Arte

Sislej Xhafa, kthim në identitet

timthumb (1)Një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor sot, për herë të parë me një ekspozitë personale në Tiranë. “Harrova që fillova” solli muzikë funebre në Piramidë, dhe “Parajsën” te vila e ish-diktatorit. Një art që ngre pyetje, por dhe shënjon një moment të rëndësishëm në skenën artistike në vend

Alda Bardhyli

Sislej është diku jashtë, përtej një korridori të errët që ndriçohet nga dritat që vijnë prej kafenesë ngjitur duke pirë puro. Nuk e ka ndryshuar asnjëherë këtë lloj cigareje. “Është i njëjti si në shkollën e mesme, di të gjejë historinë dhe aty ku nuk shihet”, thotë një mikja e tij e hershme. Vetëm një orë më përpara, teksa pinte verë në “Tirana International”, profesori i artit në Universitetin e Firences, Edoardo Malalagigi, ndihej i emocionuar për atë çfarë do të ndodhte të nesërmen. Kishte udhëtuar nga Firence për të qenë në Tiranë në një ngjarje siç e quan ai ekspozitën e Sislej Xhafës, “Harrova që fillova”. “Edoardo është shtylla ime kurrizore. Një atë i dytë”, shprehej Sislej, teksa përpiqej të shpjegonte lidhjen me profesorin. Në Firencen e viteve të tij të studimeve, Edoardo do të gjente te djaloshi nga Kosova artistin e lindur, një antikonformist bashkëkohor, të cilit vetëm i duhej nxitur talenti për të shpërthyer. Është gjithnjë një njeri që i çon përpara ëndrrat tona, që shpesh mbeten në mes të rrugës, veç për mungesën e një dore. Por Edoardo ishte aty për Sislejn, duke adhuruar mendjen dhe guximin e këtij ballkanasi, që po sfidonte natyrshëm artin bashkëkohor italian. “Sislej është frymëzim për gjithë studentët e Akademisë së Arteve në Firence. Unë kam dëgjuar kaq shumë për të, sa kur profesori tha se do të jem në Shqipëri për të parë ekspozitën e tij, vendosa menjëherë të vij”, thotë Jonida, një studente arti nga Durrësi në këtë Akademi. Te Sislej mund të depërtosh përmes të tjerëve, po aq sa mund të njohësh historinë e një vendi apo vetveten, teksa sheh punët e tij. Nju Jorku ku ndan jetën tani, ka ndryshuar tek ai vetëm ngjyrën e flokëve. Teoritë mbi artin bashkëkohor apo mënyrën sesi e koncepton një vepër, mund të ta shpjegojë duke pirë një puro ose në një udhëtim me tren. Kur drejtoresha e një muzeu të rëndësishëm në Tokio e telefonoi duke i thënë se donte të takoheshin në studion e tij, ai pranoi dhe i tha se e priste në stacionin e trenit në Milano. Kishte prerë dy bileta deri në Firence. Përgjatë dy orëve udhëtim ai kishte shpalosur para zonjës, që teksa ndiqte qytetet apo pemët që zhdukeshin përtej dritares, gjithë botën e një artisti. Kishte folur për Kosovën, fëmijërinë, luftën, shqiptarët, artin … Filozofi dhe koncepte, për ta lënë më pas në Firence, duke i thënë që “ja ky udhëtim është studioja e tij”. Ai i kishte dhënë asaj udhëtimin më të bukur dhe leksionin më të mirë për një menaxhere arti. Arti nuk ka stacion, ai lëviz, në kohë dhe nuk ndalet. Të njëjtën eksperiencë Xhafa e ndau dje me dhjetëra artistë e adhurues të punëve të tij, të cilët dje u bënë pjesë e një kumtese të veçantë për artin. Në autobusin Tiranë-Elbasan, Xhafa bëri një kthesë në artin bashkëkohor, ashtu si me shenjat që la në Piramidë dhe ish-vilën e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Një autobus, të cilën Xhafa mund ta kishte marrë në çdo qytet në Perëndim, i sigurt që çdo pasagjer do ta blinte biletën për ta ndjekur. Por është koha që këtë autobus ta niste nga Tirana.

Profesor Edoardo e di më mirë përgjigjen e kësaj zgjedhjeje. Është identiteti, kjo pjesë e pandashme në të gjitha punët e Xhafës, i cili e shtyu ta bënte këtu. Në kohën kur çështja shqiptare ka marrë një tjetër dimension në Europë dhe prirja e tyre europiane ndihet në hapat që hedhin çdo ditë, Xhafa kërkon me ngulm të bëjë të qartë identitetin e tij, edhe pse beson në një identitet lëvizës. “Ne nuk duhet që të mendojmë ose të humbim kohë rreth gjeografisë, ne duhet të krijojmë historinë bashkëkohore që na bashkon dhe të krijojmë një kohë të re. Kjo është një sfidë”, thotë ai.

Xhafa e ktheu Tiranën në një nga qendrat më të rëndësishme të artit këtë javë, për të treguar se gjithçka që udhëheq guximin e tij në galeritë më të njohura sot, e ka burimin pikërisht nga këtu. Ndaj nuk mund t’i thoshte jo ftesës së Klod Dedjës, një tjetër personazh që e dashuron artin bashkëkohor. Miqtë e tij që kanë ardhur nga kudo këto ditë në Tiranë për ta ndjekur e dinë këtë. Sislej nuk është vetëm një artist i mirë, por edhe një shqiptar i madh. Një antikonformist, siç do të shprehej profesor Edoardo, i cili e çoi flamurin shqiptar në Bienalen e Venecias në një kohë kur në Kosovë e Shqipëri situata ishte e trazuar. Në këto kohë të trazuara, Xhafa me ngulm kërkonte t’i tregonte botës identitetin e tij, duke hyrë me guxim në një terren të vështirë siç është arti, dhe duke ia dalë. “Kjo, pasi unë besoj”, thotë ai, teksa mbrëmja ka rënë në Tiranë. Ashtu siç i beson natyrës, kësaj krijese të jashtëzakonshme ku kërkon të humbë gjithmonë. Disa muaj në vit ai ia kushton eksplorimit të alpeve shqiptare në Kosovë dhe në Veriun e Shqipërisë.

Ardhja e Xhafës në Tiranë me një ekspozitë personale, është padyshim një ngjarje për artin bashkëkohor në vend. Një ngjarje që duhet lexuar si e tillë, por edhe nxjerr në pah terrenin e ftohtë në të cilin operojnë artistët e rinj në Shqipëri. Arti bashkëkohor gjithnjë ka qenë një nocion i keqkuptuar nga publiku, të mësuar me një kod socrealist. Ekspozita të kësaj gjinie, si video-instalacione apo performanca, gjithnjë kanë qenë të veçuara dhe pak të komentuara. Artistë të kësaj fushe kanë gjetur hapësirën dhe mbështetjen gjithnjë jashtë vendit. Mungesa e një edukimi të shijes së publikut me këtë lloj arti bën që kontakti me këtë gjini të sjellë edhe reagime negative. Ekspozitat e rralla dhe të frekuentuara vetëm nga një kategori njerëzish të fushës, bën që publiku i zakonshëm të ngrejë pikëpyetje mbi artin bashkëkohor e shpesh ta ironizojë atë. Rasti “Xhafa” është një rast për t’i mbështetur më shumë këta artistë, për t’u dhënë më shumë hapësira e mundësi dhe për të hapur një rrugë tjetër komunikimi me publikun, që të mos ketë më befasime me epitete shpesh habitore.

Xhafa ishte në Shqipëri për shumë arsye. Identiteti është një prej tyre, ndërsa të tjerat i gjen teksa ndjek në heshtje muzikën funebre që një grup violinistësh të veshur me maskë ekzekutojnë pikërisht në zemër të Piramidës, aty ku dikur qëndronin sendet dhe ditarët e diktatorit. Dhe Xhafa zgjodhi Piramidën, për ta goditur meskinitetin, gënjeshtrën dhe të gjitha veset e shëmtuara të mbetura nga e shkuara. Për të goditur dhe vetë të shkuarën dhe për të nisur një fillim të ri.

Instalacioni në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha dhe muzika funebre te Piramida

Kjo është parajsa

Në kopshtin përpara vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, Sislej Xhafa na njohu me “Parajsën”. Në oborrin ku dikur ish-udhëheqësi komunist kalonte pasditet, ai kishte vendosur një tavolinë me disa karrige, sipër së cilës në një pankartë shkruhej: “Kjo është parajsa”. Një ironi me të shkuarën, ku parajsa ishte aq pranë me ferrin e madh të komunizmit që kishte pushtuar vendin. Parajsa lexohej nga larg përmes dritash, në errësirën që kishte mbuluar Tiranën. Pas kaq vitesh Xhafa depërton në hapësirën që duket sikur ruan hijet e së shkuarës. “Unë nuk kam dëshirë të luaj lojëra të sigurta nëpër hapësira muzeore, por të sfidoj hapësira, si një reflektim ndaj historisë, si një gjurmë e parevokueshme. Piramida dhe vila e ish-Bllokut janë dy hapësira alternative, që nuk janë muzeore, por vendtakim i një periudhe të historisë, të shoqërisë dhe një përballje me to. Është dhe një përballje me të tashmen, në një mënyrë estetike”, thotë ai. Duke i quajtur ikuzive, ai thotë se këto janë vende që ngrenë pyetje.

Teksa ecën në tapetin e zi të shtruar në shkallët që të çojnë në katin e dytë të Piramidës, ndal në një sallë që të ngjason me teatrin. Në skenë një orkestër me violinistë me maska ekzekutojnë muzikë funebre. Këtë e bëjnë çdo 15 minuta. “Përsëri dhe përsëri” e ka quajtur Xhafa këtë performancë. Për kë është ky vaj, në vendin që të kujton diktatorin. Për tmerrin komunist apo tranzicionin nga i cili s’po dalim dot? Xhafës i pëlqen të ngrejë pyetje, që për dikë që e ndjek në heshtje këtë performancë mund të jenë krejt ndryshe.

Ishin pafund vizitorët që hynë të premten në mbrëmje për të parë performancën e Xhafës, “Përsëri e përsëri”, siç e kishte quajtur dhe ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button