Home / Politika / Bashkë me vjeshtën vijnë edhe protestat

Bashkë me vjeshtën vijnë edhe protestat

Bashkë me vjeshtën pritet që të hyjë edhe stina e re e protestave të opozitës. Gjatë muajit gusht, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do t’u rikthehet tubimeve para godinës së Kryeministrisë me të nisur sesioni i ri politik.

Për organizimin e këtyre protestave, PD pritet që të mbledhë në ditët e para të javës që po vjen strukturat drejtuese. Protestat do të jenë të parat pas dorëzimit të bashkive në duart e socialistëve, që i fituan në zgjedhjet e kontestuara të 30 qershorit.

Vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha e paralajmëroi rikthimin në shesh kundër Edi Ramës në përfundim të takimit që pati me Katja Leikert, nënkryetaret e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman.

“Së bashku me qytetarët shqiptarë, opozita, përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikojnë e parathonë protesta edhe më të fuqishme”, deklaroi Basha.

Protesta e fundit kombëtare e opozitës së bashkuar u mbajt pas 30 qershorit. Basha mblodhi drejtuesit e degëve të partisë dhe kryebashkiakët e djathtë për të përcaktuar rrugën me anë të së cilës opozita do t’i kundërvihej Edi Ramës. Sipas burimeve të gazetës “Si”, në këtë mbledhje Lulzim Basha nuk ka folur për protesta. Por, presioni i kryebashkiakëve demokratë e detyroi që të përcaktonte 8 korrikun si protestën e radhës kombëtare.

Që prej asaj date, opozita nuk ka zhvilluar më protesta masive, por protestoi në Devoll, Kavajë, Lezhë dhe Shkodër kundër konstituimit të organeve të reja të pushtetit vendor të dala nga 30 qershori. Tani, Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës premtojnë që bashkë me vjeshtën hyn edhe stina e protesta edhe më masive se më parë.

Por, çfarë ka ndryshuar nga korriku deri më tani? As Basha dhe as drejtuesit e tjerë kryesorë të demokratëve nuk morën pushime të zgjatura këtë verë. Ata u përqëndruan në denoncimin e asaj që e quajnë në rastin më të mirë keqqeverisje të Edi Ramës dhe në rastin më të keq qeverisje e tij në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Gjatë kësaj periudhe PD publikoi dokumentacionin që e detyroi Valdrin Pjetrin që të japë dorëheqjen pa marrë ende detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës, ndërsa në shënjestër ka vënë Agim Kajmakun e Vorës. Opozita e interpreton përzgjedhjen e këtyre dy emrave nga Edi Rama si kandidatë për dy bashkitë në fjalë si provë e kapjes së tij prej krimit të organizuar.

Veç kësaj, PD është përqëndruar edhe në denoncimin e atyre që i konsideron afera korruptive në përmasat e skandaleve. Si fillim iu referua denoncimit mediatik të shpenzimeve të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa vetë publikoi faturën e një hoteli në Barcelonë ku zëvendëskryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku kishte qëndruar në një dhomë për 900 euro nata. Skandali, thotë PD, është se paratë janë paguar nga biznesmeni Shkëlqim Fusha, që zotëron Fusha Shpk, kompani që rezulton fituese në numrin më të madh të tenderave të bashkisë së kryeqytetit.

Por, me shtatorin nuk vijnë vetëm protestat. Në ditët në vijim pritet që Tirana të vizitohet nga delegacione me peshë të Bashkimit Europian dhe të Gjermanisë, me mision zgjidhjen e krizës politike. Sinjalet se ndërkombëtarët do të jenë më aktivë në ndërmjetësimin e krizës u dhanë me vizitën e nënkryetares së grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Katja Leikert. Në fund të takimit me zyrtaren gjermane në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu gatishmërinë për t’u ulur në dialog nëse ky i fundit ndërmjetësohej nga Gjermania.

Një tjetër zhvillim që pritet të ndikojë në drejtimin që do të marrë kriza e thellë politike dhe institucionale në Shqipëri është ai i emërimit të Mattheë Palmer si përfaqësues i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, detyrë që do ta ushtrojë krahas asaj të zv.ndihmëssekretarit në Zyrën për Europën Jug-lindore dhe Euroazinë në Departamentin e Shtetit.

Palmer bën pjesë në grupin e zgjeruar të ndërkombëtarëve që këmbënguli për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Për këtë deklaratë dhe të tjera si këto, ai u cilësua si i njëanshëm dhe në mbështetje të Edi Ramës nga ana e Presidentit Ilir Meta.

Leave a Reply

%d bloggers like this: