Ekonomia

OSSHE/2.6 miliardë lekë më shumë arkëtime dhe 23.3% më pak humbje se në 2018

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka arkëtuar në 8 muajt e parë të vitit 2019, 2.6 miliardë lekë më shumë se vitin e shkuar, teksa ka ulur nivelin e humbjeve në 23.3% krahasuar me një vit më parë dhe 50% më mirë se katër vite më parë.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Ardian Çela duke pasqyruar arritjet vjetore të institucionit që drejton, theksoi se gjatë vitit 2019 treguesit financiar të OSHEE kanë treguar rritje pozitive.

“Një nga treguesit kryesorë të matshëm, është treguesi i nivelit të humbjeve. Në këtë tetë mujorë rezultatet tregojnë se niveli i humbjeve është 23.3%, duke pësuar një përmirësim  1.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe bëhet fjalë për mbi 50% më mirë se katër vite më parë. Targeti është poshtë 23% brenda fundit të këtij viti. Ky rezultat është arritur dhe falë ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme dhe luftës ndaj informalitetit. Abonentët gjithashtu janë sensibilizuar tashmë, se energjia elektrike është një mall që duhet blerë”, tha Çela.

Sipas tij, treguesi i arkëtimeve ka pësuar rritje. “Në tetë muaj janë arkëtuar 45.8 miliard lekë të reja, apo 2.6 miliard lekë më shumë se një vit më parë. Këtu është superuar dhe viti 2015, ku patëm fluksin e akt marrëveshjeve të vonuar.”, tha Çela.

Ai tha se është investuar shumë dhe në seksionin e shërbimeve ndaj klientit. “Prioritet i yni ka qenë jo vetëm rritja e arkëtimeve, por dhe shërbimi sa më i mirë ndaj abonentëve, jo vetëm me furnizim energjie, por dhe duke i ofruar të gjithë shërbimet e nevojshme. Për këtë qëllim kemi hapur në të gjithë territorin e vendit 90 sportele tona, ku 90% kanë të automatizuar çështjen e radhës dhe brenda pranverës 2020 do jetë 100% e automatizuar çështja e radhës”.

“Kemi marrëveshje dhe për sportele alternative si me “Western Union” apo njësi të tjera tregtare, teksa kemi mundësuar aplikim online, si për pagesa, ashtu dhe për ankesa, si dhe të gjitha shërbimet e tjera.  Investime janë kryer dhe në matës elektronik dhe në leximin e matjes, duke sjell një ulje 11.2% të keq-faturimit në tetë muajt e parë të këtij viti. Leximi me foto është në nivelin 80%, synimi ynë është të shkojmë 100% të faturimit me foto”, tha Çela.

“Tregues tjetër i punës sonë të mirë janë investimet. Të gjithë këto suksese, nuk mund të realizohen pa investime. Këtu jemi udhëhequr nga disa kritere, si qytetet e mëdha, ku 37% e konsumit është Tirana. Ndërsa po të marrim të gjitha qytetet e mëdha bashkë janë 75% e konsumit dhe niveli i kthimit është më i shpejtë. Po ashtu dhe zonat e zhvillimit ekonomik e turizmit kanë njohur investime. Kemi shpërblyer me investime dhe qytetet të cilat kanë paguar rregullisht energjinë elektrike, si Përmeti,  dhe ku niveli humbjeve ka qenë edhe më i vogël. Janë 2.8 miliard lekë të reja investime të shpërndara në të gjithë territorin duke nisur nga Kombinati, Pogradeci, Fieri, Shkodra, Velipoja…etj. Ne garantuam për të katërtin vit radhazi sezon turistik korrekt në të gjithë territorin, jo vetëm gjatë vijës bregdetare, por dhe në qytetet në tërësi” , tha Çela.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button