Politika

Tusk: Shqipëria të trajtohet sipas meritës, BE të çelë negociatat

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, deklaroi sot në Tiranë se “medalja më e madhe për mua do të ishte çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë”

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, pas takimit të zhvilluar ku u nderua me “Yllin e madh të  mirënjohjes”, Tusk theksoi se “sot ju më thatë qe unë e meritoj vërtet këtë medalje, jo vetëm personalisht, por edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Jam shumë krenar të marr këtë mirënjohje, por medalja më e madhe për mua do të ishte në fakt çelja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë”.

“Kur isha në Tiranë prillin e shkuar unë fola për ëndrrën që kam për vendin tuaj dhe për të gjithë rajonin që të ndjekin të njëjtin rrugëtim si vendi im Polonia drejt Bashkimit Europian. Sot një vit më pas mund të them që në sajë të përpjekjeve tuaja të them se ne jemi afruar këtij objektivi, jemi më afër tij dhe askush nuk duhet të ketë dyshimin më të madh as në Tiranë as në kryeqytetet e Bashkimit Europian”, – nënvizoi Tusk.

Presidenti i Këshillit Europian u shpreh se “në qershor krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u angazhuan të japin një mendim të qartë për çeljen ose jo të negociatave me ju dhe fqinjin tuaj Maqedoninë e Veriut në tetor të këtij viti. Po i afrohemi gjithnjë e më shumë këtij momenti”.

Kam qenë gjithnjë, vijoi Tusk, i mendimit që BE duhet të çelë këto negociata si me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në përputhje kjo me rekomandimin pozitiv të Komisionit.

“Nuk e kam ndryshuar mendjen, vazhdoj të jem në të njëjtin mendim. Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta ashtu siç janë trajtuar edhe të gjitha vendet e tjera dhe do të trajtohen vendet e tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të qenit shtet anëtar në BE”, u shpreh Tusk.

Duke folur për takimin e sotëm, Tusk tha se ne diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhja me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pra për sundimin e ligjit”.

“Ky fiksim apo obsesion i BE-së me sundimin e ligjit dhe madje do të shtoja edhe dy elementë të tjerë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi është pjesë e ADN-së tonë dhe ka për të qenë e tillë edhe kur ju të jeni shtet anëtar, përndryshe projekti europian nuk do të qëndronte dot në themele të forta”, tha Presidenti Tusk.

Por, shtoi ai, po aq i rëndësishëm është edhe fakti që anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin më të mirë të të gjithë Europës, pasi nuk do të mund të ketë Europë të sigurt dhe stabël, pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

“Pasi këtu pasi bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes sonë të përbashkët dhe kjo do të thotë që askush nuk po i bën askujt ndonjë nder””, përfundoi Tusk.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button