Kosova

Pas shkarkimit të John Boltonit, punët e Ballkanit e të Kosovës i ka në dorë Departamenti i Shtetit

Analisti i çështjeve politike e aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth finales së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe involvimit të drejtpërdrejtë të SHBA-së në këtë proces. Emërimin e Matthew Palmer si përfaqësues special të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor ai e sheh si një vendim që tregon së Washingtoni e ka kuptuar më në fund që vetëm involvimi i drejtpërdrejtë mund t’i vendosë në binarë rrjedhat në Ballkanin Perëndimor. Meqë është i emëruar direkt nga Sekretari Amerikan Mike Pompeo, Maliqi thotë se fuqia e Palmer në pozitën e re të përfaqësuesit special do të jetë shumë më e madhe. Përveç tjerash në këtë intervistë Maliqi ka folur edhe për rolin gjerman në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, problemet që kanë në mes vete shtetet anëtare, e kundërshtimin e Francës në çështjen e zgjerimit të BE-së. Maliqi ka folur edhe për shkarkimin e John Boltonit dhe rreth asaj se nëse duhet Kosova ta konsiderojë si lajm të mirë një vendim të tillë të Donald Trumpit.

Gazeta Express: Si e sheh emërimin e Matthew Palmer si përfaqësues special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor? A është kjo një sinjal që Washingtoni dëshiron një zgjidhje deri në verën e vitit 2020?

Agon Maliqi: Emërimi i Matthew Palmer mes tjerash është tregues i një interesimi të drejtpërdrejtë të Sekretarit të Shtetit, Pompeo, për t’i dhënë shtysë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për t’u përfshirë drejtpërdrejt në fazën finale të tij. Gjithsesi, ekziston një përshtypje se ka motive politike për ta arritur marrëveshjen brenda vitit 2020, kur edhe përfundon mandati i administratës Trump. Por ky nuk mund të jetë motivi përcaktues sepse Kosova dhe Ballkani janë çështje margjinale në spektrin e gjerë të çështjeve me të cilat është e preokupuar politika e jashtme amerikane apo edhe elektorati amerikan. Problemi është më i gjerë se teket politike individuale të kësaj administrate dhe ka të bëjë me shqetësimet e SHBA-së mbi arkitekturën e sigurisë së rajonit. SHBA-ja duhet të ketë ardhur në përfundim se vetëm roli i drejtpërdrejtë i tyre në rajon do të mund t’i mbante gjërat në binarë, në këto rrethana kur përballemi me humbjen e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit, zgjerimin e ndikimit kinez dhe rus, dhe futjen paralele të Kosovës dhe Serbisë në procese zgjedhore me përfundime të paqarta. Emërimi i Palmer synon që në këtë kontekst të koklavitur t’u japë shtysë proceseve në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve të cilat e konsolidojnë rrugën integruese të rajonit në NATO dhe e zbehin ndikimin e rrymave lindore (me zbehjen e rrugës drejt BE-së).  Zt. Palmer edhe ashtu e mbulonte Ballkanin nga pozita e DAS (zëvendësasistentit të sekretarit për Evropë), por tani nga pozita e të dërguarit special ka fuqi më të madhe manovruese dhe vendimmarrëse duke i raportuar drejtpërdrejt sekretarit. Gjithashtu, emërimi i tij si i dërguar special për Ballkanin në përgjithësi nënkupton edhe mirëkuptimin e administratës në SHBA se zgjidhja e kontekstit mes Kosovës dhe Serbisë – e cila shihet si prioritare – ka nevojë për menaxhim rajonal, prandaj edhe ai është i dërguar për gjithë Ballkanin. U pa vitin që shkoi se palë me interes dhe me ndikim në gjetjen e një zgjidhjeje ishin edhe Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia – prandaj i dërguari special do të mundë të manovronte drejtpërdrejt mes të gjithë këtyre faktorëve.

Gazeta Express: Sa i përket rolit të BE-së, specifikisht Gjermanisë, ditë më parë në Kosovë për vizitë ishte deputeti gjerman, Peter Beyer, i cili dha një propozim që edhe BE-ja të ketë një përfaqësues special për dialogun Kosovë – Serbi. Ai, gjithashtu, gjatë vizitës në Beograd, i kishte thënë Vuçiqit që ta mendojnë idenë e “Dy Gjermanive” si zgjidhje për problemin e Kosovës dhe Serbisë. Si i komenton këto dy propozime, dhe a i sheh si një përpjekje të Merkelit për t’iu kundërvënë iniciativave të Trumpit për dialogun?

Agon Maliqi: Rolin dhe peshën e Gjermanisë në rajon e ka zbehur së tepërmi mungesa e qartë e perspektivës evropiane për Ballkanin dhe mbi të gjitha “vetoja” e Francës për zgjerim drejt rajonit, pa u bërë një herë reformimi i brendshëm. Tashmë është e qartë se zgjerimi drejt Ballkanit nuk do të jetë në agjendë të Bashkimit Evropian së paku gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian, gjë që do të konfirmohet këtë tetor në rastin e moshapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Edhe Serbia ka marrë sinjale se anëtarësimin nuk e ka askund në horizont. Gjermania dhe Merkel po përpiqen ta ruajnë rolin prijës në rajon por nuk e ka më fuqinë përcaktuese, të cilën e kishte para disa vitesh pikërisht për shkak se ia ka prerë këmbët Franca. Mungesa e çfarëdo lloj shtyse prej BE-së e ka zhdukur motivin kryesor për vazhdimin e dialogut apo arritjen e ndonjë zgjidhjeje brenda kornizave të mendimit gjerman: çfarë motivi ka Serbia për ta arritur një marrëveshje apo për ta njohur Kosovën nëse nuk ka perspektivë për anëtarësim në BE? Çfarë motivi ka Kosova që të llogarisë në Gjermanin apo në dialogun nën mbikëqyrjen e BE-së në një kohë kur BE-ja e ka humbur levën kryesore të presionit mbi Serbinë? Prandaj edhe i shoh me shumë skepticizëm kërkesat dhe thirrjet që këto ditë vinë nga Gjermania sepse ajo, përkundër faktit se mbetet aleate kyçe e Kosovës, për momentin në raport me Kosovën ka peshë vetëm sa u përket vizave (edhe aty po ia pret këmbët Franca). Gjermania nuk ka çka t’i ofrojë Serbisë në këmbim të një marrëveshjeje dhe ta detyrojë atë ta njohë Kosovën. Prandaj Serbia pa pikë hezitimi po synon të bëhet pjesë e tregut euroaziatik me Rusinë, po e thellon bashkëpunimin me Kinën dhe ndihet komode në vazhdimin e sabotimit të shtetësisë së Kosovës.

Gazeta Express: Dhe një pyetje të fundit. Dje presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar John Boltonin, një prej zyrtarëve të lartë në Shtëpinë e Bardhë që vazhdimisht ka qenë kundër Kosovës. Madje thuhet se Bolton ka qenë edhe arsyeja pse Washingtoni është hapur për diskutim të çështjes së korrigjimit të kufijve. Si e sheh një vendim të tillë? A duhet Kosova ta konsiderojë si një lëvizje pozitive dhe pse do të duhej të ishte një vendim i tillë pozitiv për Kosovën?

Agon Maliqi: John Bolton ka qenë vetëm një pjesë e rrëfimit në ndryshimin e pozicionit amerikan rreth paprekshmërisë së kufijve (për shkak të pozitës koordinuese të cilën e ka Këshilltari për Siguri Kombëtare), por situata është shumë më komplekse se miti banal, i cili është ndërtuar në skenën tonë politike dhe mediatike, i cili e reduktonte gjithë këtë punë në një teke personale të një njeriu (Boltonit)! Qëndrimi pragmatik amerikan rreth çështjes së kufijve gëzon mbështetje shumë më të gjerë brenda administratës se që mendohet te ne, përfshirë edhe në Departamentin e Shtetit, Departamentin e Mbrojtjes, në Këshillin për Siguri Kombëtare, në atë që quhet “komuniteti i inteligjencës”, apo edhe në institutet dhe think-tank-at në Washington D.C. Ky qëndrim nuk ndërtohet mbi preferenca individuale por nga orientime strategjike dhe shqetësime mbi arkitekturën e sigurisë. Qëndrimet e politikës së jashtme amerikane që kanë peshë në arkitekturën e sigurisë botërore kalojnë nëpër sitën e shumë agjencive dhe është naïve të mendohet se Bolton ishte faktor i vetëm në formulimin e një politike apo se largimi i tij do të thotë fundi i kësaj politike. Bolton ishte personalitet problematik për shkak të botëkuptimeve të tija të përgjithshme nacionaliste, qasjes konfrontuese dhe dëshirës (ambicies) për të marrë kontroll mbi vendimmarrjen politike rreth shumë çështjeve (gjë e cila edhe ia hëngri kokën). Gjatë vitit të fundit ai dhe Sekretari Pompeo u bënë konkurrentë dhe rivalë të fortë brenda administratës për “territor ndikimi”. Pompeo doli fitues teksa Bolton-it vazhdimisht i zvogëlohej portfolio e çështjeve me të cilat merrej, ndërkohë që Trump e humbi durimin me të. Tani duket se me emërimin e zt. Palmer si i dërguar special Departamenti i Shtetit ka kontroll të plotë mbi politikën mbi Ballkanin. Dhe këtu nuk pres ndonjë ndryshim në qasje nga viti i kaluar, gjegjësisht nga qasja më pragmatike mbi kufijtë dhe arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo që megjithatë duhet të jetë e qartë është se kjo qasje politike nuk buron nga ndonjë tendencë anti-shqiptare apo pro-serbe, e lere më nga teke individuale, por nga një lexim realist i problematikave të sigurisë. Jemi rikthyer në epokën e “rivalitetit të fuqive të mëdha” dhe SHBA-të çdo gjë sot e shohin nga perspektiva e ruajtjes së kontrollit sferat e interesit, ndërsa në rastin e rajonit tonë shqetësim primar janë Rusia dhe Kina.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button