MaqedoniaRajoni

Eksportuesit nga Turqia vizitë në Maqedoninë e Veriut

Zëvendësministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Mehmet Hadi Tunç, ka kryesuar një delegacioni të një unioni eksportuesish nga Turqia në një vizitë në Maqedoninë e Veriut me ftesë të kryeministrit Zoran Zaev, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni, i përbërë ndër të tjerash nga anëtarë të bordit drejtues të Unionit të Eksportuesve të Pemëve dhe Perimeve të Freskëta të Egjeut, ka zhvilluar takim me kryetarin e Komunës së Gazibabës, Boris Georgievski, dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.

Në fjalën e tij në kuadër të vizitës, zëvendësministri Tunç tha se vizitat reciproke të viteve të fundit midis dy vendeve kanë afruar edhe më tepër dy shtetet me njëri-tjetrin.

“Rritja e investimeve reciproke ka ndikuar pozitivisht në vëllimin e përgjithshëm të tregtisë. Shohim se në dhjetë vitet e fundit kemi një rritje prej 36 për qind në vëllimin tonë të përgjithshëm tregtar. Ky zhvillim është i mirë për të dyja vendet”, tha Tunç.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut në shumë çështje, me qëllim zhvillimin pozitiv edhe të marrëdhënieve tona në fushën e bujqësisë”, shtoi Tunç.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut do të fokusohen në atë se çfarë bashkëpunimesh mund të realizohen midis dy vendeve.

Gjatë fjalës së tij, Tunç rikujtoi se Turqia në vitin 2016 u përball me një tentativë për grusht shteti të orkestruar nga organizata terroriste FETO, duke shtuar se planifikuesit e kësaj tentative janë strukturuar edhe në Ballkan.

“Ne jemi në dijeni për aktivitetet dhe praninë e kësaj organizate edhe në Maqedoninë e Veriut. Shprehim falënderime për mbështetjen që keni ofruar në luftën kundër kësaj organizate të dëmshme dhe tradhtare. Ne duhet të sigurojmë që kjo organizatë e dëmshme të çrrënjoset, duke rritur tutje aktivitetin në këtë aspekt. Ne presim më shumë përpjekje nga ana juaj në këtë drejtim”, deklaroi Tunç.

Ndërkaq, kreu i bordit drejtues të unionit të eksportuesve turq, Hayrettin Uçak, vuri theksin mbi miqësinë midis dy vendeve dhe shtoi se marrëdhëniet duhet të zhvillohen edhe në fushën e ekonomisë.

“Shpresoj që këto vizita tona do të kontribuojnë në ekonominë e dy vendeve”, tha Uçak.

Nga ana tjetër, kryetari i Okdës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, tha se Turqia është një nga aleatët më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut.

“Megjithatë, marrëdhëniet tregtare janë mbrapa marrëdhënieve tona politike, të cilat janë shumë të mira. Një nga arsyet për këtë është fakti që Turqia është shumë para nesh. Për ju, tregu botëror ka rëndësi. Jeni një nga 20 shtetet më të zhvilluara, ndërsa ne ende jemi shtet i vogël”, tha Azeski, duke shtuar se Turqia gjithnjë i ka dhënë rëndësi Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Komunës së Gazibabës, Georgievski, u bëri thirrje investitorëve turq dhe tha se ata janë të gatshëm t’u dalin në ndihmë investitorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button