Home / Rajoni / Maqedonia / Takimi Zaev-Pompeo: Anëtarësimi në NATO dhe BE, qëllime historike

Takimi Zaev-Pompeo: Anëtarësimi në NATO dhe BE, qëllime historike

Pompeo përshëndeti arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe marrëveshjen me Bullgarinë, për të cilat vlerësoi se përmirësojnë marrëdhëniet dhe stabilitetin e Ballkanit.

Populli amerikan është mik i popullit maqedonas dhe të gjithë popujve që jetojnë në vendin tonë. Maqedonia e Veriut është partner i përkushtuar strategjik i SHBA-ve, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot në konferencën e përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Ohër.

“Kjo vizitë është sinjal i fuqishëm për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj vendit tonë, për integrimet tona euroatlantike dhe një rast i mirë se vazhdojmë të punojmë së bashku në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimi tonë”, tha Zaev.

Ai më tej tha se anëtarësimi në NATO është vendimi ynë sovran që ka mbështetje të fuqishme mbipartiake dhe konsensus ndëretnik dhe se kjo për ne është arritje e një qëllimi historik.

“Është përfitim i madh jo vetëm për vendin tonë por edhe për forcimin e sigurisë, lirisë dhe prosperitetin demokratik të mbarë rajonit”, tha Zaev duke shtuar se pranon obligimet e anëtarësimit në NATO për arritjen e buxhetit prej 2 për qind deri në vitin 2024.

Zaev përmendi edhe marrëveshjet me fqinjët për tejkalimin e barrierave drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Maqedonia e Veriut është një vend unikat në rajon për shkak se nuk ka çështje të hapura bilaterale me asnjë nga fqinjët e saj. Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë ishin vendime historike dhe hapa kyç për realizimin e qëllimeve tona strategjike, anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Për dhjetë ditë presim lajmin e shumë pritur nga Brukseli hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”, tha Zaev duke shtuar se lajmi i mirë nga Brukseli do të ndikojë pozitivisht në tërë rajonin se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Evropës.

Në fund Zaev tha se rajoni stabil ballkanik është në interes të BE-së në aspektin gjeopolitik dhe ekonomik dhe në këtë kontekst kjo vizitë dhe inkurajim nga SHBA-të është me rëndësi të madhe për ne.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në konferencën për media tha se shpreh falënderime për kontributin e ushtarëve të Maqedonisë së Veriut në misionet e NATO-s, duke shfaqur bindjen se Senati i SHBA-ve këtë vjeshtë do ta aprovojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë.

Pompeo më pas përshëndeti arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe marrëveshjen me Bullgarinë, për të cilat vlerësoi se përmirësojnë marrëdhëniet dhe stabilitetin e Ballkanit.

Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit është një element shumë i rëndësishëm në procesin e anëtarëismit në BE dhe NATO.

Pompeo më pas foli edhe për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon, duke shtuar se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë partner me vendin.

“Zemrat dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet ta çojnë shtetin përpara, e jo trollët rusë në mediat sociale. Me rëndësi të madhe është bashkëpunimi ynë ekonomik me qëllim që të mbahet përkushtimi impresiv i SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut ndaj lirisë ekonomike, poashtu siç e bëra atë edhe në një vend tjetër në Evropë. Do të dëshiroja t’iu paralajmëroj për pjesëmarrjen e Kinës në fushën e teknologjive të ndjeshme dhe strategjinë e tyre të mitos gjatë sigurimit të kontratave. Presidenti Trump në OKB tha se ardhmëria u takon shteteve sovrane dhe të pavarura, të cilat qytetarët e saj respektojnë fqinjët. Maqedonia e Veriut pasqyron këtë frymë. SHBA-të do të vazhdojnë të jenë partner me ju për të mirën e qytetarëve tuaj, për rajonin dhe për botën”, tha Pompeo.

Ai është sekretari i parë amerikan që viziton vendin pas vitit 2001.

Sekretari amerikan më herët, sot paradite,  vizitoi Malin e Zi. Ai nga Maqedonia e Veriut do të udhëtojë në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe shefin e diplomacisë Nikolaos Dendias.

Leave a Reply

%d bloggers like this: