Politika

“Asnjë shpresë për mirëkuptim”! VOA: Reagime të kundërta PS-PD mbi raportin e OSBE

Raporti përfundimtar i misionit vëzhgues të zgjedhjeve vendore të OSBE / ODIHR solli reagime të ndryshme mes forcave politike në Tiranë.

Opozita dhe qeveria e lexuan raportin e OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet vendore në mënyra krejt të ndryshme. Reagimet e palëve janë aq të kundërta sa ende nuk lënë shpresa për mirëkuptim.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, raporti provoi se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme, një farsë moniste e përfaqësimit politik dhe një shkatërrim i demokracisë.

“OSBE/ODIHR ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës. Raporti final i OSBE/ODIHR rrëzoi në çdo aspekt farsën e Edi Ramës me votimet e 30 qershorit. Me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Raporti konfirmoi se nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur”, tha zoti Basha.

Sipas tij, 30 qershori ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama, i cili u realizua sërish në bashkëpunim e krimin, duke vrarë shtetin e të drejtës, ndaj opozita kërkon largimin sa më parë të kryeministrit Rama nga drejtimi i qeverisë.

Por qeveria tha nga ana e saj, se raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmoi zgjedhjet vendore të 30 qershorit si legjitime.

Kryeministri Rama shënoi në rrjetet sociale se “zgjedhjet e radhës nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore”.

Ai kërkoi reformë zgjedhore me frymë dialogu e bashkëpunimi.

“Le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogu dhe mirëkuptimi zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, shkroi zoti Rama.

OSBE/ODIHR nxori të mërkurën raportin përfundimtar të vëzhgimit mbi zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.

“Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike”, theksohet në raportin e ODIHR-it./VOA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button