Home / Rajoni / Maqedonia / Zaev: Ballkani stabil është në interes të BE-së
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ish-Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell, me fjalimet e tyre kanë hapur samitin për Ballkanin Perëndimor në ngjarjen e organizuar nga revista javore "The Economist". Në samitin me temë "Përforcimi i momentit për integrimin evropian" i pranishëm ishte një delegacion i lartë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga kryeministri Zaev, ish-kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ish-presidenti i Parlamentit Evropian (PE) Martin Schulz, nënpresidenti aktual i PE-së, Dimitrios Papadimoulis, përfaqësues të tjerë nga SHBA, BE, NATO, diplomatë, biznesmenë dhe menaxherë. ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Zaev: Ballkani stabil është në interes të BE-së

“Rajoni ballkanik stabil është në interes të Bashkimit Evropian, posaçërisht në aspektin gjeopolitik, ekonomik dhe të sigurisë”, tha Zaev

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ish-Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell, me fjalimet e tyre kanë hapur samitin për Ballkanin Perëndimor në ngjarjen e organizuar nga revista javore “The Economist”.

Në samitin me temë “Përforcimi i momentit për integrimin evropian” i pranishëm ishte një delegacion i lartë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga kryeministri Zaev, ish-kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ish-presidenti i Parlamentit Evropian (PE) Martin Schulz, nënpresidenti aktual i PE-së, Dimitrios Papadimoulis, përfaqësues të tjerë nga SHBA, BE, NATO, diplomatë, biznesmenë dhe menaxherë.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Zaev tha se Maqedonia e Veriut është në pritje të lajmeve të mira, duke përmendur anëtarësimin në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur për Marrëveshjen e Prespës me të cilën u zgjidh çështja e emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zaev tha se ajo është edhe një “katalizator i ndryshimeve pasi dëshmon për një proces të ri transformues në Ballkan”.

“Rajoni ballkanik stabil është në interes të Bashkimit Evropian, posaçërisht në aspektin gjeopolitik, ekonomik dhe të sigurisë. Bashkëpunimi më i afërt me vendet anëtare të Bashkimit Evropian ndihmon në ballafaqimin me sfidat që janë kyçe për axhendën evropiane, siç janë ndryshimet klimatike, energjetika, mjedisi jetësor, siguria dhe emigrimet”, tha Zaev.

Ish-zyrtari amerikan Wess Mitchell gjithashtu foli për Marrëveshjen e Prespës, duke thënë se është shumë i rëndësishëm “efekti i demonstrimit” që krijon kjo marrëveshje për Gadishullin Ballkanik, duke u shprehur se kjo dëshmon që Ballkani “po lëviz drejt Perëndimit”.

“Realiteti është se në shumë pjesë të Ballkanit sot, fuqia dhe ndikimi po largohen nga Perëndimi drejt lojtarëve të jashtëm, mënyrat e qeverisjes dhe ekonomisë së të cilëve janë shumë të ndryshëm nga ata që ne kemi dëshiruar të kenë shtetet e këtij rajoni që nga vitet e 90-ta. E ardhmja që synohet nga Rusia dhe Kina për Ballkanin Perëndimor, nuk është një e ardhme me liritë individuale dhe tregje të lira, por e ardhme me varësi dhe shfrytëzim”, tha Mitchell.

Gjatë panel diskutimeve, fjalim kishte edhe ish-kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, i cili rikujtoi se në muajin prill realizoi vizitën e parë historike të një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se kjo u bë e mundur falë hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.

“Kjo marrëveshje e ndërlikuar me të gjitha këto terme, nene, dispozita, na mundëson që edhe sot të shkojmë para me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe të ndërmarrim shumë hapa para”, tha Tsipras, duke shtuar se përpos zgjidhjes së çështjes së emrit, Marrëveshja e Prespës hap perspektiva për bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në sfera të ndryshme, siç janë tregtia, siguria dhe eurointegrimet.

Ish-kryeministri i Greqisë gjithashtu tha se BE-ja duhet të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se BE-ja duhet të promovojë paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Organizatorët e aktivitetit njëditor kanë njoftuar se gjithsej 450 pjesëmarrës marrin pjesë në samit, ku do të diskutohet edhe në lidhje me qëndrimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor si dhe për sigurinë e rajonit dhe ndikimin e NATO-s.

Leave a Reply

%d bloggers like this: