Home / Bota / Uashington: Gazetari i dytë padit në gjykatë administratën Trump

Uashington: Gazetari i dytë padit në gjykatë administratën Trump

Pezullimi këtë muaj nga Shtëpia e Bardhë të akreditimit të një gazetari, po kritikohet nga mbrojtësit e lirisë së shtypit. Ata thonë se ky është një shembull i përpjekjeve të administratës së Presidentit Donald Trump për të heshtur gazetarët dhe zërat e tjerë kritikë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, pezulloi për 30 ditë kredencialet e korrespondentit të revistës Playboy, njëkohësisht edhe analist i kanalit CNN, Brian Karem. Masa u mor pasi në përfundim të një takimi për mediat sociale, zoti Karem u përfshi në një shkëmbim me tone të larta me ish-këshilltarin e Presidentit Trump, Sebastian Gorka, i cili drejton një emision radiofonik.

Ky është rasti i dytë që Shtëpia e Bardhë tërheq akreditimin e një korrespondenti, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të denigrojë organet mediatike duke i quajtur ato “fake news” dhe “armiq të popullit”, duke inkurajuar kështu edhe mosbesimin tek mediat.

Nëntorin e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e pazakontë për epokën moderne, të heqjes së kredencialeve për korrespondentin e kanalit CNN, Jim Acosta, vetëm pak orë pasi ai pati një shkëmbim sfidues me Presidentin Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Pasi kanali CNN paditi në gjykatë administratën Trump, një gjykatës federal urdhëroi rikthimin e kredencialeve të shtypit për zotin Acosta, duke vendosur se pezullimi kishte shkelur të drejtën e tij për një proces të rregullt.

Tashmë, zoti Karem ka paditur Presidentin Trump dhe zëdhënësen Grisham, për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese, dhe i kërkoi gjykatës federale në Uashington që t’i rikthejë kredencialet e tij të akreditimit. Gjykatësi Rudolph Contreras, shprehu pakënaqësinë e tij për sjelljen e zotit Karem, por edhe për standartet e Shtëpisë së Bardhë për heqjen e kredencialeve të tij. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën, Gjykatësi tha se do të jepte një vendim ndoshta që ditën e premte.

“Siç provoi ky rast, natyra e gazetarisë ka ndryshuar shumë”, tha Gjykatësi Contreras. “Po përpiqem të kuptoj se ku ndodhet kufiri”.

Ndërkaq, juristët e Departamentit të Drejtësisë që përfaqësonin Shtëpinë e Bardhë i quajtën e veprimet e zotit Karem “qartësisht të papranueshme” dhe mbrojtën procedurën e ndjekur për heqjen e akreditimit të tij si “transparente, të mirëmenduar dhe të kujdesshme”. Gazetari veteran tha se ishte piketuar nga Shtëpia e Bardhë për shkak të mbulimit të tij kritik të administratës dhe pyetjeve të hapura për Presidentin Trump.

“Ata vetëm duan të më ndëshkojnë”, tha zoti Karem në një intervistë për Zërin e Amerikës. “Duan të më ndëshkojnë pasi nuk u pëlqejnë ato që unë shkruaj. Që nga fillimi i kësaj administrate unë kam shkruar mbi 100 artikuj dhe i kam drejtuar pyetje shumë të drejtpërdrejta Presidentit. Nuk mendoj se i pëlqejnë pyetjet e mprehta dhe nuk mendoj se atij dhe stafit të tij i pëlqejnë artikujt e mi”.

Nora Benavidez, drejtore për programet për shprehjen e lirë në SHBA, në organizatën PEN America, gjithashtu po e padit administratën Trump dhe paraqiti këtë javë një raport në mbrojtje të padisë së zotit Karem. Ajo thotë se pezullimi i kredencialeve është pasqyrë e trajtimit nga Shtëpia e Bardhë të zërave disidentë.

“Është një shembull i përpjekjeve për të vendosur në objektiv gazetarët që i drejtojnë pyetje të vështira Shtëpisë së Bardhë dhe që janë ndoshta kërkues dhe që dëshirojnë ta mbulojnë Shtëpinë e Bardhë në mënyra që nuk i pëlqejnë Presidentit”, thotë zonja Benavidez. “Ky vetë është diskriminim dhe shkelje e Amendamentit të Parë”.

Shtëpia e Bardhë i refuzon këto akuza.

“Realiteti është se trupa e gazetarëve e Shtëpisë së Bardhë është e përbërë nga gazetarë që drejtojnë pyetje agresive Presidentit dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë; një pjesë e mirë e tyre janë jashtëzakonisht kritikë ndaj Presidentit dhe politikave të tij”, shkruhet në dokumentin e juristëve të Departamentit të Drejtësisë, në përgjigje të padisë së zotit Karem, e cila u paraqit në datën 20 gusht.

58-vjeçari Brian Karem është një gazetar me eksperiencë i medias së shkruar dhe asaj televizive, një aktivist i vetëdeklaruar i Amendamentit të Parë, i cili ka bërë edhe burg për shkak se refuzoi të zbulonte burimin e të dhënave konfidenciale. Gjatë dy viteve që ka punuar si korrespondent i Shtëpisë së Bardhë për revistën Playboy, ai është shndërruar në një figurë të debatueshme në trupën e gazetarëve, i lavdëruar nga mbështetësit për drejtimin e pyetjeve hulumtuese Presidentit Trump dhe zyrtarëve të administratës, ashtu siç edhe kritikohet nga të tjerë për stilin e tij të tepruar agresiv.

Leave a Reply

%d bloggers like this: