Home / Ekonomia / Përdorim i lartë i parasë cash, si do të ulet nga projekti i fiskalizimit dhe dixhitalizimi i sistemit të pagesave

Përdorim i lartë i parasë cash, si do të ulet nga projekti i fiskalizimit dhe dixhitalizimi i sistemit të pagesave

Popullsia shqiptare ka një përfshirje të ulët financiare, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por dhe me vendet e rajonit. Të gjitha këto reflektohen në një përdorim të lartë të parasë fizike (cash) në ekonominë shqiptare.

“Nga studime empirike të kryera nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore rezulton se përdorimi i cash-it në ekonomi, përtej efekteve zbehëse te mekanizmat e Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atij financiar, dhe zhvillimit ekonomik, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”, pohoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.

Që prej vitit 2015, Banka e Shqipërisë organizoi Komitetin Kombëtar të Sistemeve të Pagesave, i cili ka si qëllim që nëpërmjet veprimtarisë së tij, të mbështesë dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave, objektiva këta mjaft të rëndësishëm për zbatimin e politikës monetare dhe për stabilitetin financiar e ekonomik të vendit, duke krijuar baza të shëndosha për zhvillim dhe mirëqenie.

“Krijimi i Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në veçanti në ato europiane”, tha Sejko. Komiteti është konceptuar si një entitet strategjik, konsultues dhe komunikues, vendimet e të cilit kanë për objektiv mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve pjesëmarrëse në fushën e pagesave. Në këtë kuadër, vlen të theksojmë se gjatë këtyre 5 vjetëve janë arritur rezultate të rëndësishme, ku ndër më të spikaturit konsiderohet miratimi i Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023).

Për rrjedhojë, strategjia në fjalë synon të krijojë një treg bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin.

“Kjo strategji, e ndërtuar me mbështetjen mjaft të vlefshme të Bankës Botërore, është produkt i një pune të gjatë studimore dhe analitike, dhe synon të adresojë më së miri nevojat e tregut vendas”, tha Sejko.
Realizimi i këtij vizioni vlerësohet të materializohet nëpërmjet një sërë zhvillimesh jo vetëm ligjore e rregullative, por edhe infrastrukturore, të cilat promovojnë zhvillimet teknologjike dhe inovacionin në tregun e pagesave.

“Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj se përfshirja e zhvillimeve të teknologjisë së informacionit në shërbimet financiare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e bankave qendrore dhe të autoriteteve rregullative e mbikëqyrëse në mbarë botën. Praktikat ndërkombëtare dhe ato vendase diktojnë se një përqasje gjithëpërfshirëse nëpërmjet bashkëpunimit mbështet ndjeshëm arritjen e rezultateve efektive dhe optimale”, pohoi guvernatori.

Një shembull konkret i bashkërendimit të përpjekjeve në këtë drejtim është pikërisht ai në fushën e pagesave. Në këtë fushë, masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për digjitalizimin e shërbimeve qeveritare dhe rishtazi për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i cili synon rritjen e efikasitetit të fiskalizimit të ekonomisë shqiptare, duket se janë në harmoni të plotë me nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, për modernizimin e tregut të pagesave dhe nxitjen e përfshirjes financiare të popullsisë.
Banka e Shqipërisë ka punuar për krijimin e një kuadri ligjor e rregullativ, i cili synon pikërisht nxitjen e digjitalizimit në sferën e shërbimeve të pagesave. Hartimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave” konsiderohet si një hap i parë dhe thelbësor në kuadër të reformimit dhe digjitalizimit të tregut të pagesave me vlerë të vogël.

Në terma konkretë, ky projektligj vlerësohet të nxisë ndjeshëm konkurrencën në treg, duke dhënë një kontribut thelbësor për krijimin e shërbimeve financiare me kosto të ulëta dhe lehtësisht të aksesueshme nga publiku i gjerë.

“Promovimi i objektivave të sipërpërmendur, është i rëndësishëm jo vetëm nga pikëpamja e funksioneve të Bankës së Shqipërisë si autoritet monetar, por ka edhe një kontribut të qenësishëm në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e publikut të gjerë”, shtoi Sejko.
Si pohoi se të gjitha këto zhvillime nuk do të kenë efektet e pritura, nëse nuk mbështeten me masa në kuadër të edukimit financiar të popullsisë. Të ndërgjegjshëm se kultura financiare e publikut përbën një mjet të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimin e tregut, Banka e Shqipërisë është angazhuar prej më se një dekade, në ideimin dhe zhvillimin e programeve edukative të krijuara për të adresuar nevojat e grupeve të veçanta të interesit.

Fokusi i bankave qendrore në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim, tek forcimi dhe zhvillimi i kulturës financiare, nuk është një rastësi. Studime të shumta kanë dëshmuar se edukimi financiar sjell përfitime të shumëfishta. Të qenit i familjarizuar me konceptet bazë financiare dhe ekonomike, njohja dhe përdorimi i duhur i produkteve bankare dhe mjeteve financiare, si dhe aftësia për të menaxhuar financat personale dhe ato familjare, janë thelbësore për rritjen e përfshirjes financiare, me synim fundor përmirësimin e mirëqenies individuale dhe të shoqërisë në tërësi.

Nga ana tjetër, një vendimmarrje financiare e mirinformuar e individëve i ndihmon bankat qendrore në përmbushjen e mandateve të tyre për arritjen e stabilitetit të çmimeve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Një kuptim më i mirë i politikës monetare ndihmon në përshpejtimin e transmetimit të efekteve të kësaj politike mbi ekonominë reale. Ndërkohë që cilësia e vendimeve për financim ose investim ka impakt të drejtpërdrejtë mbi stabilitetin e gjithë sistemit financiar.

Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë ka qenë mjaft e angazhuar në sferën e edukimit financiar ndër vite dhe kjo përvojë disavjeçare ka identifikuar qartazi nevojën e një nisme të koordinuar në nivel kombëtar deri në ngritjen e këtij objektivi në nivel reforme me rëndësi thelbësore për vendin.
Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë, e nxitur dhe nga kërkesa e autoriteteve të tjera, por edhe e aktorëve të tregut, vlerëson si një domosdoshmëri hartimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar, për të cilën ju gjithashtu do të diskutoni gjatë kësaj mbledhjeje dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim priten të materializohen së shpejti.

“Ne kemi bindjen se një dokument i tillë strategjik, i përshtatur me nevojat e vendit për edukim financiar, do të ndihmonte përmes bashkimit dhe koordinimit të veprimeve dhe të burimeve të aktorëve të ndryshëm, në rritjen e efektivitetit për arritjen e objektivave të përbashkët të kultivimit të një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Ndaj ftoj të gjitha institucionet pjesëmarrëse të angazhohen dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive për konkretizimin e kësaj iniciative”, përfundoi Sejko.

Leave a Reply

%d bloggers like this: