Kronika

Prokuroria thërret për dëshmi Kuliçajn

kulici-320x20021 Janari

Ish zyrtari i Policisë u kallëzua bashkë me Burgajn se nuk ndaluan krerët e Gardës

Prokuroria thërret si dëshmitar Agron Kuliçajn, disa javë pasi emri i tij u regjistrua zyrtarisht si person nën hetim për zhvillimet pas demonstratës së 21 Janarit, kur policia nuk ekzekutoi disa urdhra ndalimi të prokurorisë për ish krerët e Gardës së Republikës. Precedenti i rrezikshëm për drejtësinë ndodhi më 23 janar 2011, kur krerët e policisë së asaj kohe, Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj, në shenjë demonstrative dhe duke u rreshtuar në krah të mazhorancës së asaj kohe, anashkaluan organin e akuzës, i cili kishte nisur disa procedime penale. Prokuroria po hetonte vrasjet në bulevard, veprimet e disa zyrtarëve, dhunën e ushtruar ndaj policisë, por edhe rrahjet e protestuesve. Megjithatë, hetuesit i ndalën pikërisht tek vrasjet e katër personave dhe në përpjekje për të marrë më tepër prova nga Garda e Republikës, apo edhe Këshilli i Ministrave, që nuk po bashkëpunon me drejtësinë, preu disa urdhra ndalimi, pikërisht për zinxhirin komandues të Gardës, me në krye Ndrea Prendin. Por, këto urdhra nuk u zbatuan menjëherë, duke i dhënë mundësi gardës apo edhe personave të tjerë që të fshehin provat e kësaj ngjarje. Fakt është se prokuroria nuk arriti dot kurrë të marrë pamjet e kamerave të sigurisë së kryeministrisë, një kopje të së cilave i kishte pikërisht Garda. Madje, nuk u arrit të sekuestroheshin dot armët që ishin përdorur nga gardistët, për të cilat dyshohej se kishin qëlluar mbi protestuesit, madje në distancë të vogël. Në atë kohë, oficerët e plicisë gjyqësore që vareshin nga Policia e Shtetit nuk kryen asnjë veprim për zbardhjen e vrasjeve, madje u morën më shumë mbi organizimin e protestës. Më vonë, ish krerët e Policisë së Tiranës dolën në përfundimin se organizatorët e protestës nuk kishin faj dhe i rekomandonin prokurorisë pushimin e hetimeve. Tashmë, kur për disa muaj bëhet përvjetori i katërt i kësaj ngjarje që solli katër viktima, drejtësia ka të hapura disa procedime penale, megjithëse asnjë person nuk ndodhet në qeli. Prokuroria e Tiranës ka marrë prej disa javësh një denoncim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, që bën fjalë pikërisht për moszbatimin e disa urdhrave të ndalimit. Hetuesit konstatuan elementë të veprës penale dhe filluan verifikimin e kallëzimit, duke i kërkuar SHKB-së që tu dërgojë më shumë dokumente. Tashmë, verifikimet kanë avancuar dhe këto dokumente duhet që të krahasohen me dëshmitë e personave të kallëzuar. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se kanë gati një fletëthirrje për ish nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, një nga dy të denoncuarit, bashkë me Burgajn. Kuliçaj do të pyetet si person që ka dijeni për rrethanat e faktit, pasi ende nuk ka ndonjë status tjetër në këtë procedim penal të hapur. “Kërkojmë dëshminë e ish nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, për të na treguar në lidhje me letërkëmbimet mes policisë dhe prokurorisë pas datës 21 janar 2011, deri në fillim të muajit shkurt 2011. Në atë kohë, Policia e Shtetit doli hapur kundër prokurorisë, ndërsa në kallëzim pretendohet se ish-krerët kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës” pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit. Sipas saj, pyetja e zotit Kuliçaj është caktuar javën tjetër, ndërsa ende nuk është përcaktuar dita, për shkak se dëshmitari mund të refuzojë fletëthirrjen e parë. Sipas ligjit, nëse dëshmitari nxjerr justifikim, ai mund të refuzojë disa fletëthirrje, por nëse refuzon disa të tilla, atëherë mund të shoqërohet nga policia.

Verifikimet

Kallëzimi i SHKB-së, në pyetje policë dhe prokurorë

Kallëzimi i SHKB-së është regjistruar në prokurori në mes të muajit korrik, ndërsa është parë baza ligjore, si dhe provat e renditura. Sipas dosjes, Burgaj dhe Kuliçaj akuzohen për shpërdorim detyre, pikërisht për ngjarjen e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën me armë zjarri. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka gjetur shkelje të rënda të këtyre oficerëve për moszbatimin e urdhrave të prokurorisë për ndalimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, të cilët dyshoheshin se kishin urdhëruar të qëllonin me armë zjarri në drejtim të turmës. Urdhrat e ndalimit janë prerë në orët e para të 23 janarit 2011, ku shkresa e firmosur nga prokurori Genci Qana i shkoi në zyrë Hysni Burgajt. Prokuroria ka marrë nga dosja e mëparshme e 21 janarit urdhrat e ndalimit ndaj gardistëve, duke i futur në fashikullin aktual, ndërsa ai i ka kërkuar SHKB-së edhe protokollet në Policinë e Shtetit, urdhrat e Burgajt dhe Kuliçajt ndaj vartësve për të mos i zbatuar. Situata në atë kohë, në momentin e lëshimit të urdhrave të ndalimit, ka qenë tepër e tensionuar, teksa akuza ka pasur vetëm mbështetje nga ndërkombëtarët, pasi krerët e mazhorancës së atëhershme i cilësuan prokurorët si puçistë, ndërsa nofkat për Ina Ramën ishin më të rënda. Pas disa javësh, pas negociatave të ndërkombëtarëve, ish-krerët e Gardës së Republikës u dorëzuan në Policinë e Tiranës, ku sërish pati edhe tension mes gardistëve dhe hetuesve të prokurorisë.

Për këtë çështje në pyetje do të merren prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, si dhe drejtues apo ish-drejtues policie. Ata do të thirren në cilësinë e personave që kanë dijeni për një fakt penal, teksa me interes të veçantë do të jetë dëshmia e ish-drejtuesve të akuzës së kryeqytetit, Sokol Malaj, Genci Qana, apo Marjeta Zaimit, ndërsa nga radhët e oficerëve të policisë, krahas Burgajt dhe Kuliçajt, do të pyeten edhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muça, apo edhe drejtues të tjerë madhorë në Policinë e Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button