Kryeartikull

Sfidat e vështira të përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin

Nga Janusz Bugajski

Emërimi i Zëvendës Ndihmës Sekretarit Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor është një lëvizje kuptimplotë, e cila shpreh angazhimin e Uashingtonit për zgjidhjen e konflikteve dhe integrimin ndërkombëtar. Sidoqoftë, duke rritur pritshmëritë për efektivitetin e Amerikës, ky veprim mund të rezultojë i pamjaftueshëm në trajtimin e problemeve më “kokëforta”.

I dërguari i ri do të përballet së paku me katër sfida, duke filluar me çështjen e reputacionit. Palmer është një diplomat me përvojë me njohuri të thella për rajonin, por ai tashmë mban pozicionin e Ndihmës Asistentit përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Thjesht ndryshimi ose shtimi i titujve nuk i jep atij fuqi shtesë për të ndryshuar realitetin e ashpër në terren.

Të dërguarit e suksesshëm të SHBA gjatë dhe pas luftërave të viteve 1990 ishin zyrtarë të një nivelimë të lartë ose ish zyrtarë të lartë, të cilët shpesh dëgjoheshin nga Shtëpia e Bardhë dhe që mbështeteshin nga një prani e konsiderueshme e NATO-s. Megjithëse përfshirja amerikane ka qenë gjithmonë thelbësore për të zgjidhur mosmarrëveshjet në Ballkan, Palmerit mund t’i mungojë rangu për të ulur sëbashku palët në konflikt.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes greko-maqedonase, së fundmi, e ka inkurajuar Uashingtonin të përpiqet të rivejë në jetë këtë sukses diplomatik. Sidoqoftë, ndarjet etno-politike në Bosnje Hercegovinë dhe mosmarrëveshja Kosovë-Serbi janë shumë më komplekse, armiqësore dhe ekzistenciale.

Palmer mund t’i japë një impuls të ri bisedimeve të ngecura dhe të nxisë axhendën e normalizimit dypalësh. Sidoqoftë, rishikimi i idesë së shkëmbimeve territoriale mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet. Pritshmëritë, gjithashtu, që Beogradi duhet ta njohë shpejt Kosovën, ashtu si marrëveshja e Prespës rezultoi në njohjen e Maqedonisë së Veriut nga Athina, mund të rriten.

Një problem i dytë për Palmerin është rreziku që bllokimi në Bosnje Hercegovinë mund të përshkallëzohet në një përleshje më të rrezikshme, në një kohë kur ai është i përqendruar në mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë. Do të ishte e vështirë të merresh diplomatikisht me dy konflikte të njëkohshme, diçka që liderët separatistë në Republikën Srpska të Bosnjës (RS) mund të jenë duke e përllogaritur.

Statusi quo e Bosnjes nuk është i paqartë dhe elementët për një tjetër shpërthim të dhunshëm janë të pranishëm. Nuk ka qeveri qendrore funksionale midis cikleve zgjedhore; RS kërcënon të shkëputet; nacionalistët kroatë po kërkojnë një entitet të tretë; dhe boshnjakët  kanë mbetur në mes (të tyre) të irrituar, ndërsa ekonomia përkeqësohet.

Sipas një skenari të prekshëm, udhëheqësi serb i Bosnjes Milorad Dodik do të refuzojë reformat kryesore që bashkojnë vendin pjesërisht, siç është formimi i forcave të armatosura të përbashkëta, gjykata shtetërore dhe agjensia e policisë. Ai tashmë ka kërcënuar të tërhiqet nga Marrëveshja e Forcave të Armatosura dhe të bllokojë taksat për institucionet e nivelit shtetëror. Ai mund të minojë kompetencat e shumta që janë transferuar nga të dy entitetet institucioneve të nivelit shtetëror, që prej marrëveshjeve të Dejtonit të vitit 1995. RS më pas mund të tërhiqet nga institucionet shtetërore dhe të shpallë një referendum për pavarësi. Përtej faktit nëse lëvizje të tilla ripërtërijnë dhunën ose jo, ato do ta preokuponin të dërguarin e SHBA në dëm të zgjidhjes së mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë.

Një pengesë e tretë për Palmerin do të jetë Bashkimi Evropian, i cili ka vendosur një pauzë të zgjatur në zgjerimin e tij ballkanik. Kjo mund të vinte në lëvizje një sekuencë negative zhvillimesh, gjatë të cilave gjashtë vendet aspirante do të përballeshin me një boshllëk të pacaktuar që do të dekurajojë reformën, do të stimulojë skepticizmin ndaj BE-së dhe do të forcojë ndjenjat nacionaliste. Kjo, nga ana tjetër, do të “armatoste” politikanët e BE që kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm.

BE ka shtyrë për në tetor vendimin nëse do të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si rrjedhojë e rezistencës së disa anëtarëve të Bashkimit, veçanërisht Francës dhe Hollandës. Megjithëse disa udhëheqës rajonalë pretendojnë se Mali i Zi dhe Serbia (të cilët janë në fazën e negociatave të pranimit) mund ta fitojnë anëtarësim deri në vitin 2025, një objektiv i tillë është tepër ambicioz. Samiti i Këshillit Evropian në qershor 2019 nuk caktoi ndonjë datë anëtarësimi as për shtetet më të kualifikuara.

Mandati i Palmerit përfshin “fokusin në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore.” Problemi është që SHBA nuk ka asnjë rol në procesin e zgjerimit të BE. Edhe nëse përfaqësuesi i posaçëm ka mundësinë të bëjë presion për reformat e nevojshme në mesin e aspirantëve, ai nuk do të ketë ndikim mbi “lodhjen e zgjerimit” në BE.

Edhe integrimi në NATO ka perspektivë të kufizuar, sepse, pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në vitin 2020, vetëm tre shtete do të jenë jashtë Aleancës. Serbia nuk kërkon anëtarësim, Kosova duhet të ndërtojë forcat ushtarake që të kualifikohet (për të), dhe anëtarësimi i Bosnjes do të mbetet i bllokuar nga RS.

Problemi i katërt dhe i vazdueshëm për Palmerin do të jetë vendosmëria e Moskës për të prishur stabilitetin rajonal. Diplomatët rusë dhe agjentët lokalë ka të ngjarë të angazhohen në provokime të ndryshme dhe të ndikojnë operacionet për të vënë në provë vendosmërinë e Uashingtonit dhe për të diskredituar të dërguarin kryesor të Amerikës në Ballkan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button