Kryeartikull

Kur Luli kthehet (më në fund) në shtëpi

Opozita ka vendosur të rikthehet në tryezën e dialogut me qeverinë, pas insistimit të OSBE dhe kreut të saj në Tiranë Borchardt, për një raund bisedimesh për reformën zgjedhore. Megjithëse flitet për një pjesëmarrje në nivel ekspertësh, zyrtarisht ky hap shënon fundin e marrëzisë kolektive të partive opozitare, që nisi në shkurt, kur u mor vendimi për të djegur mandatet parlamentare dhe për të dalë jashtë sistemit politik.

Prej shtatë muajsh Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe një grup krerësh politikë të partive opozitare vijonin të bindnin veten më shumë sesa të tjerët, se rruga e vetme e kthimit të opozitës në pushtet do të kalonte përmes dhunës, bojkotit dhe marrjes së pushtetit jashtë kuadrit të rregullave të lojës demokratike. Për muaj me rradhë, opozita zgjodhi t’i fliste vetvetes para pasqyrës, duke injoruar thirrjet e përsëritura e insistuese të amerikanëve e europianëve, për të hequr dorë nga largimi prej institucioneve dhe dialogut.

Për muaj të tërë këta politikanë, një pjesë e të cilëve me një barrë përvojë mbi supe, bënin dëshpërimisht betejën publike të imponimit të kredos së tyre absurde, duke sfiduar shqiptarë e të huaj, përkrahës e votues të tyre, po aq sa edhe kundërshtarët politikë. Një kryqëzatë në kufinjtë e qesharakes, “pre” e të cilës ra edhe Ilir Meta me zgjedhjet e tij të 13 tetorit, pasi Basha i thoshte “Jo” çdo procesi elektoral me Ramën kryeministër.

Më në fund një raund bisedimesh po hapet, pa pasur nevojë të heqim me ose pa dhunë qeverinë në fuqi. Një fitore e vogël e arsyes mbi emocionet dhe ekstremizmin, një triumf i vogël i vullnetit për të ulur gjakrat e për të biseduar, mbi piskamën tashmë qesharake “te sheshi”!

Prej kohësh që s’mbahen mend ky vend ka rënë viktimë e instiktit shkatërrimtar të drejtuesve politikë. Ka kaluar koha që kjo praktikë mazokiste të marrë fund, sepse ka mbajtur peng dhe ka sabotuar vite e vite jete të miliona njerëzve. Me dialogun për sistemin zgjedhor, që është një ndër burimet e situatës haluçinante që kemi sot, shpresohet të fillojë paqëtimi më i gjerë politik mes pozitës e opozitës, në mënyrë që sezoni i molotovit t’i përkasë pjesës së parë të vitit që po mbyllet. Edhe një herë Matthew Palmer dhe kolegët e tij në SHBA dhe Evropë fituan mbi absurdin…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button