Kosova

Hapësira e lartë ajrore e Kosovës kontrollohet nga Hungaria

Air_Flot_airplane-640x388Që nga 3 prilli i këtij viti, hapësira e lartë ajrore e Kosovës mbi shtatë mijë metra, menaxhohet nga Hungaria, konkretisht nga kompani hungareze e navigimit ajror – “Hungaro-Kontrolli”. Vendimin për t’i dhënë Hungarisë nën menaxhim e ka marr KFOR-i, duke bërë që kjo kompani të përfitojë miliona euro, ndërsa kosovarët s’kanë qenë palë e këtij procesi.

Kosovarëve iu duhej vetëm një trajnim njëmujor dhe investime në teknologji, por institucionet tona as që janë pyetur për këtë çështje.

Zyrtarë të lartë të ANP “Adem Jashari” dhe të autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, shpresojnë se pas skadimit të kontratës me Hungarinë, kontratë kjo e cila është pesëvjeçare, kosovaret do të jenë në gjendje që vet ta kontrollojnë hapësirën e lartë ajrore të vendit.

Bahri Nuredini, kryeshef ekzekutiv në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, thotë për KosovaPress se stafi ndërkombëtar i NATO-së dhe komandanti i KFOR-it, janë autoriteti i vetëm në hapësirën e lartë ajrore.

“Pse Hungaria në këtë rast, pse jo ne. Realisht është proces pak a shumë politik”, thotë Nuredini.

Ai thotë se tani për tani, me këto kapacitete që ka Kosova, nuk ka mundur ta bëjë vetë një gjë të tillë. Por, thekson se kanë projeksione që në vitin 2019 edhe një fushë, e cila është sferë e rezervuar në kapacitete e NATO-së, në këtë rast e KFOR-it, të bartet gradualisht në agjencinë vendore.

“Duhen investime kapitale, konkretisht në disa sisteme që janë të domosdoshme dhe që janë kusht i domosdoshëm për t’u plotësuar. Në të njëjtën kohë nevojiten mjete financiare për të përgatitur burime njerëzore që janë të domosdoshëm për të menaxhuar një hapësirë të lartë ajrore”, thotë ai.

Driton Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, shpreson që pas kalimit të kësaj periudhe pesëvjeçare, do të mund të menaxhojnë plotësisht hapësirën e lartë ajrore me kapacitete vendore.

Sipas tij, Kosova nuk ka humbur asgjë, pasi që hapësira e lartë ajrore ka qenë një zonë ngri dhe se përfitimi i Kosovës është se hapësira e lartë ajrore tashmë është hapur. Gjonbalaj thekson se as Hungaria nuk përfiton nga kjo kontratë.

“Me rëndësi është që hapësira e lartë ajrore e Kosovës është hapur për mbikalime dhe ky është një përfitim i prekshëm, edhe pse jo tash i përkthyer në të mira materiale. Por, hapja e hapësirës së lartë ajrore e Republikës së Kosovës, ka hapur derën për fillimin e procesit të normalizimit të plotë të hapësirës së ulët ajrore të Republikës së Kosovës. Sipas marrëveshjes, ofrimi i shërbimeve në hapësirën e lartë ajrore të Republikës së Kosovës, do të bëhet përmes tarifave që merren nga kompanitë ajrore, në mënyrë që të mbulohet kostoja e operimit – e ofrimit të këtyre shpenzimeve”, thotë Gjonbalaj.

Por, njëjtë nuk mendon Nuredini, sipas të cilit, Hungaria ka një benefit të përkohshëm.

“Në qoftë se i kalkulojmë me vlera financiare këto fluturime, sjellin afërsisht 3 deri në 4.5 milionë euro në bazë të çmimit për tipin e fluturakës, aeroplanit. Me një fjalë, është e rregulluar çështja e ngarkesave financiare karshi aeroplanëve. Megjithatë, Hungaria ka një benefit të përkohshëm”, thotë ai.

Hapësira e lart e Kosovës, është mbyllur në qershor të vitit 1999 nga NATO, menjëherë pas çlirimit të vendit. Për 15 vite, kjo ka qenë një zonë ndalim fluturimi për të gjithë aeroplanët civilë.

Procesit i hapjes së hapësirës së lartë ajrore të Republikës së Kosovës është zhvilluar në kuadër të mbledhjes së NATOS, për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit. Që nga 3 prilli i këtij viti, hapësira e lartë ajrore e Kosovës menaxhohet nga Hungaria.

Ndryshe, sipas burimeve të KosovaPressit, për ta mbikëqyrur hapësirën e lartë ajrore, stafit kosovar i duhej vetëm një muaj trajnim dhe investime në teknologji. Është llogaritur që kompania hungareze do të përfitoj rreth 15 milionë euro brenda vitit. Këto mjete në bazë të rregullave ndërkombëtare investohen në infrastrukturën e ofruesit të shërbimeve të navigacionit ajror, si dhe në trajnime të stafit, por jo edhe në përfitime të shteteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button