Ekonomia

Shqiptarët rritën konsumin e kafesë për frymë, vendi rekord për numrin e lartë të bar-kafeve

Tashmë, prej vitesh bar-kafetë, mbajnë vendin kryesor si një ndër institucionet më të rëndësishme sociale, kulturore dhe argëtuese dhe për këtë mjafton të shikojmë numrin bar-kafe që operojnë në Shqipëri.

Viti 2018 shënoi rritje të importeve të kafesë si në sasi, ashtu edhe në vlerë. Sipas të dhënave të Doganës, vitin e kaluar u importuan mbi 7,000 tonë kafe, me vlerë 28.6 miliardë lekë. Në krahasim me një vit më parë, sasitë e importuara u rritën me 32%, ndërsa në vlerë me gati 20%.

Të dhënat e pesë viteve të fundit tregojnë se importet e kafesë u rritën sërish, pasi shënuan rënie gjatë 2017-s. Niveli më i lartë i sasive të importuara u shënua gjatë 2016-s me gati 8,500 tonë kafe të importuara.

Në Shqipëri konsumohen 2.5 kg kafe për frymë

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, gjatë vitit 2018 një shqiptar konsumoi mesatarisht 2.5 kg kafe, duke shënuar rritje në raport me një vit më parë. Me 1 kilogram kafe, një barist mund të bëjë mesatarisht 120 deri në 150 filxhanë kafe. Kështu një shqiptar ka konsumuar mesatarisht 300 deri në 375 kafe në vit. Megjithatë, kur përllogaritet konsumi i kafesë për frymë merret në total e gjithë popullsia, por duke marrë në konsideratë se fëmijët nuk konsumojnë kafe, konsumi te të rriturit mund të jetë edhe më i lartë.

Përllogaritja e kafesë së konsumuar për frymë është bërë duke ju zbritur importeve sasinë e kafesë së eksportuar jashtë dhe duke e pjesëtuar në raport me popullsinë. Shqipëria eksporton sasi modeste të kafesë në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

 Të parët në botë për numrin e lartë të bar-kafeve

Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri, numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar-restorante), me rritje 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante)

Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar-kafe për 152 banorë.

Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar-kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE.

 Nga vjen kafeja që konsumojmë

Rreth 60% e sasisë së importuar në vitin 2018 kishin si vend origjine Italinë, sipas të dhënave të Doganës. Importet nga Italia përllogariten të jenë rreth 16.9 milionë dollarë. Në vend të dytë renditet kafeja e importuar nga Brazili, me rreth 22% të totalit të vlerës së importeve, apo 6.5 milionë dollarë. Në vend të tretë renditen importet nga India me 10% e totalit dhe vlerë prej 3 milionë dollarësh, ndërsa kafeja e ardhur nga Vietnami përbën 6% të totalit, me vlerë 1.6 milionë dollarë.

Dita Ndërkombëtarë e Kafesë, sa importon Europa

Në vitin 2018, BE importoi mbi 3 milionë tonë kafe nga jashtë, 12% më shumë se 10 vjet më parë. Vlera e importeve ishte 7.8 miliardë euro.

Pjesa më e madhe e kafesë, e importuar në 2018 nga vendet jo të BE vinin nga dy vende: Brazili (901,000 tonë të importuar në BE, ose 29% e totalit të importeve jashtë-BE) dhe Vietnami (770,000 tonë, 25%).

Ata u pasuan nga Hondurasi (228,000 tonë, 7%), Kolumbia (173,000 tonë, 6%), Uganda (161,000 tonë, 5%), India (157,000 tonë, 5%), Peruja (127,000 tonë, 4%) dhe Etiopia (87,000 tonë, 3%).

Këto importe ishin kryesisht në Gjermani (me 1.1 milionë tonë të importuar, ose 36% e totalit të importeve ekstra-BE) dhe Italisë (587,000 tonë, 19%), përpara Belgjikës (277,000 tonë, 9%), Spanjës (260 000 tonë, 8%), Francës (220,000 tonë 7%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (193,000 tonë, 6%).

 Gjermania dhe Italia, prodhuesit kryesorë të kafesë

Në vitin 2018, në BE u prodhuan mbi 1.8 milionë tonë kafe, 3% më pak se 10 vjet më parë. Prodhimi i kafesë së BE-së ishte me vlerë 10.5 miliardë euro, ndërsa përllogaritet me rreth 3.4 kilogramë për banorë.

Ndër shtetet anëtare të BE-së, Gjermania ka prodhuar më shumë kafe të pjekur në vitin 2018, me 551 mijë tonë, ose 31% e prodhimit të përgjithshëm të BE-së, e ndjekur nga Italia me 414 mijë tonë, 23%; Franca me 139 mijë tonë, 8%; Spanja dhe Holanda, secila me 138 mijë tonë, 8%; si dhe Suedia me 91 mijë tonë, 5%.

Në vitin 2018, këto gjashtë shtete anëtare të BE-së prodhuan 83% të prodhimit të përgjithshëm të kafesë së pjekur në BE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button