Home / Rajoni / Në Kobani vijojnë luftimet. Turqia refuzon të ndërhyjë

Në Kobani vijojnë luftimet. Turqia refuzon të ndërhyjë

Sekretari amerikan i Shtetit: Lufta kundër Shtetit Islamik, do jetë një përpjekje afatgjatë

Luftimet ne KobaniEdhe dje në Kobani kanë vazhduar luftimet mes militantëve të Shtetit Islamik dhe forcave kurde që luftojnë kundër tyre, me mbështetjen nga ajri të avionëve të koalicionit ndërkombëtar. Shtëllunga tymi të dendur u vunë re të ngriheshin mbi qytet, ndërsa luftëtarët peshmerga në terren luftonin për të mbrojtur qytetin nga depërtimi i xhihadistëve. Avionët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara bombarduan ndërkaq objektiva brenda dhe përreth qytetit. Ndërkohë trupat turke, jashtë kufirit sirian vazhduan të qëndrojnë në gjendje gatishmërie, por të paangazhuara, me gjithë trysninë në rritje ndërkombëtare mbi Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të ndërhyrë. Qeveria turke ka refuzuar deri më tani të bashkohet në betejë direkte tokësore kundër forcave të IS, duke cituar lidhjet mes mbrojtësve kurdë të Kobanit dhe partisë së jashtëligjshme “Punëtorët e Kurdistanit” dhe duke theksuar se angazhimi i njëanshëm i tyre me trupa tokësore në Siri, nuk do të ishte hapi i duhur. Deri tani janë regjistruar të paktën 550 vetë që kanë humbur jetën përgjatë një muaji luftime në Kobani, qytetin që ndodhet pranë kufirit me Turqinë. Por thuhet se 20 viktima ka pasur edhe në radhët e civilëve protestues kurdë në Turqi dhe dy policëve turq, si pasojë e tensionimit të situatës gjatë javës së shkuar. Deputetë me origjinë kurde në Parlamentin e Ankarasë, kanë thënë gjatë këtyre ditëve se Ankaraja zyrtare heziton të bëjë hapa para në këtë drejtim, sepse i druhet një fuqizimi të kurdëve në planin politik, duke preferuar më mirë mosangazhimin paraprak dhe thirrjet për veprim të përbashkët tokësor me koalicionin e udhëhequr nga SHBA. Ajo – sipas shumë analistëve –  e di fare mirë se ndërhyrja tokësore e SHBA-së në Siri, është thuajse një opsion i pamundur, pavarësisht se edhe vetë SHBA mund të ketë arritur në pikën kur beson vërtet se ndërhyrja nga ajri tashmë nuk mjafton për të mundur militantët e Shtetit Islamik.

Hagel: Situatë, e rrezikshme në Kobani

Po ashtu, dje sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, u shpreh se situata në Kobani të Sirisë mbetet e rrezikshme. Hagel tha se sulmet ajrore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë shënuar përparim kundrejt militantëve, porse këta të fundit ende kontrollojnë zonat në periferi të qytetit. Lufta kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak – tha ai gjatë një vizite që po zhvillon në Kili – do të jetë një përpjekje afatgjatë.

Ban: Ndaloni masakrat ndaj civilëve!

Kobani dhe fati i tij tragjik, ka bërë që edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, t’u bëjë dje thirrje të gjitha palëve që “të bëjnë përpjekje për të parandaluar masakrën e civilëve” që mund të ndodhte nga ana e militantëve të Shtetit Islamik në rast mosveprimi. “Shpreh shqetësim të madh për situatën në Kobani. Me sulmet e përditshme të Shtetit Islamik, mijëra jetë janë në rrezik”, ka thënë Ban për gazetarët në Kajro. Më herët gjatë javës që u mbyll, të premten, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Steffan De Mistura, paralajmëroi për një Srebrenicë të dytë, nëse civilët në Kobani bien në duart e xhihadistëve, duke shënjuar në mënyrë indirekte sidomos rolin pasiv të Turqisë në këtë konflikt.

67 të vrarë në lagjet shiite të Bagdadit

67 vetë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur dje nga sulmet me makina bombë në lagjet shiite të Bagdadit. Zyrtarët kanë njoftuar se në mesin e të vrarëve ka civilë dhe policë. Sulmet kanë ndodhur në lagjet Kazimja dhe Shula. Përgjegjësinë për to nuk e ka marrë asnjë grup, por militantët sunitë të lidhur me Shtetin Islamik, sulmojnë shpesh popullatën shiite të Irakut.

Leave a Reply

%d bloggers like this: