Politika

Rama: Duhet urgjent të bëjmë reformën zgjedhore! Ia kemi borxh Gjermanisë mike

Kryeministri Edi Rama i ka lëshuar një tjetër ftesë bashkëpunimi opozitës në të mirë të përbashkët të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për një vendim pro çeljes së negociatave nga Këshilli i Europës. Duke iu drejtuar veçanërisht partive jashtë Parlamentit, Kryeministri tha se duhet të ulen sa më parë për të realizuar një nga kushtet e Gjermanisë, reformën zgjedhore.

“Nëse jeni patriotë të vërtetë dhe e keni të ndarë Europën nga qeveria socialiste, duhet urgjent bashkërisht të bëjmë Reformën, si fazë të parë. Jo të mbyllim Komisionin e Reformës, por t’i marrim një e nga një rekomandimet e ODIHR. Ato janë e zeza mbi të bardhë. Merren dhe futen në ligj dhe me atë letër i thuhet Gjermanisë mike, avokate e çeljes së negociatave sot, ne i kemi plotësuar të dyja këto. Pastaj vazhdojmë ne flasim për sistemin, flasim për votën e emigrantëve, të cilën edhe pa ju do e bëjmë,” tha Kryeministri.

Ai i është përgjigjur edhe kreut të PD në lidhje me ofertën e tij për zgjidhjen e krizës.

“I thotë një këmbësor që rri te hija e fikut një makine: “hap krahun”?! “Ta kemi dhënë planin, zbatoje!” Ou? Me çfarë dekreti minor e ke marrë të drejtën që të më çosh mua planin? Kë përfaqëson? Megjithatë, ata janë të mirëpritur në çdo moment. Unë ju kam të gjithëve njësoj. Juve këtu dhe ata atje. Madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se ata kanë një hall më të madh,” tha Rama.

Reformën Zgjedhore, Kryeministri Rama e ka cilësuar si borxh ndaj Gjermanisë mike.

“Reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR ta bëjmë menjëherë, urgjent! Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda s’keni pse mos ta doni. Ata që janë jashtë nuk e duan, sepse një nga gjërat që duam të bëjmë bashkë është që të mos ketë komisione politike. Kjo është e mirë për të gjithë, e të tjera gjëra që janë të shkruara aty. Unë e di që ju keni ide të tjera të vlefshme. Edhe ne kemi ide që mund t’i dëgjoni, s’është e thënë t’i pranoni. Edhe ata kanë ide, por s’janë këtu. Kështu që, të bëjmë Reformën Zgjedhore, të presim të plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe tu themi miqve gjermane, se nuk e dimë çfarë mund të ketë në vendim, mund të ketë kushte të tjera, por, për sa flasim dhe atyre që iu kemi borxhin më të madh në këtë proces, këto dy kushte t’ua bëjmë dhe le të përfitojmë pastaj pozitivisht nga qenia e tyre në krah me ne, sepse kushtet tyre janë plotësuar. S’mund të presim këtu të biem dakord për të gjitha, por të biem dakord për Europën,” tha më tej Kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se atë që duhet të bënte çdo shqiptar që e do vendin e tij dhe do ta shohë të ecë përpara, e ka bërë Kancelarja Merkel, e cila dha shembullin më të mirë edhe ndaj paudhësisë së opozitarëve që punuan për të dëmtuar Shqipërinë edhe në sytë e parlamentarëve gjermanë.

“Një shembull për të kuptuar diferencën mes kujt do ta çojë para procesin dhe kujt bën çmos të gjejë argumente që tu mbushë mendjen atyre që e kanë në dorë të bllokojë procesin: Ata që janë në rrugë mbushën dynjanë në Shqipëri dhe nëpër botë, iu bënë spam emaileve të parlamentarëve gjermanë, “s’ka Gjykatë Kushtetuese” dhe kancelarja iu tha, – “tani i kemi kërkuar Shqipërisë të bëjë vetingun dhe të pastrojë sistemin. Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese se spastrimi ka filluar. Është sukses që është pastruar sistemi, apo është dështim fakti që s’ka Gjykatë Kushtetuese?!” Ja si argumenton dikush që mbështet Shqipërinë edhe me sytë e ftohtë të argumenteve, jo me mendjen e çoroditur të luftës për pushtet. Një shembull i mirë për tu mbajtur mend,” u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button