Ekonomia

Eksportet bien me 2.5% për 8-mujorin, tre grupet kryesore me rezultat negativ

Eksportet kanë shënuar një ecuri negative në tetë muajt e parë të vitit, të ndikuar nga performanca negative e tre grupeve kryesore, “tekstile e këpucë”, “minerale, lëndë djegëse, energji”, “materiale ndërtimi e metale”. Të vetmet grupe që po ecin mirë janë “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Në tetëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 200 mld lekë, duke u ulur me 2,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 429 mld lekë, duke u rritur me 3,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 229 mld lekë, duke u rritur me 8,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018, raportoi INSTAT.

Eksportet e “Tekstile dhe këpucë” ranë me 2.1% për 8 mujorin, duke zbritur në 80 miliardë lekë. Eksportuesit pohojnë se kjo tendencë po ndikohet nga zhvlerësimi i euros, që ul të ardhurat në lekë, çka po jep efekte në kontratat afatgjata, si dhe në ndryshimin e sjelljes së furnitorëve, si shkurtimi i sezoneve dhe orientimi drejt modës së shpejtë etj.

Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” ranë me 21% për 8 mujori, në 31.7 miliardë lekën. Ndikim ka pasur energjia, e cila është e lidhur direct me motin, që tani ka qenë I thanë. Eksportuesi tjetër i madh Bankers Petroleum tha se ndonëse prodhimi është rritur, 60% e tij shkon për eksport dhe pjesa tjetër shitet në tregun vendas.

Në rënie ishin dhe “Materialet ndërtimi dhe metale”, që u tkurrën me 11.8%, në 31.4 miliardë lekë. Burime nga Kurum pohojnë se ata kanë aktivitet në rritje, ndërsa rënia ka ardhur nga industria e tullave dhe çimentove.

Ecuri pozitive kishin “Ushqime, pije, duhan”, me rritje 15% në 22.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e ecurisë pozitive të bujqësisë në vend.

Grupi me rritje më të lartë në vlerë absolute ishte  “Makineri, pajisje dhe pj, këmb”, që u zgjerua me 33% me bazë vjetore, duke arritur në gati 15 miliardë lekë, me rreth 7.4% të totalit të eksporteve. Rritja e kompanive që operojnë në fushën e montimit të sistemeve elektrike për automjete, si PSZ, Forschner dhe fillimi i aktivitetit të Delmon kanë ndikuar në këtë tendencë.

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë”  me -0,9 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,8 pikë përqindje,“Ushqim, pije, duhan” me +1,4 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,7 pikë përqindje.

Eksportet, importet në gusht

Në Gusht 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 20 mld lekë, duke u ulur me 2,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 27,8 %, në krahasim me Korrik 2019, raportoi INSTAT. Importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 6,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 13,7 %, në krahasim me Korrik  2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 13,3 %, krahasuar me Gusht 2018 dhe duke u ulur me 1,6 %, në krahasim me Korrik 2019.

Rënia vjetore e eksporteve prej 2,0 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale”  me -4,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”  me +9,1 pikë përqindje. “Produkte kimike dhe plastike” me +2,1 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje.

Rritja vjetore e importeve prej 6,8 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”  me +1,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikuj prej tyre”  me -0,1 pikë përqindje.

Si tetëmujor, importet janë rritur me 3,1 %, krahasuar me tetëmujorin e parë 2018. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,6 pikë përqindje,  “Materiale ndërtimi dhe metale”  me +0,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -0,5 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre”  me -0,2 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,1 pikë përqindje.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Gusht 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2018 janë: Franca (472,8 %), Gjermania (14,1 %), dhe Hollanda (143,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-6,0 %), Kosova (-3,4 %) dhe Spanja (-19,9 %).

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (19,7 %), Gjermania (5,9 %), dhe Kina (7,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-1,7 %), Spanja (-19,1 %) dhe Greqi (-2,6 %).

Në muajin Gusht 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2018 janë: Italia (3,6%), Kina (18,2 %)  dhe Turqia (15,2 %).  Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania (-1,8 %),  Greqia (-5,9 %), dhe Rusia (-9,4 %).

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (18,1 %), Greqia (8,4 %) dhe Turqia (7,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-5,5 %), Gjermania  (-9,6 %) dhe Rusia (-17,5 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 59,0 %, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2019, eksportet drejt vendeve të  BE-së zënë 70,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (24,9 %), Kina (7,8 %), Gjermania (7,0 %) dhe Turqia (6,9 %).

Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin e parë 2019, me vendet e BE zënë 64,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Gusht 2019, eksportet drejt vendeve të  BE-së zënë 76,0 %  të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 59,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,8 %),  Greqia (7,3 %), Kina (7,0 %) dhe Gjermania (6,3 %).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button