Politika

Balla: Çështja e negociatave të Shqipërisë me BE tashmë është në Bruksel

Taulant Balla e quan për DW historik autorizimin që Bundestagu i dha qeverisë gjermane për çeljen e negociatave të BE për Shqipërinë. Ai i quan detyra shtëpie dhe jo kushte kërkesat e Bundestagut ndaj Shqipërisë.

DW: Zoti Balla, grupet kryesore parlamentare gjermane në Bundestag, CDU/CSU dhe SPD dhanë aprovimin që qeveria gjermane të miratojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. U dha një “po” e qartë, por që lidhet me disa kërkesa: p.sh. Konferenca e Parë e Anëtarësimit nuk do të hapet pa u ngritur Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë në Shqipëri. E pengon kjo çeljen reale të negociatave?

Balla: Ajo që është e rëndësishme është që Bundestagu Gjerman u shpreh pro fillimit të negociatave për Shqipërinë. Pra qeveria gjermane ka marrë autorizimin zyrtar nga Bundestagu që në samitin e Këshillit Evropian të 17-18 tetorit Gjermania të shprehet pro fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë. Ajo që doli në pah në diskutimet dje në grupet e mëdha parlamentare qeverisëse dhe do të diskutohet edhe sot në Komitetin për Çështje Evropiane dhe nesër në seancë plenare, shpreh qartë se ka një vlerësim pozitiv nga Bundestagu dhe nga qeveria federale për ecurinë e deritashme të procesit të Vettingut dhe të reformës në drejtësi. Ata që u nxituan dje në Shqipërinë tonë të dashur t’i quajnë këto vlerësime të Bundestagut si kushte, e kanë shumë gabim dhe duhet të marrin përgjegjësinë e tyre në këtë proces.

Padyshim që çështjet që lidhen me zbatimin e reformës historike në drejtësi, janë çështje që lidhen me detyrat e shtëpisë. Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka kthim pas. Unë jam shpresëplotë që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, qoftë ata që zgjidhen nga Parlamenti, tre prej tyre, qoftë tre që përzgjidhen nga propozimet që vijnë nga Këshilli i lartë i Drejtësisë, nga Presidenti i Republikës do të jenë në detyrë në një kohë shumë të shkurtër. Edhe anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, tre të parët do të jenë në detyrë shumë shpejt, sepse procesi është një fazë shumë të avancuar.

DW: …do të jenë në detyrë para fillimit të Konferencës së Parë të Anëtarësimit?

Balla: Në çdo rast, Konferenca e parë e anëtarësimit do të jetë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Koha në dispozicion për atë moment do të jetë plotësisht e mjaftueshme, që ne të kemi anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese…

DW: Po ligj të ri zgjedhor, që kërkohet nga Bundestagu gjithashtu para Konferencës së Parë të Anëtarësimit?

Balla: Ne i kemi dhënë një mandat në Kuvendin e Shqipërisë Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, me shpresë që ligji i ri zgjedhor, pra përkthimi i gjithë rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në amendamente të bëhet deri në fund të këtij viti. Një punë e mirë është prej dy vitesh tashmë, sepse ky Komision është ngritur prej shtatorit të vitit 2017. Edhe sot në Tiranë zhvillohet një mbledhje e hapur e këtij Komisioni, me qëllim që të gjitha palët të japin opinionin e tyre. Por kush e njeh këtë proces e kupton që tashmë çështja është në Bruksel, pra aty ku mblidhen vendet anëtare dhe sjellin vlerësimet e tyre në Këshillin Evropian.

DW: Në dokumentin për të cilin votuan dje grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD nuk parashikohet që Bundestagu të këtë rol në një bllokim eventual negociatash me Shqipërinë, po nuk u realizuan kushtet e vëna. Jeni tani si të thuash “të çliruar”, se u plotësuan apo nuk u plotësuan kushtet e Bundestagut, Shqipërisë do t’i hapen negociatat? Qeveria gjermane dihet që e ka dhënë dakordimin?

Balla: Unë gjithmonë e kam thënë dhe sot e nesër jam në takime me të gjitha grupimet politike në Bundestag, duhet ta them me plot gojën: ka një shumicë në Bundestag që është pro fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Tashmë kjo shumicë është zyrtarizuar, për shkak se dje, dy grupimet e mëdha të CDU/CSU dhe të SPD që formojnë koalicionin qeverisës, janë shprehur zyrtarisht pro hapjes. Bundestagu tashmë u shpreh pro fillimit të bisedimeve. Por natyrisht që komunikimi ynë me Bundestagun do të jetë i vijueshëm, sepse e dimë që Gjermania është vendi më i madh anëtar i BE, roli i Gjermanisë qoftë në Këshill Evropian dihet. Këtë moment unë nuk do të ngurroja e do ta quaja moment historik për rrugën evropiane të Shqipërisë, sepse në fund të fundit, Bundestagu me votimin e nesërm zyrtarisht çertifikon mbylljen e një faze të rëndësishme të procesit.

DW: Si e shpjegoni ngurrimin e deritashëm të Bundestagut për Shqipërinë?

Balla: Nga komunikimet e viteve të fundit, pa dyshim që ka një rritje të informimit të anëtarëve të Bundestagut Gjerman për atë që ka bërë Shqipëria. Ka një rritje të madhe të interesit edhe të anëtarëve të qeverisë federale ndaj Shqipërisë. Vetëm në dy vitet e fundit, unë qoftë në cilësinë e kryetarit të grupit të shumicës, qoftë si kryetari i Grupit të Miqësisë kam pasur mundësinë të pres në Tiranë apo të caktoj këtu në Bundestag me dhjetëra deputetë, të cilët kanë tashmë informacion më të plotë. Reformat që ka bërë Shqipëria në 3-4 vitet e fundit kanë qenë reforma që pa dyshim tregojnë qartë një angazhim të qeverisjes aktuale, të shumicës aktuale në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të ekonomisë…

DW: Edhe në dokumentin e Bundestagut evidentohet një klimë e acaruar politike në Shqiperi. Është fakt që opozita është jashtë Parlamentit, mazhoranca dëshiron të shkarkojë Presidentin e Republikës, Gjykata Kushtetuese dhe e lartë ende nuk ekzistojnë. A keni ju si mazhorancë një plan konkret deeskalimi për muajt e ardhshëm? Apo i shihni këto probleme si çështje të brendshme të zhvillimit demokratik?

Balla: Nuk ka qenë asnjëherë dëshira jonë, që Partia Demokratike të ishte jashtë Parlamentit, po ka qenë një zgjidhje e gabuar e tyre, që koha tregoi që ishte tërësisht në dëm të interesit të Shqipërisë, qoftë në dëm të interesit të opozitës. Edhe çështja që lidhet me kërkesën e një grupi deputetësh të shumicës për shkarkimin e Presidentit të Republikës: besoj që jemi dakord që rruga evropiane e një vendi kalon përmes respektimit të Kushtetutës. Kushtetuta duhet të jetë e barabartë, për të gjithë. Megjithatë unë jam i bindur, që veprimi i Presidentit të Republikës në rastin e çdekretimit të datës së zgjedhjeve ka qenë një veprim antikushtetues. Edhe vetë Presidenti i Republikës e di këtë gjë. Po ne kemi qenë shumë të kujdesshëm për ta trajtuar këtë më maturi, aspak në këndvështrim politik, por në zbatim të së drejtës kushtetuese. Dhe për këtë qëllim kemi kërkuar edhe ekspertizën e Venecias, si një institucion që ka ekspertizën e duhur për të na furnizuar me këshillën e duhur për këtë qasje.

DW: Pse shkoi diskutimi deri në kërkesën për shkarkim të Presidentit?

Balla: Sepse kushtetuta i ka dhënë Kuvendit autoritetin e vetëm që në rast se Presidenti duhet të shkelë Kushtetutën, ai duhet të shkarkohet. Si një qytetar i thjeshtë ndëshkohet kur shkel rregullat e qarkullimit rrugor, edhe Presidenti shkarkohet kur shkel kushtetutën. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Edhe në vende me demokraci shumë më të zhvilluar se Shqipëria, sapo konstatohet që Presidenti i Republikës shkel kushtetutën, mekanizmi verifikues vihet menjëherë në lëvizje dhe bëhen të gjitha hapat.

Shqipërisë i kërkohet përgjatë gjithë rrugës evropiane një shtet ligjor, i barabartë për të gjithë. Qasja e Partisë Socialiste ka qenë që ne nuk komentojmë kurrë vendimet e gjykatave, veçse respektojmë vendimet e tyre. Kështu që edhe në rastin e Presidentit të Republikës, kjo çështje do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese, i cili është institucioni fundor për t’i çertifikuar shkeljet ose jo shkeljet.

DW: A keni plan për deeskalim të situatës? Pavarësisht nga ajo që bën opozita, edhe mazhoranca ka përgjegjësi për atë që bën apo nuk bën.

Balla: Dora e Partisë Socialiste ka qenë e shtrirë për të komunikuar me opozitën brenda dhe jashtë Parlamentit. Aspak nuk ka qenë dëshira jonë që të kishim një nga partitë më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar jashtë parlamentit. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për gjithçka, por nuk do të pranonim të negocionim as me PD, as me dikë tjetër çështje që lidhen me implementimin e plotë të reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme mbrapsht dhe angazhimi ynë për të është i panegociushëm.

Jemi të gatshëm që të ulemi të negociojmë për çështje që lidhen me Kodin Zgjedhor, për të cilat ne mendojmë që çështjet e OSBE-ODIHR-it duhet të mbahen parasysh plotësisht, siç është depolitizimi i anëtarëve të komisioneve zgjedhore; çështje që lidhen me aplikimin e teknologjisë në procesin e numërimit të votave, apo çështje që lidhen me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit e që për PS ka qenë kushti i vetëm lidhur me reformën zgjedhore, ne jemi të gatshëm t’i diskutojmë.

Por duhet të kuptojmë që zgjedhjet e qershorit 2021, kur mbaron mandati i këtij parlamenti është e domosdoshme të zhvillohen me një kod të ri elektoral. Këtë e thotë edhe dokumenti i Bundestagut.

Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS të Shqipërisë dhe kryetar i Grupit të Miqësisë Gjermani-Shqipëri ndodhet aktualisht në Bundestag për takime me deputetë të grupimeve të ndryshme politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button