe SHBA.

Shtetet e guximshme shkojnë në parajsë – të guximshmet kudo

Frankreich Macron Rede bei der jährlichen Botschafter-Konferenz (Getty Images/AFP/Y. Valat)

Roli i ndërmjetësit ndërkombëtar, thotë Macroni, duhet të bëhet roli kryesor i Francës. Diplomacia në nivelin më të lartë. “Kjo është ADN-ja jonë”, i inkurajon ambasadorët e tij që përfaqësojnë interesat e Francës në të gjithë botën. Naiviteti dhe shumë pak iniciativë vetjake nga ana e shteteve evropiane ka bërë që Evropa t’i shikojë vetëm si vëzhguese konfliktet, të cilat në fund të fundit kanë të bëjnë edhe me sigurinë e saj. Si shembull, ai citon konfliktin midis SHBA dhe Rusisë dhe braktisjen e Marrëveshjes së INF. Evropa e shikon e pafuqishme këtë aktivitet të rrezikshëm.

Rimarrja e kontrollit. Kjo është ajo për të cilën e ka fjalën Elysée. Jo vetëm në fusha të ndjeshme, siç janë siguria dhe mbrojtja, Macroni kërkon sovranitet, por edhe në infrastrukturën digjitale. Shumë përparësi ka humbur këtu, përballë SHBA dhe Kinës. P.sh. për 5G. “Le të mos e fajësojmë Kinën që është inteligjente, le të pranojmë se ishim budallenj,” është akuza e Macronit për Evropën. Është një fjalim këmbëngulës, në të cilin kreu i shtetit francez kërkon veprime jo vetëm nga vendi i tij, por nga të gjithë partnerët evropianë.

Jo administrim, jo vëzhgim. Të veprojmë vetë, duke bashkëvendosur në mënyrë aktive rrjedhën e historisë. Kina dhe Rusia po zënë hapësirën e lënë nga Evropa, paralajmëron Macroni: “Po të mos e bëjmë ne, do ta bëjë dikush tjetër në vendin tonë”. Ky është mesazhi kryesor i Macronit në fjalimin e tij prej dy-orësh për ambasadorët francezë në Paris.

Një thirrje zgjimi

Është një thirrje zgjimi për më shumë guxim evropian. Po, për më shumë fantazi evropiane. Francën ai e sheh në krye të këtij procesi, si forcën shtytëse. Për të kjo është pjesë e arsyes së ekzistencës së shtetit: shtetet, sipas Macronit, janë kalimtare, “po të mos ndërhyjmë, eleminojmë veten”, paralajmëron ai. Zhgënjimi i Francës që Gjermania nuk i është përgjigjur thuajse asnjërit prej propozimeve të tij reformatore për një zgjim të ri evropian është ende i madh. “Po të bëjmë gabime, kur diçka nuk funksionon – kjo nuk është gjëja më e keqe. Më e keqja është të mos e provosh”, u shpreh Presidenti. Një goditje e qartë rrëshqanthi në drejtim të Berlinit.

Këto linja të mëdha të politikës së tij të jashtme franceze nuk janë të reja. Të bie në sy që këtë herë ai nuk e përmend Gjermaninë si partnere. G7-ën Macroni e përdori për të luajtur duke rrezikuar dhe për ta vendosur Francën në rolin e kryediplomatit në botë. Pa koreografi gjermano-franceze. Veprën e tij diplomatike ai e gdhendi i vetëm para publikut botëror.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button